A po lihet qëllimisht Medvegja jashtë listës së përbashkët për deputet? - Bota Sot
A po lihet qëllimisht Medvegja jashtë listës së përbashkët për deputet?

Opinione

A po lihet qëllimisht Medvegja jashtë listës së përbashkët për deputet?

Nga: Muharrem Salihu Më: 27 janar 2020 Në ora: 22:57
Muharrem Salihu

Zgjedhjet parlamentare në Serbi janë në prag. Forcat politike shqiptare, kryesisht në 3 komunat shqiptare në jug të Serbisë: Medvegja, Bujanoci dhe Presheva janë përballë një dileme të madhe, por edhe jetike njëkohësisht për të ardhmen e shqiptarëve në trojet e tyre autoktone: Të marrin pjesë apo të bojkotojnë zgjedhjet parlamentare?

Bojkoti i zgjedhjeve ju heq zyrtarisht shqiptarëve mundësinë që të jenë të përfshirë si minoritet në pushtetin legjislativ në Serbi, për pasojë nuk do të kenë një zë që të përcjellë shqetësimet e tyre. E kundërta, pjesëmarrja zyrtarizon njohjen de jure të situatës dhe të politikave serbe në dëm të shqiptarëve, pasi është njohur në këtë mënyrë numri i shqiptarëve që ka dashur qeveria serbe të prezantojë se ka në Serbi. Ndaj, pjesëmarrja në këto zgjedhje nëse realizohet pa një bashkërendim mes drejtuesve politikë shqiptarë, mund të klasifikohen si thikë me dy presa.

Drejtuesit politik shqiptarë në Preshevë dhe Bujanoc kanë obligim patriotik, moral dhe politik të punojnë dhe luftojnë të bashkuar për të mbrojtur kauzën e shqiptarëve në Serbi, kryesisht atyre në Medvegjë. Prezenca e shqiptarëve në zgjedhje duhet të kushtëzohet me kthimin e adresave që u janë pasivizuar të gjithë medvegjasve. Kjo gjë u kthen atyre dinjitetin dhe i bën të jenë të gjallë mes të gjallëve. Medvegja ka më shumë nevojë që kjo pjesë e popullatës që është persekutuar përmes pasivizimit të adresave të përfaqësohet në parlamentin e Serbisë, sesa medvegjasit që janë kursyer nga pasivizimi i adresave.

Ndihma ndaj popullatës medvegjase së shtypur, të çregjistruar dhe të fshirë nga regjistrat civilë është emergjencë kombëtare dhe forcat politike shqiptare në Serbi nuk duhet të heshtin. Lëshimi i territoreve shqiptare të Medvegjës në kohë paqe, por që nuk u realizua as me luftë, është baras me shitje të territorit shqiptar dhe klasifikohet si tradhti kombëtare. Në emër të medvegjasve të cenuar, ju bëj thirrje liderëve shqiptarë në Serbi, që të bashkojnë forcat, të kthejnë sytë nga Medvegja që po lëngon dhe ta bëjnë çështje të kauzës së tyre. Historia nuk do ua fali. Ndaj lënia e medvegjasve pa përfaqësi në listën e përbashkët të forcave politike nga Presheva dhe Bujanoci nuk është e rastësishme. Nga ana tjetër qeveritë shqiptare po ndihen të pafuqishme përballë kësaj situate të rënduar në Medvegjë.

Kjo kohë negociatash për rikthimin në tryezën e bisedimeve të Kosovës dhe Serbisë, është vendimtare edhe për të ardhmen e medvegjasve dhe të shqiptarëve në tërësi që jetojnë në Serbi. Përfshirja e partive poitike shqiptare pa kushte në zgjedhjet parlamentare në Serbi sjell të mira vetëm për Serbinë, në të paktën dy aspekte themelore: së pari, do të lehtësojë pozitën e Serbisë në bisedime, pasi prezenca e shqiptarëve në zgjedhje do të përkthehet si dakordësi me politikat serbe, ndaj nuk do të ketë një çështje të shqiptarëve të Serbisë për diskutim mes Kosovës dhe Serbisë; dhe së dyti, Serbia siç e ka nisur, ka gjasa të shpopullojë Medvegjën nga shqiptarët, duke u rrëmbyer në ditën me diell dhe në shekullin e XXI tokat autoktonëve, që nuk arriti t’ua marrë në 140 vite përpjekje e zbatim të politikave shoviniste e shfarrosëse që ka ndërmarr ndërvite kundër shqiptarëve. Koha nuk pret më! Medvegja duhet mbrojtur dhe jo braktisur! -Themelues AFEDS -Këshilltare Komnal Medvegjë - kryetare dege APN.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat