Kosova, 12 vjet shtet

Opinione

Kosova, 12 vjet shtet

Nga: Hysen Neziri Më: 16 shkurt 2020 Në ora: 10:49
Hysen Neziri

Shqiptarët që nga fundi i shek.XIX kanë luftuar me penë, diplomaci dhe me armë për krijimin e një shteti etnik shqiptar në katër vilajete. Në saje të kësaj lufte të shqiptarëve, të përkrahjes së fuqishme të Austro-Hungarisë dhe aleatëve të saj, më 28 nëntor 1912, u shpall Shqipëria shtet i pavarur.

Shtet u bë Shqipëria në vetëm 28 mijë km katrorë. Shumica e trojeve dhe e popullsisë shqiptare mbeti jashtë këtij shteti. Shqiptarët nuk kishin luftuar për një shtet kaq të vogël. Megjithatë, krijimi i këtij shteti ishte një gëzim i madh për shqiptarë, sepse për herë të parë po krijohej një shtet shqiptar i pavarur. Në të njëjtën kohë ishte edhe një hidhërim dhe zhgënjim i madh, sepse shumica e trojeve dhe e popullsisë shqiptare ra nën pushtuesit e rinj sllavë dhe grekë, të cilët asnjëherë nuk i ndalën: dhunën, shpërnguljet dhe vrasjet ndaj shqiptarëve. Megjithatë, qe 108 vjet, Shqipëria e ka festuar 28 nëntorin si Ditë të Pavarësisë.

Edhe shqiptarët jashtë Shqipërisë (edhe pse ishin në robëri), varësisht prej kushteve dhe rrethanave, në mënyra të ndryshme e kanë festuar dhe vazhdojnë ta festojnë këtë datë. Dhe mirë bëjnë. Ia vlenë. Më 17 shkurt të vitit 2008 u shpall Pavarësia e Kosovës. Që të nesërmen filluan njohjet nga shtetet më të fuqishme të botës, nga sponsorizuesit e Pavarësisë dhe aleatët tjerë.

U krijua shteti i dytë shqiptar, pavarësisht që me eufemizma thuhet ndryshe, d.m.th. u plotësuan shumica idealeve shqiptare. Kjo u bë e mundur në saje të një lufte gati njëshekullore të shqiptarëve dhe bombardimit të Serbisë, 78 ditë, nga aleanca më e fuqishme ushtarake e botës (NATO) në krye me SHBA-të. Sot, mbi 80 % e shqiptarëve në Ballkan jetojnë në këto dy shtete. Për çdo 17 shkurt na vijnë telegrame urimi nga Presidenti i SHBA-ve, shtetit më të fuqishëm të botës; nga Mbretëresha e Britanisë së Madhe; Presidenti i Gjermanisë, i Francës dhe shumë shtete tjera. Te shumë shqiptarë të Kosovës e vëren një lloj ngurrimi, mëdyshje, hutimi, mos të them edhe frikë.

Nuk urojnë njëri-tjetrin sa dhe si duhet, nuk vendosin flamuj nëpër dyqane, nuk dërgojnë mesazhe sikur në festat fetare dhe ndërkombëtare, nuk organizojnë manifestime mjaftueshëm nëpër shkolla dhe institucione tjera edukative-arsimore. Me një fjalë, ende nuk po përjetohet, ndjehet dhe përbrendësohet, sa dhe si duhet kjo festë. Nuk dua ta nënçmoj asnjë festë, sepse secila e ka vlerën dhe rëndësinë e saj.

Por, cila festë është më e rëndësishme për Kosovën dhe shqiptarët, se Pavarësia e Kosovës nga Serbia?! E di që ky shtet i ri dhe i brishtë ka plot probleme, mangësi dhe sfida. Sidoqoftë, më 17 shkurt duhet të festojmë. Edhe tradita zakonore shqiptare nuk lejon që ta prish dasmën askush, madje as vdekja. Mbahet dasma, festohet, nusja vjen; pastaj varroset i vdekuri. Në 364 ditë tjera, mundemi të punojmë për ta ndryshuar gjendjen jo fort të lavdërueshme. Mos të harrojmë se ky truall për herë të parë në historinë tremijëvjeçare u bë shtet, më 17 shkurt 2008. Nëse di dikush, që kemi pasur ndonjë shtet tjetër në këto tremijë vjet, le të na thotë.

Veç mundet me na kallëzu përralla historike-letrare. Se, në këtë troll, qe tremijë vjet, veç janë ndërruar pushtuesit, herë më të egër, e herë pak më të butë, se të lirë e të pavarur asnjëherë s'kemi qenë. Pikërisht, pse s'kemi pasur asnjëherë shtet, nuk po dimë ta vlerësojmë tamam lirinë dhe pavarësinë e shumëpritur.

Dëshira ime për këtë 12 vjetor të Pavarësisë është, që këtë shtet: ta duam, ta ruajmë dhe ta bëjmë sa më të bukur e të zhvilluar, e jo ta injorojmë. Gëzuar 12 - vjetorin e Pavarësisë së Kosovës! Pranoni urimet e mia për një jetë më të mirë, më të begatë dhe më të lumtur!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat