Thirrje opozitës: Mos e shani Albin Kurtin dhe qeverinë e re, jepni asaj/atij së paku 100 ditë.. - Bota Sot
Thirrje opozitës: Mos e shani Albin Kurtin dhe qeverinë e re, jepni asaj/atij së paku 100 ditë..

Opinione

Thirrje opozitës: Mos e shani Albin Kurtin dhe qeverinë e re, jepni asaj/atij së paku 100 ditë..

Nga: Rexhep Elezaj Më: 26 shkurt 2020 Në ora: 13:54
Rexhep Elezaj

Ende nuk janë bërë mirë tri javë qëkur koalicioni qeverisës LVV – LDK në krye me z. Albin Kurtin, kryeministër, e ka marrë mbi supet e veta zyrtarisht qeverisjen e vendit, ndërsa kritikat, gjegjësisht sharjet, ofendimet dhe akuzat e pabaza, sulmet si dhe fjalori denigrues ndaj qeverisë “KURTI” nga njerëz të tri partive opozitare, PDK-së, AAK-së dhe NISMA-së, për fat të keq nuk kanë të ndalur..!?

Motoja kryesore e sovranit, e dëgjuar kudo në Kosovë para dhe gjatë fushatës zgjedhore (shtator-tetor 2019) ishte; “Ta provojmë kësaj radhe LVV-je dhe Albin Kurtin, t’ia japim votën, sepse partitë tjera i kemi provuar deri tash..”, seç ma kujton apriori, atë aksiomën e Revolucionit francez (1789 - 1799), që ishte një ndër ngjarjet më të suksesshme të historisë evropiane; "Liberté, égalité, fraternité" – “Liri, Barazi, Vëllazëri”, e që pa dyshim ka mbetur postulati themelor i demokracive evropiane sot e ndër mote. Mbase, kjo drejtësi ka mbetur dhe është kriteri bazik për vlerësimin e real-politikës nga bërësit e saj kudo në Evropë, një vagë matëse për çdo sistem-rend shoqëror-juridik, qoftë ai i djathtë apo i majtë. Ngase, po ashtu edhe në kohët moderne, liria, drejtësia dhe solidariteti u bënë vlera themelore të shoqërive të lira dhe demokratike.

Nisur nga ky parim, tani më universal në gjitha vendet demokratike, fillon dhe mbaron suksesi e çdo shoqërie dhe shteti, e që sipas vlerësimeve të shumë analistëve politikë vendorë dhe ndërkombëtarë, qëkur Kosova është çliruar dhe deri më sot, këto tri shtylla kryesore të barazisë, lirisë dhe drejtësisë të dala nga filozofia e Revolucionit francez, “Liri, Barazi, Vëllazëri”, fare pak, e ndoshta aspak, nuk janë zbatuar brenda shoqërisë tonë të dalë nga një luftë e tmerrshme shkatërrimtare, për shkakun kryesor, sepse në pushtet erdhën “parti” dhe “liderë” me biografi dhe bagazhe politike të pa verifikuara nga populli, pra nga sovrani, i cili deri në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, nuk është pyetur për asgjë, madje zëri i tij është ndrydhur brutalisht, egërsisht e padrejtësisht, deri në shkallën e sjelljes së tij në gjendje të varfërisë ekstreme, kurse mediokret përbindësh gllabëruan çdo gjë të gjallë që iu doli përpara, pa u ngopur kurrë me pasurinë e vjedhur që ia bënë popullit dhe shtetit “të tyre”, për të cilin gjoja kishin sakrifikuar edhe jetën..!?

Këta oligarkë të paskrupullt ishin dhe do mbetën në historinë e re të Kosovës si aktorët dhe fajtorët kryesorë të  së keqes më të madhe e cila e kishte goditur Kosovën pas gjenocidit serb (1989-1999) që i ndodhi popullit shqiptar pas LDB-re. Prandaj, ishte votuesi shqiptar, gjegjësisht sovrani ai i cili pas 20 viteve në “liri” me 6 tetor 2019 foli më zërin e tij autokton, duke ia dhënë me shumicë votën Lëvizjes “Vetëvendosje” në krye me z. Albin Kurtin, si dhe LDK-së në krye me znj. Vjosa Osmanin, të cilët si dy kandidatët për kryeministra të vendit morën më së shumti vota; Albini mori 184.000, ndërsa Vjosa 163.000 vota!

Me këtë rast ia bëjmë me dije edhe njëherë tri partive opozitare (AAK, PDK, NISMA), se “Vox populli, vox Dei”, “Zëri i popullit është Zëri i Zotit”, andaj respektoni votën e sovranit, jepni shans proceseve demokratike në Kosovë, jepni 100 ditë qeverisë së re “KURTI” që ta fillon punën në qetësi, që të konsolidohet juridikisht, institucionalisht dhe ekonomikisht, që të starton punën nga zeroja, nga kaosi i pashembullt në të cilin ju e keni lënë popullin dhe shtetin e Kosovës.

Mos shani dhe mos kritikoni Albin Kurtin dhe qeverinë e re nga inatet personale, mos u bëni gazi i botës duke folur pa lidhje, sepse edhe ashtu kemi mbetur populli dhe vendi më getoizuar në Evropë, për të cilin faj çdo politikanë që ka sado pak moral, do jepte përgjegjësi personale para popullit për dështimet, keqqeverisjen dhe katandisjen e Kosovës në grupin e vendeve më të varfra dhe më të pazhvilluara në botë..!? 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat