Mjerë letra, që bartë gjithçka...

Opinione

Mjerë letra, që bartë gjithçka...

Nga: Gani I. Mehmeti Më: 22 janar 2020 Në ora: 13:25
Gani I. Mehmeti

Letra është ajo që bartë mbi vete gjithçka që shkruhet. Sikur është e dënuar të marrë mbi vete dhe t’ua paraqesë të tjerëve të mirat dhe të këqiat e secilit, drejtësinë dhe padrejtësinë e secilit. Në anën tjetër, letra duket të jetë  ajo që mbi të mban realitetin më të mirë, pa shtrembërime, nga që, ajo jep në origjinal krejt kush çka mendon dhe si është vetë në jetë, deri sa veten e paraqet në letër – shkruan.

Unë mund të jem bashkë me shokun tim, por, sa është interesante, kur unë shoh diçka tjetër e ai, shoku im, sheh diçka tjetër edhe kur e vërejmë të njëjtin objekt. Unë shoh a vërejë më ndryshe trupin që e shikojmë bashkë, ai ndryshe, unë mendoj pastaj ndryshe nga shoku im, unë them e kishte këtë e këtë e ai ose shton diçka nga ajo që nuk  e kam parë unë, ose heq diçka nga ajo që unë e kam parë e ai nuk e ka parë. Me rëndësi, që, këtu nisin dallimet tona, kundërshtitë tona, mendimet e idetë tona jo të njëjta për të njëjtin trup a onjekt, e, kjo ndodh edhe për të njëjtën ngjarje që ne bashkë e kemi përjetuar apo për të njëjtën rrugë që bashkë e kemi kaluar...

Këtu faji është, tek ne se kush në çka përqëndrohet me sy e mendje të tij. Dhe, vetë përqëndrimet nuk mund të jenë të njëjta, për deri sa ne nuk bashkëbisedojmë gjatë shikimit dhe t’i tërheqim vërejtjen e t’i tregojmë njëri-tjetrit se çka po vërejmë dhe si po vërejmë. Po e biseduam bashkë deri sa jemi pranë objektit, do i shikojmë të gjitha njësoj. Por, posa të largohemi nga objekti, pse jo edhe nga vetë ngjarja, nëse ne nuk kemi folur për krejt çka po vërejmë bashkë, atëherë na lindin divergjencat, kundërshtitë; jo këtu ishte kështu, jo aty nuk ishte ashtu... e të tjera...

Nuk po dua të ju lodhë më shumë, po hyj në temën, për ku e kam fjalën.

Po lexoj një shkrim se kush ishte arkitekt i Pavarësisë së Kosovës!?

Të mjerët që nuk kanë sy e mendje e nuk logjikojnë më larg se aq sa mendojnë aty për aty!

Nuk bëhen sot njerëzit të afrueshëm e të bashkëbisedojnë, të afrohen ndërmjetvetit, por luajnë rolin e përçarësve. Dhe, sikur nuk dimë ne asgjë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sikur ne kemi qenë kundër UÇK dhe e kemi luftuar atë – kur ne vetë ishim në UÇK, kur ne ishim vetë ajo!

Por, përpara se të ishim vetë UÇK-ja, ne ishim Lëvizja më e madhe në ish Jugosllavi dhe Lëvizja (Partia) e parë në Jugosllavi që nisëm ligjërisht, shkatërrimin apo ndarjen prej saj.

Gjithçka këputet prej së holli, zullumi këputet prej së trashi! – është fjalë e urtë e popullit shqiptar kjo. Këtë ndarje, këtë thënie JO, na e kushtëzoi Serbia me Millosheviqin në krye, kur ajo i hoqi gjithçka nga e drejta Kosovës, që këtu duhet kuptuar SHQIPTARËVE TË KOSOVËS, hoqi Kushtetutën e vitit 1974! Ne nuk na mbeti diçka tjetër, përveç se të rreshtohemi të gjithë në një krah si popull, dhe, ashtu ndodhi, ne u rreshtuam, e kundërshtuam dhe fituam me atë që diti t’i prijë popullit siç ishte më së miri, por edhe populli e dëgjoi atë, Dr. Ibrahim Rugova.

Rugova veproi me fjalë pak. Ai kishte punë me Serbinë – jo me shqiptarë. Prandaj, kurrë nuk u mor me shqiptarët, por punoi për shqiptarët, për lirinë e tyre. Edhe këtu ishim bashkë, pra e mbaj mend, kishim vepruar në të njëjtën kohë dhe për të njëjtën çështje. Rogova gjeti mbështetjen në Popull, pse Popullit i printe.

Po shkojmë edhe më tutje, historikisht: Unë jam ai që mbaj mend Demonstratat e vitit 1968! Isha nxënës i klasës katërt Gjimnaz në Podujevë. Kishte kaluar ora Një pas dite. Ne po prisnim fillimin e orës. Në klasë nuk kishte shumë nxënës! Unë asgjë nuk po mirrja vesh, shkurt nuk dija asgjë! Por, nuk e di si, më tingëlloi në vesh një fjalë nga dikush prej shokëve të klasës:

- Gani, ec se ka demonstrata e duhet të jem i atje edhe ne! – Kurrë nuk e harroj këtë fjali, këtë thirrje, këtë gëzim që e kisha menduar e pritur që moti...dhe, përnjëherë jemi gjendur në oborrin e shkollës nga ku ne si nxënës jemi rreshtuar e drejt për në qytet.  Në krye e kishim atë më të madhin me trup, atë më të shkathtin, atë që më vonë u bë i njohur për gjithë Kosovën e më larg në futboll, ESAT MEHMETIN, pa i përjashtuar të tjerët si shokë e si pjesëmarrës në demonstratë.

Eh, po ecim edhe pak më përpara. Më falni që këtu po e marr veten për personazh.  Doemos do të ceku edhe Gëzimin që kemi pasur me rastin e UNIFIKIMIT TË GJUHLS SHQIPE në Kongresin e Drejtëshkrimit në Tiranë në Nëntorin e vitit 1972! Ishte gëzim i madh i yni, sepse medonim se të gjithë shqiptarët tani dpo të flasin e shkruajnë njësoj, me çka do të mirrshin vesh njëri me tjetrin.

Për ngjarjet e mëhershme, nuk i mbaj mend, nuk dua të gënjej për asgjë dhe për askë.

Mirëpo, për krejt më përpara, di nga ajo që kam lexuar apo dëgjuar, sipas shkrimeve  a interpretimeve të të tjerëve, pra ashtu siç e ka dhënë  historia. Ne u mësuam me Historinë e Skënderbeut që sot e sulmojnë disa mjeranë, u mësuam me historitë dhe luftëtarët, gjuhëtarët. historianët e poetët që dhanë shumë, disa edhe jetën për këtë popull. I çmuam, i dashtëm, u përpoqëm të marrim mësim në ta, ishin shembull për ne.

Pas Luftës së Dytë Botërore, shembull në luftën për çlirim ishin edhe të gjithë Nacional Demokratët Shqiptarë dhe grupi i tyre,  në krye me Shaban Shalën. Me ta vjen edhe Mandela i Kosovës, autori i romanit “Gjarpinjt e gjakut” që ne po e kërkonim gjithandej për ta lexuar, Adem Demaçi e të tjerë (unë kisha harruar, por një nxënës po ma përmend para sa kohësh: Arsimtar, vonë e kemi kuptuar kush ishte A. D. Kur na e pate shkruar thënien e tij “Lehtë është të ngritësh gishtin e krimit, por vështirë është të shtrish dorën e pajtimit” (Adem Demaçi). Pra, të mos mendojë dikush se ai e do, e çmon dhe e ngrit më lart se ne edhe Adem Demaçin! Jo, por krejt, për gjithçka, le të shkojë në kontest me kohën dhe me atë kush çka ka bërë.

Pra, historia nuk paska lindur me ne, ajo qenka shumë e largët, e vjetër, që kur u krija njeriu, që unë nuk e di para sa vitesh. E, që atëherë ka filluar edhe historia, por deri vonë nuk është e njohur, pse nuk kishte shkrim.

Dhe, shtrembërimin historik e gjeografik nga të huajt për popullin tonë, deri diku e arsyetoj, por nuk e quaj të drejtë, pse ata kanë pasur dhe kanë synime mbi tokat tona të copëtuara e të pushtuara prej vetë atyre. Mirëpo, shtrembërimin e fakteve të gjalla, që njerëzit janë ende gjallë e pjesëmarrës në të gjitha këto aktivitete e luftëra që nga pas LDB e këndej – absolutisht nuk po mundem t’i durojë e as t’i pranojë.

UÇK-ja nuk ishte e popullit? Nga kush doli ajo, që tjetri ta duajë e t’i dalë në ndihmë më shumë se unë, kur unë isha një njeri i UÇK, kur biri im ishte plotë 12 muaj me uniformë në të, me tytën përballë armikut, ndërsa biri i kushërirt është i rënë në këtë luftë, bashkë me të gjithë të rënit e tjerë, pa përjashtim (por thash se do nisem nga vetja, që pse nuk kam folur - e kam ndihmuar, e kam dashur dhe e dua, por pa sulmuar ngjarjet e mëparme, përgatitore për UÇK).

Përse të sulmohet, nga kushdo qoftë, koha kur nga populli kundërshtohej shtypja dhe pushtimi klasik i Kosovës nga Serbia? Kjo ishte faza përgatitore për formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe, pa atë qëndresën “pacifiste” që dikush  nuk pajtohet me të, ndoshta si “trim”, si “luftëtar” që aso kohe nuk i është dëgjuar emri për arsye të ndryshme a pse ka qenë i ri ose fëmijë – po deklarohem haptas se nuk do të mund të formohej as UÇK-ja.

Kushtet për formimin e UÇK u krijuan gjatë qëndresës “pacifiste”, sepse Serbia nuk kishte alibi t’i ndiqte shqiptarët nga Kosova, siç u “arsyetua” me rastin e sulmeve nga NATO. Vetë Dr. Rugova, që dikush e sulmon aq shumë, pati thënë: “Nuk më duhet Kosova pa shqiptarë!” , ndërsa vetë Millosheviqi nuk e donte Kosovën me shqiptarë!  Pa qëndresën “pacifiste”, pa ndërkombtarizimin e çështje së Kosovës, siç e thanë edhe shumë liderë shtetërorë e partiakë dje, me rastin e 14 vjetorit të  vdekjes së Presidentit Dr. Ibrahim Rugovës, nuk do të ishim këtu ku jemi.  Pra, ec e mohoje se nuk ishte arkitekti i PAVARËSISË SË KOSOVËS – Dr. IBRAHIM RUGOVA!

Dhe, gjithçka ishte më mirë deri me Shpalljen e  Pavarësisë së Kosovës, nga e cila ditë, mori teposhtëzen me shumë çka në shkatërrimin e asaj që ishte arritur, nisur me korrupsionin që nuk u ka hije krerëve të shtetit ta vjedhin e plaçkisin shtetin e tyre, popullin e tyre, që, në vend se të jenë në shërbim të popullit dhe shtetit, ata e kanë kthyer popullin dhe shtetin në shërbim të tyre!

Për të vlerësuar diçka, nuk mundemi diçka tjetër zhvlerësojmë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat