Ata të cilët e rrëzuan qeverinë Kurti janë armiq të Kosovës dhe ardhmërisë së saj evropiane..!

Opinione

Ata të cilët e rrëzuan qeverinë Kurti janë armiq të Kosovës dhe ardhmërisë së saj evropiane..!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 26 mars 2020 Në ora: 14:37
Rexhep Elezaj

Nuk ka dyshim, se akti i votimit mbrëmë në Parlament të mocionit për rrëzimin e qeverisë “Kurti” me votat e 82 deputetëve, në mesin e tyre edhe “Lista Serbe”, ka qenë  skenar i përgatitur qysh me kohë nga armiq të përbetuar të kombit shqiptar si dhe nga vasalë dhe mercenarë shqiptarë të dirigjuar nga Beogradi, me qëllim të zhbërjes së pavarësisë së Kosovës si dhe copëtimit të territorit të saj për ta dobësuar atë sa më shumë si faktor shqiptar në Ballkan.

Vasalët e politikës antishqiptare të Serbisë në Kosovë, janë ende në shërbim të Beogradit, të cilët si surrogat politik të komunizmit serbo-ruso-sllav në Ballkan, që nga pas Lufta e Dytë Botërore (1941-45) e deri dje, mjerisht nuk po i lënë asnjëherë që forcat patriotike dhe atdhetare në Kosovë dhe Shqipëri të punojnë të lira në të mirën e atdheut, sikur që ishte lufta agresive kundër presidentit Ibrahim Rugova (1990-99), ndaj të cilit tri herë u bë atentat, siç e rrëzuan dje edhe qeverinë e re të ndryshimit në krye me Albin Kurtin, e dalë nga votat e popullit-sovranit me 6 tetor 2019..!?

Se kemi të bëjmë me skenarë të kurdisura në Beograd dhe të zbatuara në Kosovë dhe Shqipëri nga vasalë dhe marioneta të armiqve shekullor të shqiptarëve, mjaftojnë dy rastet e sipër përmendura që ta kuptojmë realitetin, se bërja e Kosovës shtet të dytë dhe të pavarur shqiptar në Ballkan, e çliruar nga kthetrat fashiste të regjimit kriminal të Beogradit, si vepra më madhore e filozofisë politike dhe nacionale shqiptare, e udhëhequr nga elita intelektuale e Kosovës në krye me akad. Fehmi Aganin, presidentin Ibrahim Rugova dhe shumë të tjerë, e cila u arrit me shumë gjak dhe sakrifica, por edhe falë ndihmës së miqve tanë perëndimorë. Pra, forcat atdhetare dhe patriotike të Kosovës asnjëherë nuk u lanë të qeta që të punojnë lirshëm për të mirën dhe interesat e Kosovës dhe shqiptarisë, as që të rritet natyrshëm për të ecur e lirë drejt cakut nacional, si aspiratë shekullore e një kombi për t’u bashkuar në një shtet etnik, sikur gjithë popujt tjerë të Evropës!

Vetë fakti se kush iu gëzua mbrëmë në Prishtinë, Beograd dhe Tiranë, rrëzimit të qeverisë “Kurti”, flet për shumëçka lidhur me skenarët, aktorët dhe zbatuesit e politikës antishqiptare në Ballkan, siç dëshmon edhe për tradhtinë që mercenarët faqezi po vazhdojnë ta bëjnë kundër saj, por të cilët asnjëherë nuk mund të vinin në pushtet pa ndihmën e padronëve të tyre në Beograd. Historia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë në masë të madhe është ndërtuar nga diktati dhe ndikimi i Beogradit ndaj faktorit politik shqiptar në Ballkan, duke vendosur në pushtet politikanë shqiptarë me orientime të qarta pro-serbe. Dhe, këtë fakt nuk mund ta mohon askush, sepse siç dihet për lidhjet e ngushta “vëllazërore” serbo-shqiptare kanë shkruar shumë historianë shqiptarë dhe të hauj!

Vetë kryeministri Albin Kurti, disa herë e përsëriti mbrëmë para foltores së Kuvendit, se në Kosovë para pak ditësh ka pasur tentim për puç nga ana e Hashim Thaçit, se veç ekziston një marrëveshje sekrete midis këtij të fundit dhe Aleksandar Vuçiqit për këmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë, gjë të cilën Albini nuk do e pranon me asnjë çmim. Andaj, kjo dëshmon qartë qëndrimin e tyre, se pengesë kryesore për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje është Albin Kurti, të cilin dje me urdhër të shefave të partive të tyre, 82 deputet e rrëzuan nga posti i kryeministrit për t’i hapur rrugë një qeverie vasale, e cila do ta nënshkruajë marrëveshjen sekrete me të cilën, siç raportojnë disa media ndërkombëtare, pjesa me e madhe e veriut të Kosovës do i jepet Serbisë, ndërsa Kosovës do i bashkëngjitet qyteti i Preshevës me disa fshatra!

Një gjë është e sigurt, se populli shqiptar i Kosovës, Albin Kurti si dhe disa subjekte politike, kurrë nuk do të lejojnë ndarjen e Kosovës dhe copëtimin e saj të ri, brenda të cilës do instalohet, siç po përflitet, “Vatikani” serb, ngase gjaku i mbi 15 mijë shqiptarëve të vrarë vetëm në luftën e fundit, do i mallkon përjetësisht ata të cilët do nënshkruajnë një marrëveshje të tillë..!? 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat