Kush është në panik - Bota Sot
Kush është në panik

Opinione

Kush është në panik

Skender Musliu Nga Skender Musliu Më 21 shkurt 2020 Në ora: 19:16
Qeveria e Kosovës

Qeveria e re e Kosovës sapo filloi shkarkimet në Bordin e Telekomit dhe largimin e njerëzve partiak dhe familiar të qeverive të mëparshme, por menjëherë pa humbur kohë nisën edhe ankesat e opozitës duke e quajtur si hakmarrje politike.

Mirëpo nëse merren parasysh kushtet, rrethanat dhe mënyra e punësimit të tyre, atëherë shumë pak ka vend për shqetësime, sepse punësimi i tyrë është bërë, jo vetëm në baza partiake dhe familiare, por pa kurfar kriteri profesional dhe në kundërshtim me ligjin.

Me këto shkarkime dhe largime, duke shpresuar se ato janë parimore, bëhet fjalë për një proçes që quhet ç’kapje e shtetit nga keqpërdorimet dhe depolitizimi i Kompanive dhe institucioneve të rëndësishme të cilat i kanë shërbyer si intrument kastës politike për realizimin e qëllimeve partiake.

Ditëve dhe javëve në vijim do të jemi dëshmitar i demontimit të një strukture të organizuar piradimale partiake që është instaluar nga qeveritë suksesive që nga viti 1999 e këndej. Prandaj është mëse e nevojshme, urgjente dhe e shëndetshme largimi i njerëzve që i kanë shërbyer vetëm kastave politike e që kanë qenë në dëm të popullit, duke e plaçkitur dhe varfëruar tejmase ate.

Ditë më parë Qeveria e Kosovës shkarkoi Bordin e Telekomit për shkaqe të keqmenagjimit, punësimeve partiake dhe familiare si dhe humbjeve të mëdha financiare. Jo vetëm Telekomi por edhe shumë Kompani tjera publike më parë kanë qenë ndër ndërrmarjet më profitabile dhe më të suksesshme që kanë mbushur bugjetin e shtetit, kurse duke u përzier politika, ato janë shëndruar në barrë për Kosovën, prandaj edhe shkarkimi i tyre është i paevitueshëm.

Bordet e Kompanive publike me punësimet partiake, familiare dhe grupeve të interesit dhe me njerëz joprofesionist nga politika, sikur të kishin patur për qëllim zhvlefësimin e Kompanive deri në falimentim. Kështu, pas falimentimit, politikanët do ti privatizonin ato për shumë pak para, nga vet politikanët apo të afërmit e tyre, ashtu siç kanë vepruar me ndërmarjet tjera dhe tokat e koperativave bujqësore dhe tokat e shtetit.

Po ashtu edhe Ministria e Punëve të Jashtme filloi shkarkimet e disa konsujve. Këta konsuj ishin emëruar në kundështim me ligjin sepse Qeveria e Kosovës ka qenë në dorëheqje dhe nuk ka patur të drejtë t’a bëjë këtë. Përveç kësaj, emrimet e disa konsujve dhe ambasadorëve nga Qeveritë e mëparshme janë bërë pa kurfar kriteri,por vetëm në baza partiake dhe familiare, madje njerëz pa kurfar kredibiliteti,këshilltar dhe anëtar të kabinteteve të ministrave dhe zavendësministrave,pa përgatitje të duhur arsimore që në masë të madhe kanë degraduar dhe denigruar diplomacinë e Republikës së Kosovës, e pasojat janë evidente të cilat edhe po i vuajmë.

Shembulli më i mirë i korupsionit, nepotizmit dhe krimit të organizuar, dhe jo i vetmi, që tregon se si ka funksionuar sistemi piramidal i kësaj strukture të organizuar është edhe afera « Pronto ». Kjo aferë na mësoi se si janë përzgjedhur gjyqtarët, prokurorët, udhëheqësit e policisë, Bordet e Kompanive Publike. Kështu është kapur shteti, sepse krimi i organizuar dhe korupsioni politik ka mbetur i pandëshkuar, nga se vet këta i kanë emëruar gjyqëtarë dhe prokurorët duke neutralizuar drejtësinë.

Ajo çka është edhe më e keqja është se më të zëshmit në këto reagime janë disa komandant të vetshpallurit të luftës, të cilët në emër të luftës erdhën në pushtet dhe po ata Kosovën e sjellën në këtë gjendje të mjerueshme.

Tanit të gjithë ata që frikohen nga drejtesia kanë filluar të reagojnë, kinse kundër shkarkimeve, sepse atyre do t’u dalin në shesh keqpërdorimet sistematike që i kanë bërë dy dekada më rradhë.

Duhet ditur mirë se lufta ka mbaruar qe 21 vite dhe këta komandant duhet t’a ndalin diskursin e luftës, sepse vet këta i kanë lëne pa kurfar përkujdesje invalidët e luftës, ushtarët e vërtetë të lirisë që ishin në linjat e para të frontit dhe që ishin bartësit kryesor të luftës, jetojnë në kushte të mjerueshme dhe një pjesë e tyre u detyra të marrin botën nëpër këmbë, kurse « komandatët » e tyre, në emër të luftës u bënë milionera.

Disa komandant lavdërohen se kemi luftuar për ditën e sotme kurse kanë fjetur nëpër hotele, janë marrë me kontrabandë dhe u shëndruan në profitera të luftës.

Prandaj veprimet e paligjshme të klasës politike që nga viti 1999 duhet të rishqyrtohen dhe rishikohen duke përgatitur infrastrukturën ligjore për zbatimin e Vettingut, duke verifikuar të gjitha tenderat, pasuritë marramendëse që nga paslufta dhe të gjithë ata që nuk e justifikojnë ate, t’u konfiskohet pasuria dhe t’i kthehet popullit. Në proçesin e Vettingut, pa përjashtim, duhet të kalojnë politikanët, gjyqëtarët, prokurorët, policia, zyrtare të ndryshëm dhe të gjithë ata që nuk justifikopjnë pasurinë.

Vetëm në këtë mënyrë do të mund të kemi një klasë të re politike, një gjyqësor dhe prokurori më të pastër dhe një polici më profesionale dhe të pakoruptuar.

Është shumë e arsyeshme që Qeveria ndërmerr veprime të duhura për t’a demontuar këtë strukturtë të organizuar bëmëkeqe, sepse sovrani në zgjedhjet e fundit përmes votave e përzgjodhi qeverinë e re që t’i sjell këto ndryshime.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat