Amnestimi i Serbisë për krimet dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve, do të ketë pasoja të pariparueshme për Kosovën

Opinione

Amnestimi i Serbisë për krimet dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve, do të ketë pasoja të pariparueshme për Kosovën

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 15 shkurt 2020 Në ora: 20:15
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Marrëveshja për hekurudhën dhe autostradën në mes Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar në Munih me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan, z. Richard Grenell në praninë e dy presidentëve, Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuqiçit, si dhe Konferenca për siguri në Evropë, nxorën në pah disa ravijëzime dhe divergjenca të reja në nivel të faktorëve ndërkombëtarë, por edhe në nivel të politikave nacionale shqiptare..!?

Po ashtu, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje me një urgjencë, sikur na e paralajmëron mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjes së madhe dhe “historike” midis Kosovës dhe Serbisë, dhe unë nuk besoj se kjo nguti po ndodhë për shkak të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, veçse për arsye strategjike amerikane në rajonin e Ballkanit si dhe më gjerë në Evropë dhe Azinë e largët!

Shkuarja e presidentit të Kosovës z. H. Thaçi, i pari në Munih, e kryeministrit z. Albin Kurti një ditë më pas, sidomos shkuarja pa paralajmërim e zv/kryeministrit të parë, z. Avdulla Hotit në Munih dhe takimi i tij me ambasadorin R. Grenell, me të drejt kanë shkaktuar disa pikëpyetje në opinion kosovar, se deri kur politikanët dhe udhëheqësit e Kosovës do vazhdojnë të zbatojnë dy-tri politika të ndryshme “nacionale” pa u koordinuar asnjëherë me njëri tjetrin..!?

Pra, shkuarja e udhëheqësve të Kosovës ndaras në tri delegacione në Konferencën e Munihut për siguri në Evropë, nxori po ashtu në pah faktin, se gazetaria dhe mediat kosovare janë vegla të (para)politikës, të cilat as që kishin marrë mundimin që në këtë konferencë shumë të rëndësishme për sigurinë në Evropë të dërgojnë ekipe të akredituara për ta informuar opinionin kosovar mbi rrjedhën dhe punimet e saj, duke u mjaftuar me citate dhe lajme të marra nga mediat serbe..!?

Mjerisht, takimet e disa përfaqësuesve tanë me liderë dhe faktorë kyç ndërkombëtarë, para dhe gjatë punimeve të kësaj konference, zbardhën edhe njëherë prapaskenat dhe kurthet e rrezikshme të cilat po vazhdojnë të luhen në dëm të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës!

Por, ajo që faktori politik shqiptar nuk duhet harruar kurrë, në çfarëdo rrethanash të reja ndërkombëtare, e që ka të bëjë me marrëveshjen finale për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, është fakti, se tendencat dhe politikat e inskenuara pas kulisave me të cilat Serbia do amnistohet pa dhënë asnjë llogari për krimet e saja kundër njerëzimit si dhe gjenocidin ndaj 2 milion shqiptarëve në Kosovë gjatë viteve 1990/99, me asnjë çmim nuk guxojnë të pranohen nga cilido udhëheqës politik shqiptar!

Për zbatimin e kësaj politike dhe strategjie kombëtare e vetmja formulë duhet të jetë fjalimi i kryeministrit z. Albin Kurti, në njërin nga panelet e kësaj konference, meqë rast i theksoi tri kushte kryesore për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë; “Jo marrëveshje pa dialog, jo dialog me harta dhe jo harta me presidentë rreth tyre”. Ngase, çfarëdo largimi nga këto qëndrime në dialogun e ardhshëm me Serbinë, shto kësaj kërkim faljen dhe reparacionet e luftës, pasojat për Kosovën dhe të ardhmen e saj evropiane do të jenë të pariparueshme..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat