Thaçi, ky mashtrues i madh - Bota Sot
Thaçi, ky mashtrues i madh

Opinione

Thaçi, ky mashtrues i madh

Agim Vuniqi Nga Agim Vuniqi Më 23 shkurt 2020 Në ora: 16:56
Thaçi

Në lajmin e publikuar në media se, Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të takojë zyrtarë të lartë të administratës amerikane, është një mashtrim i radhës me opinionin e painformuar në Kosovë, duke shpenzuar parat e tatimpaguesëve të varfër kosovarë për të promovuar agjendën e tij personale. Ai si pretekst të vizitës ka theksuar prezentimin në dy debate për zhvillimet në Kosovë, që në fakt është përpjekje promovuese e vetvetes duke dashur ta largoi tehun e kritikës nga ai në qeverinë Kurti, pas mashtrimit skandaloz që ia bëri vendit, duke e turpëruar Kosovën në arenën ndërkombëtare me huqjen e tij në cicërrimën e radhës në “tweeter” për njohjen më të re të Kosovës nga Xhamajka, e cila u përgënjeshtrua nga ministrja e jashtme e këtij ishulli karibien. Ai jo që iu kërkoi falje qytetarëve për lajmin skandaloz, por ai përkundrazi e fajësoi ambasadoren e Republikës së Kosovës në SHBA, z. Vlora Çitakun.

Për ta kuptuar më qartë publiku për rolin destruktiv të presidentit le të shërbehemi me pak fakte për rolin e këtyre institucioneve jo qeveritare amerikane, që shërbejnë ndër të tjera edhe për promovimin e politikave të oligarkëve nga shtetet konstitucionalisht jo stabile sikurse është edhe Kosova. Për të qenë më bindës ai shkoqitë pjesëza të deklarimeve të zyrtarëve amerikanë vend e pavend sikurse “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rikthyer vëmendjen në zhvillimet në Kosovë dhe në rajon, duke u angazhuar për arritjen e marrëveshjes përfundimtare të paqes në mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për t’i hapur rrugë investimeve nga jashtë dhe zhvillimit ekonomik.” Në fakt presidenca nuk përmend asnjë fakt se me cilët zyrtarë të administratës Trump do të takohet! Ai vazhdon duke përmendur presidentin amerikanë, përkrahjen e Sekretarit Pompei dhe angazhimi i drejtpërdrejtë i të Dërguarit Special, ambasadorit Grenell, si inkurajuese ...

Mëtutje thuhet se presidenti Thaçi në Washington do të ketë prezantime edhe në dy debate për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, një në Brookings Institute dhe tjetrin në Atlantic Council, si dhe do të ketë takime në think-tanks me ndikim në politikën e jashtme të SHBA-së.

Për të kuptuar lexuesi vizitat e shpeshta të Thaçit si vizita private, të cilat vizita i paguan taxapaguesi I Kosovës duhet së paku të kenë njohuri si funksionojnë ato.

Këshilli Atlantik, që nga fillimi i tij, ka deklaruar se është një institucion jopartizan, me anëtarë "nga krahët e moderuar internacionalistë të të dy palëve" në Shtetet e Bashkuara. Megjithë lidhjet e tij, Këshilli është me statut të pavarur nga qeveria amerikane dhe NATO, një organizatë e regjistruar jofitimprurëse 501 (c) (3).

Në Shtator 2014, Eric Lipton raportoi në New York Times se që nga viti 2008, organizata amerikane kishte marrë donacione nga më shumë se njëzet e pesë qeveri të huaja. Lipton raporton se një donator i madh Bahaa Hariri u ankua në Këshill për kreun themelues të Qendrës Rafik Hariri për Lindjen e Mesme duke e quajtur rrëzimin e Mohamed Morsi në Egjipt një grusht shteti ushtarak. Katër muaj më vonë, kreu themelues dha dorëheqjen nga pozicioni i saj. 

Këshilli Atlantik prodhoi një raport që promovonte TTIP në vitin 2014 me mbështetjen financiare të FedEx, i cili njëkohësisht po lobonte Kongresin drejtpërdrejt për të ulur tarifat transatlantike. 

Në 2015 dhe 2016, tre donatorët më të mëdhenj, duke dhënë mbi 1 milion dollarë dollarë secili, ishin milioneri amerikan Adrienne Arsht (nënkryetari ekzekutiv), miliarderi libanez Bahaa Hariri (vëllai i largët i kryeministrit libanez Saad Hariri dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Oligarku ukrainas i Burisma Holdings (që ishte shkak i trysnis për ngritjes së hetimeve nga Kongresi në procesin e njohur si “Impeachment” që dështoi pas votës së republikanëve në senat) për të dhuroi 100,000 dollarë në vit për tre vjet në Këshillin Atlantik duke filluar në vitin 2016. Lista e plotë e sponsorëve financiarë përfshin shumë shqetësime ushtarake, financiare dhe të korporatave. 

Ndërsa Institucioni Brookings është një grup studimor amerikan i themeluar në vitin 1916 në Think Tank Row në Uashington, D.C. Kryen hulumtime dhe arsimim në shkencat sociale, kryesisht në ekonomi (dhe politikën e taksave), politikën metropolitane, qeverisjen, politikën e jashtme, ekonominë globale dhe zhvillimin ekonomik. Misioni i saj i deklaruar është të "ofrojë rekomandime inovative dhe praktike që avancojnë tre qëllime të gjera: forcimin e demokracisë amerikane; nxitjen e mirëqenies ekonomike dhe sociale, sigurinë dhe mundësinë e të gjithë amerikanëve dhe sigurimin e një sistemi ndërkombëtar më të hapur, të sigurt, të prosperuar dhe bashkëpunues.

Pyetja është kush e financon politikën vetëpromovuese dhe destruktive për vendin? A duhet të ndërhyjë auditori shtetërorë dhe të bëjë auditimin e financave të presidencës. Këtë përgjigje e do qytetari i Kosovës dhe a mundet Thaçi vazhdimisht të lajthitë qytetarët me broqkulla “Thaçi do të flasë për të arriturat e deritashme, për prioritetet e Kosovës dhe për sfidat e mundësitë në rrugën e integrimit euroatlantik”, kur dihet fakti se Kosova dështoi në të gjitha nismat për njohje ndërkombëtare.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat