Tri “shuplaka” të Kurtit për Vuçiqin, Thaçin dhe Ramën

Opinione

Tri “shuplaka” të Kurtit për Vuçiqin, Thaçin dhe Ramën

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 15 shkurt 2020 Në ora: 19:42
Albin Kurti, Hashim Thaçi, Vuçiq e Rama

Jo vetëm që i siguroi shqiptarët e Kosovës se nuk do të preket asnjë centimetër i territorit të Kosovës, por Albin Kurti i tregoi Brnabiqit, Vuçiqit dhe gjithë Serbisë se ne nuk jemi “të zbritur nga mali”, ashtu siç na quante kryeministrja serbe, por jemi pasardhësit e Naim Frashërit, Hasan Prishtinës, Ukshin Hotit e Ibrahim Rugovës.

Një oratori e qartë dhe e thellë, që askush nga liderët e tjerë Ballkanit nuk posedon, dhe një vendosmëri duke i pasur parasysh gjithmonë idealet e kombit, Albin Kurti bëri krenar të gjithë shqiptarizmin në Mynhen të Gjermanisë, ku prezent ishin zyrtarë të lartë nga e gjithë Evropa, përfshirë edhe SHBA-në.

Ndonëse hera e parë në këso takime, Kurti tregoi maturi e “gjuajti” larg me fjalët e tij, ku padyshim presioni e sikleti te Vuçiqi nuk do të mungonte. Për herë të parë Kosova u përfaqësua në takime ndërkombëtare nga një njeri me vlera e me dije të lartë, por që mungoi uniteti i paralajmëruar me Thaçin, ndonëse edhe ky i fundit ishte në takim. Para syve të tij, Albin Kurti deklaroi se një ndër kushtet e dialogut do të jetë “Jo harta me presidentët përreth”.

Kjo deklaratë e tij i bëri të qesh të gjithë në atë tryezë, një qeshje ajo e një konfirmimi se presidentët në dialog kishin tendenca për ndarje të Kosovës, e vet heshtja e tyre e vulosi këtë gjë.

Hartat larg tavolinës së bisedimeve do të thonë siguri edhe ecuri e qetë edhe për dëshmorët e Kosovës, të cilët viteve të fundit u lëviznin eshtrat kur bëhej fjalë për prekje kufijsh. T’i kërkojmë falje Preshevës që ndoshta nuk do të jetë nën kornizën e kufijve të Republikës së Kosovës, mirëpo ai pjesë nuk do të jetë kurrë e harruar nga askush, e aq më pak nga kryeministri Kurti, i cili me reciprocitet po ua mundëson atyre jetën më të lehtë në të dy anët e Kufirit.

1. S’ka marrëveshje pa dialog;

2. S’ka dialog me harta;

3. S’ka harta me presidentët përreth tyre.

Për herë të parë në histori kemi parime në dialog, e në krye të këtij të fundit e kemi një njeri të kombit, të pashantazhuar e të mençur. Ndonëse nuk e ka qëllimin të tillë, Kurti po dhuron spektakle jo nga mendjemadhësia e mendimi populistë, por nga mendimi shqip e kombëtar.

E një dhuratë të vogël për Shën Valentin ia bëri kryeministrit buzëngrysur të Shqipërisë, Edi Ramës, ku ia hodhi poshtë zyrtarisht të ashtuquajturin mini-shengen. Në vend të mini-shengenit, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për një mini-Marshall-plan sipas Kurtit, ide kjo që u prezantua për herë të parë për Ballkanin Perëndimor nga vet Albin Kurti.

Ai gjithashtu ia kujtoi Thaçit se është kryeministër i ri i vendit, ku vet Thaçi së bashku me dy punonjës të ish ministrit Pal Lekaj, nënshkruan marrëveshje hekurudhore me Serbinë, thua ti se Kosova nuk tash nuk ka njerëz për ta nënshkruar. Por ata nuk janë fajtor për këtë gjë, pasi ai veprim ishte asgjë më shumë se një vazhdë e veprimeve të dekadës që lamë pas, nënshkrime joprofesionale e me direktiva.

Një fillim i mbarë i Kurtit, ndonëse u duk si veteranë i këtyre takimeve!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat