Kujdes nga Albini, ai ju shkatërron!

Opinione

Kujdes nga Albini, ai ju shkatërron!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 31 janar 2020 Në ora: 16:07
Albin Kurti

Liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, ia kanë frikën shumë politikanë në Kosovë, sidomos ata që ishin në pushtet për vite me radhë.

Frika ndaj Albinit iu është shndërruar në ankth shumë personaliteteve politike në Kosovë.

Albin Kurti, nga opozita i ka frikësuar, andaj edhe nuk përballen me të.

Po tani, që ka fituar zgjedhjet dhe është i nominuar për kryeministër të Kosovës, frika nga ai sa rritet e shtohet.

Kurti, i thjeshtë dhe lider i padiskutueshëm i VV-së dhe model i partive të tjera për dijeni e mençuri, ka ngjallur reagime të shumta ndaj tij.

Nuk ka definicion tjetër për kundërshtarët politik, përveç frikës nga Kurtit.

Andaj, edhe deklaratat e shumta si në kohën e fushatës dhe tani në kohën kur Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje po synon të formoj Qeverinë, janë të frikshme dhe jo të sakta për të.

Kurti që me shumë bindje kishte treguar, sidomos LDK-së që nuk do të bënë koalicion me partitë e PAN-it, po i kthehet bumerang tani.

LDK-ja, duke e parë këtë pozicion të Kurtit, që nëse nuk bëhet me ta atëherë Kurti nuk do të zgjidhet kryeministër dhe kësisoj nuk do të merr pushtetin, kanë vendosur kushte të njëpasnjëshme, sidomos kushti për postin e Presidentit unifikues është përtej parimeve politike dhe deklaratave të LDK-së.

Si parti që thonë se nuk duan me çdo kusht pushtetin, ata po e shkelin këtë parim duke vetëm e vetëm për të marrë sa më shumë pushtet.

Së pari dëshirojnë të marrin postin e Presidentit, pastaj ministritë më të rëndësishme por duke mos u mjaftuar kjo ata po kërkojnë edhe postin e kryetarit të Kuvendit, ku për këtë post e votuan me shumë kënaqësi Glauk Konjufcën.

Albini e "hodhi" në opozitë edhe PDK-në, që kishte mijëra e mijëra vota të siguruara nga kapja e shtetit, duke përfshirë punëtorët nëpër të gjitha administratat e gjithashtu edhe mijëra persona që morën statusin e veteranit pa e merituar fare atë. Ky fakt tregon se LDK-ja është e privilegjuar nga LVV, pasi Kurti po të dojë mund ta shkatërroj edhe atë!

Frika që Lëvizja Vetëvendosje do të vjen në pushtet e kjo do të vendosen me 3 shkurt është shumë e madhe, jo vetëm për PAN-in por edhe për LDK-në.

Shkuarja në zgjedhje të reja vetëm sa do ta forconte LVV-në, e kjo padyshim që do ta dobësonte LDK-në, kur dihet mirë se çfarë përçarje ka brenda kësaj partie.

Normalisht që zgjedhjet nuk do të jenë të mira as për partitë tjera, përveç nëse ato bashkohen dhe e formojnë PAN-in 2.

E PAN-n 2, do të shkatërronte me themele Kosovën edhe aty ku ka filluar themelin!

Mirëpo për këtë do të jenë bashkëfajtore LVV-ja dhe LDK-ja, e veçanërisht LDK-ja e cila si e dyta po synon të përfitoj më shumë poste e ministri sesa partia e parë LVV-ja për të cilën asnjëherë nuk pranuar se ka fituar.

Zgjedhjet do ta shkatërrojnë LDK-në me vota, por për LDK-në kjo mund të jetë një përparësi edhe pse do të humbiste aq shumë.

LDK-ja si partnere e shpeshtë e partive të PAN-it në pushtet, do të arrinte koalicion me ta edhe pse pa asnjë kusht, por sa për të mbetur në pushtet, ashtu siç kishte vepruar në vitet e kaluara, sidomos pas shpalljes së pavarësisë e këndej.

Me të drejt edhe shtrohet pyetja se pse LDK-ja mos të kërkonte aq shumë poste ndaj LVV-së, kur me partitë e tjera e ka pushtetin  sigurt?

Por nuk është vetëm kjo, me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet, rrënjët e krimit të organizuar e korrupsionit do të fillonin të thaheshin, andaj secili që ka udhëhequr me shtetin e Kosovës, secili që ka pas ndikim në shtetformim por që ka devijuar nga rruga ligjore duhet të frikësohet. E këtu jo vetëm PAN-i por edhe një pjesë e LDK-së. Madje për kë bëhet fjalë dihet me emra e mbiemra.

Megjithatë, Kosova po vuan shumë nga ligjet që janë aktualisht. Ato duhet të ndryshohen dhe mos të iu jepen mundësi partive të vogla që nga asgjëja të ngritën në pushtet, vetëm për të ua bërë numrat fituesve.

Kosova ka nevojë për ndryshime të mëdha, e këto ndryshime nuk bëhet pa u ndryshuar edhe disa ligje, ku partia fituese e dalë nga zgjedhjet të ketë probleme për formimin e Qeverisë.

Megjithatë, 3 shkurti mund të hyj në ditën e festave të Kosovës, si ditë çlirimi pas dy dekadave të tmerrshme të cilat janë njolla e zezë në historinë e lavdishme të Kosovës! E kjo ditë, mund të ketë emrin Albin Kurti!

Por, nëse nuk ndodh kjo, dhe Kurti nuk e formon Qeverinë, atëherë ai do të bëhet më i fortë se kurrë, atë nuk e ndalin, ashtu siç nuk e ndalën kurrë hienat.

Koha e tij po vjen, populli u vetëdijesua! Kriminelët në burg, në Qeveri na duhen njerëz të dinjitetshëm me plotë mençuri!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat