Tregoni Hashim Thaçit se Republika e Kosovës ka sistem juridik parlamentar e jo republikan!

Opinione

Tregoni Hashim Thaçit se Republika e Kosovës ka sistem juridik parlamentar e jo republikan!

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 24 mars 2020 Në ora: 19:22
Hashim Thaçi

Në Nenin 4. të Kushtetutës sonë shkruan:

“Kosova është Republikë demokratike e bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit në mes tyre, sikurse është përcaktuar me këtë Kushtetutë”.

Pra, Republika e Kosovës ka sistem juridik të qeverisjes së drejtpërdrejt, i cili buron nga sovrani përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike, e që nënkupton shtetin modern, të bazuar në ndarjen e pushteteve, ku çdo organ shtetëror vet-kufizohet në ushtrimin e funksioneve të tij. Karakteristikë kryesore e sistemit parlamentar është se Parlamenti, si organ i përfaqësueseve të popullit, është mbajtësi i pushtetit më të lartë në shtet dhe rendin juridik dhe politik.

Nga ky parim buron parimi tjetër që ekzekutivi (Qeveria) e merr mandatin nga Parlamenti dhe puna e saj kontrollohet drejtpërdrejt nga Parlamenti, si dhe puna e kreut të shtetit, pra e presidentit. Andaj, ky sistem quhet parlamentar, ngase parlamenti është organi më i lartë shtetëror vendimmarrës, nga ku dalin dhe aprovohen të gjitha ligjet, vendimet, dekretet, etj., por edhe ku përcaktohen politikat e brendshme zhvillimore si dhe plani dhe strategjia e politikës së jashtme. Me një fjalë, pushteti legjislativ ushtrohet nga Parlamenti si organ përfaqësues i vullnetit të populli-sovranit.

Po ashtu, presidenti zgjedhet nga Parlamenti, vetëm atij i përgjigjet, dhe kryesisht është figurë cerebrale që përfaqëson unitetin e popullit, pra ushtron detyrat e parapara me Kushtetutë.

Se, presidenti nuk është institucion shtetëror i pavarur dhe vendimmarrës, këtë e tregon qartë Kushtetuta aktuale në disa nene të saj, p. sh. Neni 84. Pika 22, ku për presidentin thuhet: “Vendos për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, në konsultim me Kryeministrin”, pastaj Neni, 131 [Gjendja e Jashtëzakonshme] Pika 3. “Nëse paraqitet nevoja për marrjen e masave emergjente të mbrojtjes, Presidenti i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me Kryeministrin, shpall gjendjen e jashtëzakonshme. Me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, Presidenti i Republikës së Kosovës shpallë menjëherë dekretin, i cili përcakton natyrën e kërcënimit dhe çfarëdo kufizimi për të drejtat dhe liritë. Brenda dyzet e tetë (48) orësh, Kuvendi mund të japë pëlqimin me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti i Presidentit nuk ka forcë as efekt”. 

Ndërsa pika 20 e të njëjtit Nen thotë: “Emëron Komandantin e Forcave të Sigurisë të Kosovës, pas rekomandimit të Kryeministrit”.

Pika 7. nga i njëjti Nen.: “Presidenti i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me Qeverinë dhe Kuvendin, mund të urdhërojë mobilizimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, për të ndihmuar në gjendjen e jashtëzakonshme”..!

I sollëm më lartë këto fakte kushtetuese për t’ia shpjeguar presidentit z. H. Thaçi, këshilltarëve të tij që nuk e kuptojnë drejt tekstin e Kushtetutës, si dhe gjithë atyre që e përkrahin atë si dhe përzierjen e tij të drejtpërdrejt në kompetencat e Kuvendit dhe të Qeverisë, se Institucioni që ai përfaqëson sipas Kushtetutës aktuale të Republikës së Kosovës, pra Presidenca, është kategori kushtetuese që përfaqëson shtetin, si organ reprezentues, simbolik, bashkues dhe bën gardianin e funksionimit të mirë të shtetit, por që nuk ka asnjë ingerencë ekzekutuese dhe vendimmarrëse pa u konsultuar dhe bashkëpunuar me Kuvendin dhe me qeverinë.

Dhe, kujtdo që kjo i duket si e pavërtetë, këto fakte mund t’i verifikojnë duke i konsultuar ekspertët juridik dhe kushtetues të Gjermanisë, e cila ka sistemin më të avancuar juridik-ligjvënës si dhe më bashkëkohor juridik parlamentar në gjithë Evropën.

Në Gjermani, çdo nëpunës zyrtar shtetëror në çdo nivel qeverisës, nga ai komunal, republikan e deri në nivelin më të lartë federativ, në zyre e mbajnë Kushtetutën e shtypur në një format të vogël, e cila është e shenjtë për çdo qytetar gjerman, po aq sa është vetë Bibla, derisa në Kosovë Kushtetuta e saj nuk lexohet pothuajse fare, ajo komentohet sipas dëshirave dhe interesave personale, partiake dhe politike, duke e shkelur atë çdo ditë që nga kreu i shtetit e deri tek qatipi më i vogël nëpër komuna..!? 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat