Një president, i cili fyen dhe ofendon kryeministrin e vendit të vetë, ai duhet shkarkuar urgjentisht..!?

Opinione

Një president, i cili fyen dhe ofendon kryeministrin e vendit të vetë, ai duhet shkarkuar urgjentisht..!?

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 13 mars 2020 Në ora: 15:08
Albin Kurti

Një popull, cilido qoftë ai, që ka një president si Hashim Thaçi, vërtetë është i pa fat dhe i nëmur nga vetvetja dhe historia. Ndaj, për t’i dhënë shpjegime më të plota këtij konstatimi, së paku duhet shkruar një libër prej qindra faqesh për “të mirat” që ky njeri ia bërë dhe sjellë Kosovës dhe shqiptarëve, qëkur është kyçur në LPK-në në Zvicër si azilkërkues dhe deri në këto çaste.

Por, në këtë shkrim analitik do ndalemi vetëm tek vokabulari i tij prej presidentit të Kosovës, tepër i ultë, fyes, i pakulturuar, denigrues dhe shumë shpifës ndaj Albin Kurtit, kryeministër aktual i Kosovës, i zgjedhur me votat e popullit me 6 tetor 2019. Pra, fjalori i Hashimit, para se t’i dedikohet Albinit, në fakt e zbulon shpirtin, moralin dhe karakterin e tij prej njeriut me deficite dhe komplekse të mëdha prej individi me vlera shumë të kufizuara njerëzore, kombëtare dhe politike!

Nuk është fare e vërtetë, se Albin Kurti është njeri i frustruar, gënjeshtar dhe mashtrues, ngase po të kishte qenë i tillë, populli nuk do ta kishte votuar dy herë me numrin më të madh të votave, në vitin 2017, votuesit i dhanë 163 mijë, ndërsa me 2019 i dhanë 184 mijë vota, ngase askund në botë nuk ka popull budalla dhe anti-vetvetja e vetë!

Albin Kurti, nuk është as frikacak dhe as djallëzor, as ai i cili po e përçan politikën dhe institucionet e Kosovës, përkundrazi, është trim dhe i guximshëm, dhe, këto dy vlera i ka dëshmuar qëkur iu doli përball, si student me 1997, tanksave dhe autoblindave serbe disa herë. Nuk iu është frikësuar torturave as në burgjet serbe, përkundrazi ka thënë mu në bankën e të gjykuarit politik, vetëm se ishte shqiptar, “se nuk e njeh gjykatën e Serbisë, por vetëm gjykatat e Republikës së Kosovës..”. Dhe, sot e kësaj dite Albini iu ka qëndruar stoik bindjeve të tij antifashiste kundër shtetit dhe regjimit okupues dhe kriminal të Serbisë në Kosovë!

Albin Kurti, kurrë nuk e ka përqesh dhe sabotuar shtetin e Kosovës, përkundrazi ka vepruar dhe luftuar i paepur, duke qenë i pari në krye të demonstratave kundër UNMIK-ut, i cili nuk e njihte shtetin e pavarur të Republikës së Kosovës, por as sot e kësaj dite!

Albin Kurti, nuk është njeri paranojak, sepse kur flet për marrëveshjen sekrete Kosovë-Serbi, nuk e pranon copëtimin e serishëm të Kosovës, duke ia dhënë Veriun e saj Serbisë, për ta marrë si kompensim (ndoshta) vetëm Preshevën, edhe ashtu qytet dhe toka këto shqiptare, sikur që është pajtuar Hashim Thaçi me Vuçiqin për ndarjen e Kosovës në takime sekrete në Nish dhe gjetiu!

Albin Kurti, as në Vjenë, as në Prishtinë nuk ka qenë kundër administratës G. Bush. Përkundrazi, ka qenë kundër Kushtetutës së Ahttisarit, e cila Kosovën nuk e bënte plotësisht shtet të pavarur, duke i dhënë pakicës serbe Asociacionin e komunave, e që më vonë në Bruksel u bë “Zajdenicë” serbe, me gati kompetenca ekzekutive, po mos të ishte vendimi i Gjykatës tonë kushtetuese. Albini me të drejt ka qenë kundër që Kosova të administrohet nga UNMIK-u pro-serb, edhe ashtu i dështuar në Kosovë!

Albin Kurti, e ka kundërshtuar me këmbëngulje dhe me gaz lotsjellës në Kuvend marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, të cilën e ka nënshkruar vetë Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Skënder Hyseni në Vjenë me 26 gusht 2015, me të cilën marrëveshje MZ i janë falur mbi 8200 hektarë toka të Kosovës. Dhe, Administrata Obama-Biden, as që është marrë me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi!

Albin Kurti, nuk ka qenë kurrë kundër Amerikës në kohën e Konferencës së Rambujesë, sepse asokohe ishte në moshë të re, por siç dihet kundër marrëveshjes së Rambujesë ka qenë Adem Demaçi, me të cilin H. Thaçi është takuar dhe është këshilluar në Lubjanë, duke e shtyrë nënshkrimin e saj për tri javë më vonë. Ndërsa mbrëmë në një debat televiziv, z. Veton Surroi, tha se H. Thaçi paskësh qenë kundër nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë, pra paska qenë qysh herët (1999) anti-amerikan!

Albin Kurti, kurrë nuk ka qenë në anën e kundërt të Amerikës, sepse asnjëherë pas luftës çlirimtare dhe deri më 3 Shkurt 2020, nuk ka qenë në pushtet, dhe, kur në Washington këto ditë Hashimi takohej me A. Vuçiqin për të nënshkruar marrëveshje sekrete për ndarjen e Kosovës, kjo nuk donë të thotë, se ai është anti-amerikan, vetëm se e kundërshtonte Hashim Thaçin që të mos nënshkruajë marrëveshje për ndërrim territoresh me Serbinë!

Albin Kurti, kurrë nuk ka qenë në anën e kundërt të historisë, përkundrazi ka qëndruar midis popullit në Prishtinë në vitin 1997-99, kur për një fjalë goje të shkonte koka, pra si sekretar i Zyrës së zëdhënësit të UÇK-së, Adem Demaçit, e jo sikur disa komisarë të luftës të cilët qëndronin në “Rogner” të Tiranës, 350 km larg popullit dhe frontit!

Albin Kurti, ka qenë stoik kundër formimit të Dhomave të gjykatës speciale në Hagë për krimet e supozuara të UÇK-së gjatë luftës, mbase dihet mirëfilli se kush dhe me presionin e kujt deputetët e Kuvendit të Kosovës u detyruan që ta votojnë atë gjykatë antishqiptare. Kush tjetër, veçse se Hashim Thaçi, asokohe kryeministër e Kosovës, etj. Etj.!

Lexues të nderuar, gjykoni vetë se cili prej këtyre dy politikanëve tanë ka qenë në anën e kundërte të popullit dhe të historisë, sepse Historia nuk falë, ajo gjykon drejtë dhe pa anime ndaj askujt..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat