Nëse vetëlavderohesh ose të lavdërojnë tepër, njëjtë! Ose, qysh u dekoruan e po dekorohen edhe “aktivistët” e Gazimestanit 1989?!

Opinione

Nëse vetëlavderohesh ose të lavdërojnë tepër, njëjtë! Ose, qysh u dekoruan e po dekorohen edhe “aktivistët” e Gazimestanit 1989?!

Nga: Jusuf Bytyçi Më: 31 janar 2020 Në ora: 16:05
Jusuf Bytyçi

Posaçërisht nga përfundimi i Luftës Çlirimtare të viteve 1998/99, në Kosovë, njerëzit, me rrahagjoks, nisën lavdet, vetëlavdërimet për "heroizmat" e tyre! U lavdëruan tepër dhe u vetëlavdëruan komandantë, ish-ushtarë-luftëtarë të dalluar dhe dezertorë, pa dallim! U lavdëruan e vetëlavdëruan edhe ata që nuk kishin bërë asgjë të mirë për vendin, çështjen dhe kombin. "Verifikimin" e meritave edhe jo meritave, respektivisht "heroizmat" e trimave dhe tucave e dezertorëve, me apo pa mirënjohje në letër, e bënin, kush tjetër, pos krerëve institucionalë, apo atyre, nga Shoqatat e "OJQ"-të, nga të cilët, fare qartë diheshin edhe ata që pothuaj s'e kishin bërë kurrë një të mirë për popullin shqiptar! Më e keqja pas vetëlavderimeve ose ndarjes së dekoratave, mirënjohjeve dhe titujve goxha me nam, ishte miratimi me aplaudim dhe një heshtje e çuditshme! Mirënjohja e njëjtë, qoftë për meritorët apo kategorinë tjetër, në fakt e ka zbehur edhe figurën-personalitetin e dalluar, respektivisht dëshmorin-heroin e betejave.

Malisheva është një nga komunat ose lokalitetet, popullata e së cilës, padyshim ka merita të pakontestueshme për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Por kjo qytezë ose kjo komunë, nuk është aq e madhe sa të mos njihen njerëzit, edhe ushtarët-luftëtarët e dalluar, edhe tucat apo frikacakët-dezertorë! Edhe Kosova, po ashtu nuk është aq e papërthekueshme, sa të mos njihen të mirët dhe të këqinjt! E kudo në Kosovë, u dëshmuan dukuri të dëmshme, lavdërues e vetëlavdërues, edhe me ndonjë dokument! "Rrugëtimi" i tillë me, dhe pa meritë, duket se nuk ka të ndalur, ky avaz vazhdon edhe më tej, në forma të ndryshme!

Pos certifikatave falso për "kontribut" në luftë, tash e 20 vite, janë ndarë edhe Mirënjohje, Çmime, Dekorata e tituj të ndryshëm, pa dallim, për njerëz meritorë edhe për ata që pothuaj vetëm për familjet e tyre, një të mirë nuk ia kishin bërë vendit e popullit! Në komunën e Malishevës, gjatë viteve të pas luftës, tash e 20 vite, qeverisjet komunale, pos mirënjohjeve për ndonjë kontribut eventual, ndanë edhe Çmime tradicionale për çdo vit, shënim të përvjetorit festiv të Çlirimit. Janë ndarë çmime për trimëri e heroizëm, për kontribut në Arsim, dhe Shëndetësi! Ndër laureatë, kishte emra të respektuar, më pak meritorë, por edhe të atillë që kanë befasuar për të keq, të atillë, që madje ishin shquar për aktivitet dëmtues të interesit kombëtar, dhe si aktivistë të Gazimestanit famëkeq 1989! Dhe çuditërisht, në institucionet qeverisëse, ishin marrë për kuadro edhe vizitorët e Gazimestanit famëkeq. U sistemuan në segmente të rëndësishme apo u avancuan në pozita njerëzit që kishin qenë pjesëmarrës të Gazimestanit, vendit të shenjtë të lavdërimeve Millosheviqiane, në vitin kur Serbia kishte rrënuar-suprimuar me dhunë të drejtat kushtetuese të Kosovës dhe popullit me shumicë absolute shqiptare! Dhe në aktivitete të ndryshme, përvjetorë të të rënëve, ne prapë ndeshemi me fjalime megalomane, lavdërime të tepërta, me vlerësime tepër bajate, vetëlavderime dhe ndarje mirënjohjesh për "merita" e "merita"!

Edhe nga mediet, personalizohen meritat e njerëzve politikë, ish-komandantë të luftës, të cilët edhe vetëlavdërohen për "vizionin" e tyre edhe para 30 viteve, kur askush s'i njihte! Por vetëlavdërimi individual pa përmendur as edhe një emër shoku apo veprimtari, si më 30 janar 2020, në rrëfime retrospektivë për masakrën e forcave policore dhe ushtarake të ish-Jugisllavisë më 30 janar 1990 në Malishevë, edhe për ceremoninë e varrimit të martirëve, Ali D. Kryeziu, nga Bubaveci, e Hysni Avdullah Mzreku, nga Malisheva, dukej qartë se s'kishte të bënte me vertetësi! Jo vetëm vetëlavderimet pompoze, por edhe lavdërimet e tepërta, pavarësisht nga meritat, edhe mirënjohjet miqësore e të jaranisë, janë njëjtë, të dëmshme! Janë po aq të dëmshme, sa edhe barazimi i ish-ushtarit, luftëtarit të dalluar në luftë dhe dëshmorit të rënë në beteja, me tucat, dezertorët, matrapazët dhe ata që u vranë në rrethana të çuditshme në zonat e lira dhe për qëllime të caktuara.

As presidenti i vendit, nuk ka arsye që t'ju ndajë çmime, dekorata e tituj, atyre që nuk kanë biografi të pastër dhe histori të saktë për kontribut, qoftë para apo pas luftës Çlirimtare! Nuk ka logjikë të barazohen dëshmorët dhe heronjtë, me jo dëshmorë, me jo heronj, dezertorë dhe persona tepër kontraverz! Barazimi i figurave-personaliteteve të shquara, me ata që nuk ishin absolutisht në linjë të drejtë me popullin dhe interesat e shtetit të Kosovës, zbeh thellë edhe çmimet! Çdo përpjekje për histori falso e gënjeshtrash, do të na dëmtojë si popull, si shoqëri dhe si institucione!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat