Krimea e humbur dhe Kosova e fituar...

Opinione

Krimea e humbur dhe Kosova e fituar...

Nga: Rex Kasumaj Më: 8 shkurt 2020 Në ora: 10:54
Rex Kasumaj

1.
Një fjalë pas dyersh të mbyllura në Kiev, që, më pas mori dhénë, pretendon vulë epoke.

Mike Pompeo paskësh thënë: Ukrajina ka humbur Krimenë!

Dhe ky ishte, si me thënë, një dorëzim i dyfishtë: përballë hovit të Rusisë që do niste me Obamën inert dhe e dyta, tashmë përtej ligjeve e doktrinave, përballë së drejtës natyrale të popujve për vetëvendosje.

E fundmja, ndërkaq, ngjan paksa romantike, sepse në marrëdhëniet ndërkombëtare ky parim flijohet jetimërisht gjithmonë.

2.
Tani a ngjan e mundshme njëlloj simetrie e paralajmëruar: mes Krimesë së rianeksuar dhe Kosovës së çliruar?

Ashtu si Kosova që s'pat qenë kurrë territor etnik serb, as Krimeja nuk i përkiste ndonjëherë  Ukrajinës, përjashtimisht episodin sovjetik të Hrushovit (nga viti i largët 1954).

Si shkruan vetë serbi Mihalçiq, kur sllavët do  dyndeshin në Ballkan, gjetën aty ilirët, një fis i të cilëve mbijetoi dhe pasrendësit e tij do të quhen shqiptarë. Çfarë të thuhet tjetër? Megjithatë anipse mitit serb i ka rënë boja, të vërtetën duhet mësuar e përsëritur, si alfabet i lutjes, ditë e natë.

Ndërkaq, kush e ndërtoi flotën detare, mbase të parën në Europë? Dhe mbi frymëzimin strategjik të mbretëreshës së iluminuar ruse Katherina, e Madhja e gjakut gjerman (muzikonte shpesh dhe lexonte librat e teorisë politike të Monteskjesë e Volterit ëër të mprehur dijet politike)? Ishte princi Potemkin që do ngrinte atë pikërisht në Krime, m'një mot të hershëm (maj,1783), kur europianët e këndejuraleve nuk e kishin as idenë e tillë.

Mbi truallin e saj do pëftonin shumë flamuj dhe çizme ushtarësh e sherbëtorësh.  Mbi Kosovë, poashtu. Të fundit nga të dyjat do iknin osmanët. Veçse, megjithë njëjtësitë, ndërsa Krimea ishte përherë e veçuar e me banorësi autentike, Kosova pati gjithmonë popull shqiptar të prerë vonë nga trungu amtar.

Por pastaj, ndër vite, në kohë e me përligjje të ndryshme, ishte si përherë fuqia, e jo e drejta, që do t'i kthente ato: në shtet sovran, të parën dhe në amzën e vjetër të carëve, të dytën!

Mirëpo një kompensim i ndërsjellë gjeopolitik i Amerikës e Rusisë del, me gjasë, i palehtë. Sepse, thjeshtë, humbja e Kosovës për Serbinë domethënë humbje deshpëruese e Serbisë për Rusinë...E ashtu do të dobësohej apo, ndoshta, do të prishej akomodimi i interesit rus në Ballkan. Vështirë, gati punë që s'bëhet!

Vetë kryezoti i Kremlinit, në mbrojtje të aktit rianektiv, do të bënte fillimisht krahasimin me "shqiptarët e Kosovës"! Por, pas etablimit të zonës dhe plogëtisë perëndimore, ndryshoi shpejt qasjen që trondiste serbët. Tash mendimi politik rus është rinovuar e thotë: krahasimi çalon në dëm të Kosovës! 

3.
E kujtoj si parathënie fati. Aksiomë politike. Prorë. Ndërsa bisedonim njëherë për nyjën ballkanëse (viti 1991, Kodra e diellit, Prishtinë), Ukshin Hoti, profesori im i dashur, ideolog e martir i lirisë, më thoshte se pa një luftë të kufizuar e t'mbikqyrur nga aleatët dhe pa njohjen e Rusisë, nuk mund të ketë as çlirim dhe as pavarësi të plotë e kohëgjatë të Kosovës!

Profesori i naltnderuar nuk jeton më. Nuk i dihet as varri. Por unë, krahas pietetit të thellë, ruaj dhe kujtimin e fjalës së tij të artë.

Ndaj dhe shqiptarët duhet të konsiderojnë tepër vëmendshëm faktorin Rusi dhe, njëkohësisht, t'a kultivojnë si pemën e jetës aleancën e shènjtë me Amerikën!

Ky është realiteti të cilin të vegjëlit, nëse nuk e krijojnë dot, duhet t'a  adoptojnë: me përshtatje, dinakëri, aleanca dhe bashkim të mendjes e fuqisë.   Gjithnjë në ndjekje të yllit ndriçues të interesit kombëtar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat