Heqja e taksës në mënyrë suksesive, është vendim inteligjent dhe shtetëror i kryeministrit Albin Kurti..!

Opinione

Heqja e taksës në mënyrë suksesive, është vendim inteligjent dhe shtetëror i kryeministrit Albin Kurti..!

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 28 shkurt 2020 Në ora: 11:40
Albin Kurti

Nuk ka dyshim, se njëri nga defektet më të dëmshme që i ka përcjellë vendimet kruciale të qeverive dhe udhëheqësve shtetëror të Kosovës deri me ardhjen e qeverisë “KURTI” me 3 shkurt në pushtet, ka qenë injoranca, mungesa e analizave paraprake, ngutia, lehtësia si dhe jo qëndrueshmëria e vendimeve gjatë zbatimit të tyre në praktikë. Dhe, për këtë mund të sillen si ilustrim i keq me dhjetëra vendime dhe dekrete të qeverive të mëparshme, të cilat ose nuk janë zbatuar fare, ose pjesërisht, dhe ku efekti i tyre në teren ka qenë barazi me zero, siç janë p.sh. vendimet për funksionalizimin e xeherores “Trepça”, të KED-sit, ai për ndërtimin e autostradës së “Dugagjinit” deri në fund të vitit 2018, ai për ndërtimin e “Kosovës së Re”, etj. etj. !?

Nuk më ka rastisur ndonjëherë që të lexoj, ose të dëgjoj, se ndonjë shtet, e më së paku Serbia, që vendimet shtetërore të cilat kanë të bëjnë me raportet ekonomike, tregtare dhe politike, sidomos në rastin e bojkoteve të mallrave, bllokadave dhe sanksioneve ekonomike një shtet ndaj tjetrit, t’i kenë hequr ose zbutur ato me një të ramë brisku ose thike. Sepse, kudo në botë vendimet e kësaj natyre ndryshojnë dhe hiqen dalëngadalë dhe hap pas hapit, duke filluar nga nevojat primare siç janë lëndët e para për ekonomi, dhe natyrisht duke i vënë kushte palës së bllokuar, se po qese nuk i respekton kërkesat e palës bllokuese, masat ndëshkuese do të rikthehen, pikërisht ashtu siç bëri dje kryeministri ynë, z. Albin Kurti.

Pra, vendimi i djeshëm i kryeministrit Kurti, përveç se ishte vendim i guximshëm i një burrë shtetasi, ishte krejtësisht në harmoni me logjikën dhe natyrën e vendimeve, kur një shtet zbaton masa ekonomike dhe tregtare ndaj një shteti tjetër, sikur me rastin e taksës sonë të vendosur ndaj Serbisë, heqja e të cilës, po qese bëhet, atëherë duhet të bëhet në formë dhe mënyrë, pikërisht ashtu siç veproi dje kryeministri Kurti, e jo atë të hiqet përnjëherë, ashtu siç po kërkon partneri i koalicionit qeverisës, LDK-ja!

Taksa, apo tarifa ndaj Serbisë nuk mund të hiqej e tëra dhe pa kushte, sepse do ishte një gabim fatal për Kosovën, sidomos nëse heqja e saj nuk do kushtëzohej me disa vendime që palën kundërshtare e detyrojnë t’i zbatojë ato, dhe jo bllanko Serbia të lirohet nga ndëshkimi, duke e amnistuar kështu Beogradin zyrtar nga fajet dhe propaganda e saj fashiste që vazhdon ta bëjë kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj..!?

Është tejet i gabuar qëndrimi i zv/kryeministrit të parë, z. Hoti, i cili mbrëmë deklaroi se taksa duhet të hiqet menjëherë dhe pa kushte, sepse të dëgjosh një qëndrim të tillë nga një profesor universiteti dhe funksionar i lartë i shtetit, se taksa duhet hequr pa kushte ndaj Serbisë, vërtetë mund të kualifikohet si skandaloze, sepse është edhe në kundërshtim të plotë me qëllimet e vendosjes së saj para më shumë se një viti, e cila siç dihet ishte vendosur si masë ndëshkuese ndaj Serbisë, e jo thjeshtë si masë ekonomike dhe tregtare..!?

Kështu që, vendimin e kryeministrit Albin Kurti për largimin e taksës-tarifës në mënyrë sukcesive, me kushte dhe afate të caktuara kohore, duhet mbështetur nga të gjitha strukturat shtetërore, të bindur se ishte ky një vendim shumë i guximshëm dhe inteligjent shtetëror, i cili është plotësisht në harmoni me ligjet dhe normat ndërkombëtare, ashtu siç parashihen në rastet e sanksioneve dhe bojkoteve tregtare dhe ekonomike, e që të tilla raste në botë kemi pasur me qindra..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat