Me largimin e tarifës ndaj Serbisë, kryeministri Albin Kurti, e hoqi "gjarprin" që ia kishte lënë rreth qafës ish qeveria e PAN-it!?

Opinione

Me largimin e tarifës ndaj Serbisë, kryeministri Albin Kurti, e hoqi "gjarprin" që ia kishte lënë rreth qafës ish qeveria e PAN-it!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 21 mars 2020 Në ora: 11:17
Rexhep Elezaj

Heqja e pjesshme e taksës ndaj Serbisë me shumicë votash në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, pa votat e LDK-së dhe me abstenimin e Listës Serbe, është pa dyshim, vendimi më i guximshëm që ka mundur ta merr një kryeministër i Kosovës, kur kihen parasysh rrethanat jashtëzakonisht të komplikuara politike dhe sociale në Kosovë, përfshirë këtu gjendjen emergjente për shkak të përhapjes së pandemisë globale të Korona virusit edhe në vendin tonë.

Vendosja e tarifës 100% në Nëntor 2018 ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës nga ana e qeverisë “Haradinaj” pa asnjë analizë paraprake politike dhe ekonomike, siç dihet jo vetëm në Kosovë, nxiti qindra debate dhe analiza “Pro-et-Contra”, të cilat Kosovës i morën kohë të pakthyeshme, që rezultuan me humbje të mëdha për ekonominë dhe zhvillimin e Kosovës, sidomos dëmtuan tej mase imazhin e saj në qarqet ndërkombëtare në Evropë dhe më gjerë!

Sepse, çdo qeveri e mirëfilltë dhe profesionale kudo në botë, kurrë nuk merr vendime refleksive dhe instiktive, pa marrë parasysh llojin e provokimeve nga jashtë dhe në cilindo fushëveprim të jetës së qytetarit, pa i bërë mirë analizat dhe studimet paraprake lidhur me shkaqet, motivet, hilet, përfitimet si dhe skenarët e palës së kundërt, siç ishte rasti me vënien e tarifës për shkak të sjelljeve agresive të Beogradit zyrtar në qarqet ndërkombëtare për ç’njohjet e pavarësisë së Kosovës.

Ishte pikërisht kjo logjika dhe pikëpamja e drejt dhe fundamentale e kryeministrit, z. Albin Kurti, i cili ende pa ardhur në pushtet me dhjetëra herë e kishte ngritur zërin në seancat e Kuvendit të Kosovës dhe kishte kërkuar që  gjitha marrëveshjet me Serbinë të nënshkruara në Bruksel  nga H. Thaçi dhe A. Vuçiqi (33 sosh) duhet të rishikohen, analizohen e shumë sosh edhe të abrogohen, ngase ato nuk kishin qenë paraprakisht në diskutim publik dhe as në Kuvend, meqë ishin jo transparente, madje-madje shumë të dëmshme për Kosovën, siç ishte ajo për “Zajednicën” serbe dhe shumë të tjera..!?

Pra, ajo që dëshiroj të potencoj, është fakti, se sikur ish qeveria(itë) PAN të kishte qenë në nivel të detyrave të saja kushtetuese dhe profesionale, po sikur ajo ta kishte udhëhequr vetë dialogun me Serbinë, e jo presidenti H. Thaçi i vetëm dhe pa ekip ekspertësh, në asnjë rast të mundshëm nuk do kishte ndodhur që Beogradi zyrtar t’ia imponojë hilet dhe kushtet e veta Brukselit zyrtar si dhe palës shqiptare në negociata. I njëjti gabim dhe i njëjti dështim i ish qeverisë “Haradinaj” ka ndodhur edhe në planin e (mos)lobimit të duhur, lexo: MPJ-me, e cila ka qenë absolut pasive dhe e paaftë në ruajtjen e miqësisë dhe marrëdhënieve me 116 shtete të cilat deri atëherë e kishin njohur pavarësinë e Kosovës. Përkundrazi, ish qeveria dhe përfaqësitë tona diplomatike në botë, së bashku me mekanizmat tjera shtetërore, kishin dështuar plotësisht në planin e fushatës diplomatike, së pari për rritjen e numrit të njohjeve të reja, dhe së dyti, mbase më me rëndësi se edhe e para, e kishte detyrë mbi detyra luftën dhe demaskimin e diplomacisë së Serbisë në qarqet dhe forumet ndërkombëtare. Sepse, jam shumë i sigurt, se po të ishte punuar me sukses në këtë plan me rëndësi kyçe për forcimin e pavarësisë së Kosovës në botë, diplomacia serbe kurrë nuk do ia dilte të shënonte suksese në planin e ç’njohjeve, kështu që me këtë qasje të suksesshme nuk do vinte kurrë tek vendosja e tarifës-taksës ndaj mallrave të Serbisë, si një masë e imponuar ndëshkuese dhe hakmarrëse!

Pra, të gjitha këto gabime, dështime politike dhe diplomatike, harxhime dhe keqpërdorime enorme të buxhetit të shtetit, çarje dhe grindje të pafund politike midis subjekteve partiake, dështimet në ekonomi, tregti dhe fusha tjera të shtet ndërtimit, pastaj rritja e varfërisë ekstreme, korrupsionit, nepotizmit, krimit të organizuar etj., t’i liheshin rreth qafe si gjarpër Albin Kurtit, sidomos mos heqja e tarifës-taksës ndaj Serbinë nga ish kryeministri R. Haradinaj, pra me një fjalë t’i shkarkohej mbi supe e gjithë kjo barrë e rënd një njeriu të dëlirë, të moralshëm, një politikani të ri dhe energjik, posa e kishte marrë postin e kryeministrit, i papërvojë të mjaftuar në udhëheqjen me shtetin, i cili mbanë emrin Alin Kurti, ose siç thotë populli; “t’i lihen këmbët e ariut në dorë..” në rrethana politike dhe ekonomike jashtëzakonisht të rënda, disa muaj pas rënies së qeverisë “Haradinaj”, pikërisht për shkak se nuk e hoqi taksën, duke ia lanë në dorë këtë hekur të skuqur Albin Kurtit, ishte pa asnjë dyshim, pafytyrësia dhe imoraliteti më i madh i kastës së kaluar politike dhe qeverisëse..!?

Prandaj, kryeministri Albin Kurti, me heqjen e pjesshme në mbledhjen e djeshme të qeverisë të tarifës-taksës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës, dëshmoi katërçipërisht guximin, largpamësinë, vizionin, aftësinë politike dhe intelektuale të tij, por edhe shtetërore, se kur janë në pyetje interesat e Kosovës, edhe pse i ri në detyrën e kryeministrit, dinë të marrë hapa të mençur dhe vendimtarë, duke sjellë vendime në favor të kauzës shtetërore të Kosovës, por edhe duke ua plotësuar kërkesat miqve tanë evropianë dhe amerikanë.

Ky është pra Albin Kurti, njeriu i cili ka vizion, taktikë, strategji dhe aftësi politike dhe profesionale për ta udhëhequr qeverinë dhe shtetin e Kosovës drejt sukseseve dhe fitoreve të reja! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat