Devijimi i dialogut Serbi-Kosovë tek ekonomia favorizon Serbinë

Opinione

Devijimi i dialogut Serbi-Kosovë tek ekonomia favorizon Serbinë

Shaban Murati Nga Shaban Murati Më 25 mars 2020 Në ora: 07:34
Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq

Nuk dihet se si dinamika e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë humbi rrugën e vet normale të përfundimit me njohjen reciproke të dy shteteve dhe hyri në një shteg pa krye të diskutimit të çeshtjeve ekonomike. Kthesa është e madhe nga vija normale diplomatike e përcaktuar me kushtin vendosur Serbisë prej BE se pa njohjen e Kosovës nuk mund të anëtarësohet në BE, dhe me kushtin e njohjes së Kosovës, që presidenti i SHBA, Trump, përcaktoi në telegramin e tij dërguar presidentit të Serbisë, A.Vuçiç, me rastin e festës kombëtare serbe.

Duhet thënë që në fillim se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjene konfliktit të ngrirë midis tyre nuk është ekonomik, por është diplomatik, sepse duhet trajtuar si status bisedimesh midis dy shteteve. Nuk është e qartë se si këto dy vitete fundit, kur dialogu zyrtar është pezulluar dhe vazhdon midis dy presidentëve,kjo tezë e karakterit ekonomik të dialogut u shfaq në axhendën diplomatike nga qarqe filoserbe të diplomacisë europiane apo nga një ndjenjë bezdie e diplomacisë ndërkombëtare për një dialog me fund të hapur. Evërteta është se një devijim strategjik të dialogut nga diplomatik në ekonomik e ka synuar dhe e synon Serbia. Në një intervistë para pak ditësh në ”Foreign Policy” presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi lidhur me dialogun midis Serbisë dhe Kosovës:”Unë po kërkoj të vendosim lidhje më të mira ekonomike, me të cilat ne do të fillojmë të mirkuptojmë njeri-tjetrin. Dhe ne kemi nevojë për dialogun për të arritur këtë”.

Qëllimi dhe strategjia e presidentit serb dhe e diplomacisë serbe shfaqet qartë se është futja e Kosovës në gropëne zezë të së kaluarës, për vendosjen e raporteve më të mira midis metropolitserb dhe ish kolonisë në planin ekonomik dhe me premtimin e zbrazët të një mirëqënie më të lartë ekonomike, që  ta bëjë Kosovën të harrojë se është shtet i pavarur dhe ta mbyllë odisenë e dialogut me pranimine statusit, që i ka dhënë asaj Kushtetuta e Serbisë. Ajo, që e bën më të habitëshme dhe më të rrezikëshme situatën, është fakti se këtë tezë serbe e sheh si qendër të dialogut edhe ndonjë udhëheqës kryesor në Kosovë, i cili në datën 8 mars përhapte në rrjetet sociale qendrimin se “ne po bisedojmë me Serbinë t’i japim fund një konflikti 100 vjecar duke u fokusuar në zhvillimin ekonomik”.

Ta çvendosësh qendrën e dialogut për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nga njohja reciproke te diskutimi i lidhjeve ekonomike, tregtare dhe infrastrukturore, është të tallesh me pavarësinë e Kosovës,me të drejtën,historinë dhe lirinë e saj. Nuk mund të ketë cinizëm më të madh diplomatik se sa të deklarosh se qëllimi i dialogut Serbi-Kosovë është hapja e vendeve të punës. Para së gjithash duhet thënë se kjo platformë dhe objektiv ekonomik i dialogut midis Serbisë dhe Kosovës është një shfajsim i plotë për Serbinë, për agresionin, për spastrimin etnik dhe gjithë pushtimin rreth 90 vjeçar serb tëKosovës. Është një indulgjencë e krimeve që ka kryer Serbia, e cila nga lufta e vitit 1999 me popullin e Kosovës dhe me NATO-n doli si një shtet i mundur. Në të njejtën kohë është një deformimi historisë së shtypjes dhe të masakraveserbe, të cilat na dalin tani si keqkuptime të krijuara nga raportet e padrejta ekonomike midis metropolit serb dhe ish-kolonisë kosovare.

E përsërisim se normalizimi përfundimtar i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë nuk është problem ekonomik, por është problem diplomatik, që don të thotë problem midis dy shteteve fqinjë, që nuk e njohin njeri-tjetrin dhe që duhet ta njohin. Njohja e Kosovës nga Serbia duhet të jetë në mënyrë të parevokueshme prioriteti numur një i Kosovës në dialog. Ai është dera e parë e madhe, që duhet të hapet për normalizimin, dhe siç e kam theksuar vazhdimisht në shkrimet e miavetëm pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dy shtetet mund tëdiskutojnë në tavolinë si dy shtete të pavarura dhe sovrane çeshtjet, që ata mendojnë se duhen zgjidhur midis tyre.

Trajtimi i dialogut si platformë bisedimesh ekonomike për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve e fut Kosovën në një qorrsokak diplomatik dhe gjeopolitik. Ai favorizon Serbinë dhe pretendimin e saj kolonialist mbi Kosovën. Atë devijim të dialogut e hedh poshtë historia e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës nga 1912 deri në 1999, e hedh poshtë historia e shembjes së Jugosllavisë, e hedh poshtë praktika dhe historia moderne e marrëdhënieve ndërkombëtare në Europë. Argumentet kundër fokusimit të dialogut tek ekonomia janë të shumta.

Përvoja e Kosovës. Kosova ka qenë pjesë e federatës jugosllave të drejtuar nga Serbia, ka qene pjesë e ekonomisë serbe, dhe ka qenë rajoni më i varfër i Jugosllavisë. Nuk fitoi asgjë Kosova dhe as zhvillimi i saj ekonomik nga lidhjet e ngushta ekonomike me Serbinë në federatë dhe as ngalidhjet rrugore, hekurudhore dhe ajrore me Serbinë. Pas çlirimit nga pushtimi serb në 1999 dhe pas konstituimit si shtet i pavarur, të cilin e legalizoi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin  2010, Kosova dhe Serbia nisën dialogun në Bruksel me ndërmjetësimin e BE. Një dialog, që zgjati shtatë vjet dhe u fokusua në çeshtjet ekonomike, administrative dhe teknike. Nuk ekzistonte taksa e Kosovës mbi mallrat serbe gjatë shtatë viteve të këtij dialogu, dhe ai dialog ekonomiko-teknik veçse shmangu dialogun e vërtetë politik dhe diplomatik midis dy shteteve, që duhej të kishte përfunduar me njohjen diplomatike të Kosovës. Por dikush në Bruksel dhe në ndonjë kryeqytet tjetër europian luante partiturën serbe.

Përvoja jugosllave. Shtetet, që dolën nga ish Jugosllavia nuk diskutuan zhvillimin ekonomik dhe lidhjet ekonomike me Serbinë para se tënjiheshin si shtete të pavarura nga Beogradi. Konferenca e Dejtonit vulosi njohjen e detyrueshme nga Serbia të shteteve, që dolën nga federata jugosllave, dhe diplomacia ndërkombëtare nuk u kërkoi atyre shteteve të diskutonin kufijtë, territoret, lidhjet ekonomike apo infrastrukturore para njohjes diplomatike. Serbia kishte debat të hapur për kufijtë me Kroacinë, me Bosnjën, me Maqedoninë, por nuk u shtruan as këto grindje dhe as lidhjet ekonomike për shtetet e reja. Ahere përse u dashka që të impostohet në të kundërtdialogu midis Serbisë dhe Kosovës dhe të diskutojë kufijtë dhe zhvillimin ekonomik para njohjes dhe pastaj të dalë ku të dale. Kuptohet se një formulim i tillë i axhendës së bisedimeve përbën diskriminim ndaj Kosovës dhe favorizim ndaj Serbisë, për ta lënë në kalendat greke çeshtjen themelore të njohjes reciproke midis dy shteteve. Unë nuk kam qenë asnjëherë dakord në takimet e mia diplomatike me tezën se BE dhe SHBA nuk i kanë mjetet për ta detyruar Serbinë që të pranojë realitetin e ri politik dhe gjeopolitik me njohjen e shtetit tëpavarur të Kosovës. Serbia ka refuzuar të njohë edhe shtetin e pavarur të Kroacisë, Sllovenisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe të Maqedonisë, por Perëndimi e detyroi që t’i njihte.  Ata, që detyruan presidentin kriminel Millosheviç të nënshkruante pa dëshirë largimin nga Kosova dhe më vonë nga pushteti, mund të kishin detyruar edhe ish-ministrin e tij, presidentin e sotëm Vuçiç të ndiqte shembullin e babait të vet politik, nëse nuk pranonte njohjen e Kosovës.

Përvoja europiane. Tezat infantile diplomatike se, duke krijuar lidhje ekonomike dhe duke shkëmbyer më shumë nëtregti apo duke hapur disa vende pune do të zgjidhet konflikti midis Kosovës dhe Serbisë, përgënjeshtrohen nga historia e re europiane. Nuk është ekonomia që shkatërroi federatën jugosllave dhe nuk është ekonomia, që i shtyri Kroacinë, Slloveninë, Bosnjën,etj. të kërkonin pavarësinë e tyre. Mjafton të shohim rastin e Katalonjës dhe të Skocisë, të cilat janë ndër rajonet më të zhvilluara në shtetine tyre dhe me standartet mëlarta ekonomike, dhe prapë kërkojnë pavarësinë. Ndajështë naive të mendosh se duke rritur rrogat e duke hapur vende pune nga lidhjet ekonomike me Serbinë, Kosova duhet të heqë dorë nga e drejta për pavarësi dhe liri.

Devijimi dhe fokusimi i dialogut tek ekonomia dhe jo tek diplomacia midis dy shteteve sovrane, nuk do t’u shërbente interesave jetike kombëtare të popullit dhe të shtetit të Kosovës. Ndaj çdo qeveri e Kosovës duhet të ketë parasysh se prioriteti numur një i dialogut dhe i çdo marrëveshje me Serbinë është njohja e Kosovës si shtet i pavarur. Serbia duhet të bëjë hapin, që bëri me Slloveninë,me Kroacinë,me Bosnjë-Hercegovinën, me Maqedoninë dhe me Malin e Zi. Shteti dhe populli i Kosovës nuk mund të pranojnë të jenë kompensimi i Serbisë për humbjen e sundimit të saj në federatën jugosllave./Dita

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat