Shumë e thjeshtë: Hiqe taksën, mos blejë - importo asnjë prodhim nga Serbia

Opinione

Shumë e thjeshtë: Hiqe taksën, mos blejë - importo asnjë prodhim nga Serbia

Nga: Rexhep Elezaj Më: 12 shkurt 2020 Në ora: 11:12

Debatet, zënkat, akuzat, fyerjet, kërcënimet si dhe prejudikimet banale drejtuar qeverisë “KURTI” lidhur me (mos)heqjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë, ende pa u bërë dy javë nga fillimi i punës së saj, janë bërë shumë neveritëse, deri në masën e një absurditeti ogurzi dhe i dëmshëm për qeverisjen normale të vendit.

Sepse, çdo shqiptar e ka pasur të qartë dhe është pajtuar, se taksa 100%-ind e vënë ndaj mallrave të Serbisë dhe BH, ka qenë një akt shumë i qëlluar i qeverisë “Haradinaj”, mbase edhe instrumenti i vetëm për t’iu kundërvënë politikës agresive dhe shoviniste të Beogradit zyrtar kundër Kosovës, i cili vazhdon ta pengon anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare si në UNESCO dhe Interpol, etj. Por, edhe kundër fushatës narcisoide të cilën ajo vazhdon të bëjë tek shumë shtete, kryesisht afrikane, për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës!

Dihet fare mirë, se këmbëngulja e ish kryeministrit R. Haradinaj për mos heqjen e taksës në fjalë, sidomos pas insistimit të vazhdueshëm të miqve amerikanë si dhe disa vendeve tjera evropiane, i ka kushtuar me rënien e qeverisë së tij në gjysmë të mandatit, dhe, një gjë të tillë ai ka mundur ta evitonte posikur të bashkëpunonte më ngushtë me miqtë tanë amerikanë!

Prandaj, insistimi i Ramushit, gjegjësisht presioni i tij që këto ditë po e bënë mbi kryeministrin e ri, z. Albin Kurti, që kurrsesi mos ta heq taksën ndaj mallrave të Serbisë, madje duke e injoruar, me apo pa vetëdije, kërkesën decidive të ambasadorit Grenell, si i dërguar special i presidentit Donald Trump në bisedimet Kosovë-Serbi, që qeveria jonë ta heq menjëherë taksën në fjalë, është sjellje e pastudiuar dhe analizuar mirë, e cila Kosovës mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë!

Nuk duhet harruar për asnjë çast, se Kosova është storja më e suksesshme e politikës së jashtme amerikane në 25 vitet e fundit, është rrëfimi më i dhimbshëm, por edhe më krenarë i presidentit Bill Clinton, sekretares Medeline Allbricht, gjen. V. Klark, kryeministrit anglez Tony Blair, kancelarit gjerman, G. Schröder, ministrit të jashtëm Joschak Fischer, etj., që me vullnetin dhe vendimin unanim të tyre është bombarduar Serbia, duke e çliruar Kosovën dhe popullin shqiptar nga vuajtjet dhe robëria shekullore e Serbisë gjenocidale. Këtë fakt historik populli shqiptar dhe qeveria e Kosovës, cila do qoftë në pushtet, kurrë nuk guxojnë ta harrojnë dhe as ta injorojnë.

Prandaj, në marrëveshje të ngushtë me ambasadorin Grenell dhe Departamentin amerikan, duhet gjetur zgjidhjen më të favorshme për heqjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë, qoftë me masat e reciprocitetit, siç ka propozuar kryeministri Albin Kurti, qoftë me masën dhe vendimin e prerë dhe unanim te të gjitha firmave dhe kompanive shqiptare në Kosovë, që mos të blejnë dhe importojnë asnjë artikull ushqimor, tekstil, bujqësor, industrial, apo çfarëdo qoftë tjetër. Pa dyshim, se ky do të ishte një akt patriotik si dhe masa më e mirë për “heqjen” e taksës, duke e plotësuar në të njëjtën kohë kërkesën e miqve tanë amerikanë, por edhe duke e zbatuar në vepër atë proverbin tonë popullor; “ujku i ngirë, delet në numër..” !?              

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat