Sfidat e UÇK-së?! 

Opinione

Sfidat e UÇK-së?! 

Nga: Jakup Krasniqi Më: 19 mars 2020 Në ora: 09:29
Jakup Krasniqi

Këto ditë në një portal informativ, lexova një titull: “Sfidat e UÇK-së?! U habita kur e pash këtë gjysmë titulli, u habita, sa nuk e dija për cilin vit po flitej a shkruhej. Më vonë e pash se po mendohej për vitin 1998 e 1999. Atëherë kur vërtetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës e populli shqiptar të Kosovës kishin shumë sfida dhe secila ishte më e rëndë se tjetra. Por, ato sfida i përkasin se kaluarës. Nuk i mohoj sfidat as në ditët tona, por ato në asnjë mënyrë nuk do të janë sfida të UÇK-së. Kushdo që mendon kështu, e cilido qoftë qëndrimi i sotshëm a i djeshëm për UCK-në e kanë gabim. Se nëse do të ketë sfida ato do të jenë të  Forcave të Armatosura të Kosovës (FSK-së), te Sistemit të Drejtësisë, të institucioneve shtetërore të Kosovës së Pavarur, Sovrane e Demokratike dhe e krerëve të këtyre institucioneve, ndonëse këta të fundit janë goxha të çakorduar dhe të çakorduar si është më keq?!

Sa interesant janë bashkëkombësit e mi. Pas njëzet viteve flasin për sfidat e UÇK-së?! Më pas, e pash se po mendohej për një sfidë të pjellë nga vetë shqiptarët, ata që i përfaqësojnë në institucionin përfaqësues, në Kuvendin e Kosovës?!  Dhe tash: Nëse dikush e quan sfidë  për UÇK-në, Gjykatën Speciale të Kosovës me seli në Hagë, ajo përsëri nuk është sfidë për UÇK-në, është sfidë për politikën institucionale në Kosovë, e sidomos për ata që luftën për t’u çliruar nuk do të bënin kurrë. Pasi këta të fundit gjithçka që kanë në jetë i kanë dhuratë nga të tjerët. Lirinë e kanë dhuratë nga UCK-ja dhe NATO-ja. Nga ata njerëzit me integritet, që një pjesë e tyre nuk janë më në mesin tonë! Ndërsa, nëse vendi ndodhet përsëri para ndonjë sfide të re, kam bindjen se përsëri do të jetë brumi tradicional i Lëvizjes Klandestine Kombëtare  për Çlirim e Bashkim, qe do t’i përgjigjet çdo sfide të re që mund t’i vij vendit e kombit shqiptar. Brumi i sehirxhinjve nuk janë për sfida të reja ashtu siç nuk ishin as për ato që i kaluam.

Është vetëm një e vërtetë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në kohën e veprimit të saj, kishte sfida të brendshme dhe të jashtme që nga lindja e saj, më 30 dhjetor të vitit 1991, në Prekaz të Drenicës, aty ku kanë lindur të gjitha sfidat faqebardha që nga koha e sëpatës se Ahmet Delisë (1912/1913) e krejt deri të pushka e Adem Legjendarit. Bile mund të themi se shekulli XX ishte shekulli i Prekazit i filluar në vitin 1903 në Drenicë. Mbase, në sfidat e reja, në shekullin e ri, në mileniumin e tretë, do të del ndonjë Prekaz a Drenicë tjetër në Kosovë?! Dhe kjo do të ishte krejt normale. Normale, nëse normalisht mësohet historia?!

Po një gjë dihet. Drenica e Prekazi me drenicaset e prekaziotet aty janë dhe janë gjithherë gati! Sa herë që t’i thërras zëri i Atdheut dhe i mbrojtës se kombit dhe të shtetit! Ndonëse, në njëzet vitet e fundit nuk ishin vetvetja?! Mbase, këtyre viteve e kanë nxjerrë mësimin e duhur?!

Kosova po i pret njerëzit e virtytshëm, Ata që nuk i kanë kalkulatorë nëpër xhepa! Ata, udhëheqësit e virtytshëm,  ende nuk i kemi parë n’virtytin e tyre! Në demokraci, vetëm zgjedhësit mund t’ua hapë atyre rrugën e qeverisjes së virtytshme. Sa janë të gatshëm zgjedhësit e vetëmashtruar? Është tjetër gjë! Në fund të fundit, vendi qeveriset nga brumi që e ka! Për momentin, brumë tjetër si po duket nuk kemi! Besoj që këtë po e shohim të gjithë! Veç atyre që vrapojnë pas vetëmashtrimit.

Me gjithat shpresa ka, pasi thonë: se kjo vdesë e fundit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat