Kurti, Osmani dhe politika e reciprocitetit

Opinione

Kurti, Osmani dhe politika e reciprocitetit

Skënder S. Kapiti Nga Skënder S. Kapiti Më 7 shkurt 2020 Në ora: 19:49
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Politika e reciprocitetit me Serbinë që kërkon Kurti dhe Osmani është në realitet e “de fakto” kërkesë dhe kusht që i vihet Serbisë për t’u deklaruar prej saj, njohja e shtetit të Kosovës.  Politika e reciprocitetit që kërkon Kurti-Osmani bën fjalë për reciprocitet politik, ekonomik ,tregtar etj., e që në fakt është edhe një politikë kundëvënjeje ndaj politikës së pabesë, djallëzore e inriguese antiKosovë që bën Beogradi duke lobuar kundër njohjeve ndërkombëtare dhe kundër integrimit të Kosovës në organizma dhe organizata ndërkombëtare. Kjo politikë e Kurtit dhe Osmanit është edhe si parakusht që i vihet Beogradit për bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi duke ia bërë të qartë edhe faktorit ndërkombëtar se kurrfarë avantazhi e tolerimi ndaj Serbisë në dëm të interesave të Kosovës në këto bisedime nuk do të ketë .

Marrëdhëniet ndështetërore janë marrëdhënie reciprociteti, barazie dhe jovasaliteti  të cilat nuk ndikojnë dhe  nuk imponojnë në marrëdhëniet multi dhe  bilaterale mes shtetve as  madhësia e territorit, as  fuqia ekonomike, ushtarake dhe as ajo financiare e tyre. Reciprociteti në marrëdhëniet ndërkombëtare ka të bëjë me imazhin kombetar e sovran dhe me personalitetin juridik te shtetit.

Reciprociteti është respekt dhe njohje e ndërsjelltë. Marrëdhënie apo marrëveshje reciprociteti  kanë kuptimin dhe praktikën e barazisë, pa imponime, pa paragjykime dhe të barabarta; si  dhe detyrime e të drejta reciproke.

Politika e reciprocitetit eshte barazi por edhe bashkëpunim e vartësi reciproke në lëmenj e fusha të ndryshme ndërkomunitare e ndërshtetërore si ekonomike, tregtare, politike, shtetërore, akademike, kulturore, sportive etj. Kur këto ralizohem seriozisht nga dy shtete të cilat edhe nëse nuk e kanë njohur akoma deklarativisht njëra-tjetrën, por kur zbatohen ato si të drejta e detyrime ndërmjet palëve atëhere ato i paraprijnë edhe njohjeve reciproke deklarative ndërmjet shteteve. 

Kjo përbën de fakto njohje ndërmjet shtetesh. Me reciprocitet kuptohet e thënë edhe drejtpërdrejt se: “do të sillem ashtu sic sillesh”, “do të respektoj ashtu si respekton, do të toleroj aq sa toleron, do të njoh ashtu sikurse edhe duhet të më njohësh”.

Politika e reciprocitetit ka të bëjë edhe me liritë dhe me standardet e pakicave dhe minorteteve kombëtare që jetojnë në vëndet respektive fqinjësore. P. sh. aq liri e të drejta që duhet të ketë minoriteti serb në Kosovë, po aq të drejta duhet të kenë edhe shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Shqipërisë gjithmonë i ka munguar politika e reciprocitetit gjatë këtij tranzicioni. Ajo nuk ka kushtëzuar asnjëherë marrëdhëniet e saj me fqinjët në mbrojtje të lirive e të të drejtave kombëtare të shqiptarëve në trojet e tyre. Madje edhe  shqiptarët e Kosovës politika e Tiranës në tërësinë e saj ajo i ka parë e konsideruar ata si minoritet derisa Kosova luftoi dhe fitoi Shtetin e vet. Dhe po kështu Shqipëria ka qenë e para e cila edhe e njohu shtetin e Maqedonisë pavarësisht se shqiptarët atje  trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë në regjimin shovinist të Gligorovit. Po ashtu Tirana kurrë nuk i kërkoi  Greqisë liri e  të drejta për  shqiptarët e Çamërisë, nuk kërkoi  për ta, ato të cilat Shqipëria ua ka dhënë minoritarëve grekë në Shqipëri. Edhe sot Shqipëria, politika e sotme e saj tregohet inferiore ndaj Serbisë e Greqisë. Prandaj politika e reciprocitetit e Kryeministrit Albin Kurti, përkrahur edhe nga Kryetarja e Parlamentit znj. Vjosa Osmani është politika e cila i ka munguar  politikës shqiptare. Pra me reciprocitet në marrëdhëniet Kosovë-Serbi kuptohet kjo që: politika shqiptare e Prishtinës,  do t’i përgjigjet Serbisë me të njëjtën “monedhë”, ashtu si e meriton.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat