Ibrahim Rugova - emblema e pavarësisë

Opinione

Ibrahim Rugova - emblema e pavarësisë

Gani Mehmetaj Nga Gani Mehmetaj Më 26 shkurt 2020 Në ora: 09:39
Presidenti Ibrahim Rugova

Presidenti Ibrahim Rugova ishte figura më emblematike jo vetëm në fazën e shpartallimit të ish-Jugosllavisë mbi rrënojat e së cilës po lindnin disa shtete të reja në Gadishullin Ilirik, por ishte figura më e fuqishme politike edhe në mileniumin e tretë. Përderisa Gadishulli Ilirik vlonte nga tronditjet e mëdha, Rugova u përcaktua për një formë tjetër të luftës dhe të veprimtarisë politike: kundërvënie me mjete paqësore dhe me krijimin e mekanizmave të shtetit paralel, që funksionoi në të gjitha segmentet vite me radhë. Vizioni i tij dhe i shqiptarëve të Kosovës tashmë ishte i qartë: shkëputje nga ish-Jugosllavia (shtet i pavarur), ose t’i bashkëngjiteshin Shqipërisë. Për të mos shkaktuar tronditje të mëdha dhe për të mos provokuar luftë, të cilës i druanin të gjithë, Rugova që në fillim të viteve të nëntëdhjeta e theksoi pavarësinë si kompromis. Në këtë rrugë të gjatë e të mundimshme pati shumë vështirësi, viktima, por u krijuan aleancat si asnjëherë më parë. Mbështetja ndërkombëtare forcohej gjithnjë e më shumë.

Presidenti Rugova pati merita të mëdha, sepse që në fillim kërkoi mbështetjen e SHBA-ve e të Evropës Perëndimore, në mënyrë që të shkëputeshim nga lidhja fatale me Lindjen, ku nuk e kishim vendin dhe ku shqiptarët e ndjenin veten keq.
Takimet me liderë euro perëndimorë e të SHBA-ve, në këtë funksion ishin, sikurse që ishte në këtë funksion edhe miqësia me Papa Gjon Palin e Dytë. Dhe kjo miqësi e forcoi edhe mbështetjen ndërkombëtare në situata krizash me përmasa të mëdha. Eksodi ishte ndër krizat më të rënda të kombit tonë.

Është vështirë që ky personalitet të krahasohej me cilindo nga figurat historike shqiptare, sepse ishte ndryshe nga ta dhe njëkohësisht ishte sublimim i disa syresh. Por edhe koha ishte tjetër. Dr Rugova, intelektual i shquar, emër i njohur i letrave shqipe, me kulturë perëndimore, i cili në vitet e shtatëdhjeta solli frymë të re në Prishtinë, me sjelljen fine dhe erudicionin e tij , gëzoi besimin dhe mbështetjen e madhe ndër shqiptarë. Nuk doli në sipërfaqe rastësisht dhe nuk mbeti në skenën politike falë rastësisë.

Besimtarët e devotshëm shpesh thonë se atë e solli fryma e shenjtë, dhuratë shqiptarëve të përvuajtur. Ylli i tij filloi të shkëlqejë në qiellin e errësuar në fund të viteve të tetëdhjeta, përkatësisht në fillim të viteve të nëntëdhjeta. Ndërkaq, besimin e bashkëkombësve e mori me guximin e tij për të mbrojtur Kosovën derisa të tjerët ngurronin apo prisnin zhvillimin e ngjarjeve.

Në zgjedhjet e para presidenciale mori shumicën absolute të votave dhe u bë president i Kosovës. Këtë besim e mori edhe në zgjedhjet e dyta presidenciale. Ishte kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në ish- Jugosllavi, ishte figura politike më e popullarizuar në rajon dhe figura më e urryer në Serbi dhe te pjesa e integralistëve jugosllavë (titistëve), të cilët ende shpresonin se do ta shpëtonin Jugosllavinë.

Miqësia me Papa Gjon Palin dhe Vaclav Havelin

Rugova dhe Haveli, intelektual që u futën në politik i dhanë ngjyrim të veçantë skenës politike të çoroditur të ish botës socialiste që po shpartallohej. Miqësia me ish- disidentin Havel, nuk ishte e rastësishme, sikurse nuk ishte e rastësishme as miqësia me Papa Gjon Palin e Dytë. Që të tre kolosët u takonin vendeve të shtypura aq egërsisht nga rusët, përkatësisht serbët. Pra, që të tre kishin kaluar nëpër një rrugë të vështirë jetësore për të dalë në sipërfaqe dhe për të mbrojtur me vendosmëri kombet e tyre, por edhe kombet e shtypura të botës.

Disa e lavdëronin Rugovën për këmbënguljen e tij të vazhdueshme, të tjerët për filozofinë politike dhe për mençurinë për t’u kundërvënë diktaturës më të egër në Evropë në një mënyrë krejtësisht ndryshe. Qëndrimi i tij politik u bë proverbial. Por kishte nga ata që e kritikonin, sepse nuk pranonte kompromise, kështu që sipas tyre e rrezikonte paqen në Gadishullin Ilirik. Të kërkosh pavarësi për shqiptarët e Kosovës do të thoshte të provokosh Serbinë për luftë, thoshin ata me panik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat