O popull, a ende mendoni t’iu besoni votën këtyre njerëzve?!

Opinione

O popull, a ende mendoni t’iu besoni votën këtyre njerëzve?!

Nga: Lirim Begzati Më: 26 mars 2020 Në ora: 16:03
Lirim Begzati

Një teatër i llojit të vetë. Një kulminacion paaftësish dhe i arrogancës. Një demonstrim fyerjeje dhe injorance. Një dëshirë e pashuar për pushtet. Një patriotizëm i çuditshëm apo inekzistent. Një emërues i përbashkët i gjithë kësaj: një kaos i paparë “budallakish”!

Jo, nuk kishim të bëjmë aspak me një debat të vërtet mbi mosbesimin ndaj një qeveria. Aty nuk pamë gati se asgjë për me ia pasur lakmi, përveç dëshirës për rimarrjen e pushtetit, dëshirën për me u rintegruar sërish në pozitat e mëparshme, dëshirën për me vepruar shpejtë, dhe të mos lejohet “humbja e kohës” apo konsolidimi i statusit të tjerëve.

Kjo u tregua përmes shprehjes së njëfarë “patriotizmi” individual të llojit të vetë, i cili buron nga ato që meritat e tyre i shohin aq lartë, në piedestale, sa që është e paimagjinueshme sot për to që dikush t’iu zë vendin. Ata mendojnë se janë më të mençurit, më meritorët, dhe vetëm përmes tyre, mund të shkohet përpara në këtë Kosovën tonë! Sipas tyre, të tjerët nuk “vyjnë” gjë!.

Ditën e djeshme u shprehën shumë sende. Aq shumë sa që shpesh u dha përshtypja se në momente të caktuara nuk kuptonim fare se për çka bisedohej aty. Jo, kërkojmë ndjesë, u kuptua diçka; u kuptua dëshira e flaktë për me rrëzuar një qeveri që i pengon dikujt. Ndërkohë, edhe dëshira e flaktë e disave për me treguar se ato ende “ekzistojnë”, se ende janë “legjenda”, se ata janë shpëtimtarët nga krizat!

U përmend Amerika, Evropa, kufijtë, vizat, e shumë të tjera. Nuk u kuptua asgjë nga e gjithë kjo. Jo, kërkojmë ndjesë edhe për këtë, pasi që u kuptua diçka; u kuptua se gjendemi vërtetë në gjendje të mjerueshme. Në një gjendje që kërkon ndryshime të madhe. Me keqardhje, nuk dimë nga me ia nisur, se janë shumë!

Luftën, guximin, patriotizmin, disa e mbajnë gjithmonë në gojë. “Keni luftuar për vendin tuaj. Përse keni nevojë të na rikujtoni gjithmonë këtë”, iu a ktheu dikush tjetër, që me siguri ka kontribuar më tepër se sa këto nevojtarët e mëdhenj të shprehjes së “rolit të çlirimtarit” . Duhet me i kuptuar këto të shkretit, pasi që nuk munden të mbështeten në diçka tjetër. E kanë vështirë të tregojnë vlera të tjera, apo të bëjnë ndonjë punë të vyeshme në ditën e sotme që do t’i shkonte përshtati interesit të Kosovës.

Shkurt, çfarë mëkati përjetuam ditën e djeshme : dikush shprehu nevojën për me shpalosur « inteligjencën » e tij, e dikush u përqendrua në ambiciet e tija gjoja se patriotike, kurse dikush e shfrytëzoi rastin për me prezantuar fjalimin e tij “historik”, e kurse dikush tjetër, si zakonisht, pati nevojë që të fyej dikën për me n’a bindur se ka më tepër të drejtë se sa të tjerët. Déjà vu!

E gjithë kjo duke u shoqëruar edhe përmes ca elementeve anekdotike ; vështirësitë për me e lexuar tekstin e « vetë », formulimin e fjalëve apo termeve të pakuptueshme, shprehja e nervozitetit përmes një zëri të ngritur dhe të “guximshëm”, në emër të një angazhimi të « palodhur »! Nuk mungoi as tregimi i një niveli qesharak të edukatës dhe të kulturës së komunikimit!

Mos të harrojmë edhe shkollimin. Dikush nga to mbanë në gjep një diplomë që ndoshta lejon, siç thuhet, « të merret vetja në qejf ». Mos mërziteni për këtë, se nuk është faji i juaj, por është i të tjerëve, i atyre që ndoshta, ashtu si shumë tjerë, edhe ata sot janë revoltuar me punën tuaj, me atë që dëgjojnë nga ju, me “nderin” që ia bëni “diplomës së fituar me dituri”!

Në momentin e caktuar, Z. Kurti, me një elegancë politike, shprehu njëfarë mesazhi, përmes së cilët kërkoj së paku nga disa prej jush që të mos tregoni nevojën për me fyer dikë, gjatë shprehjes së mendimeve tuaja “jashtëzakonisht të lira”. Për dikë kjo shkaktoi qeshje. Në një moment tjetër, Znja Osmani, prezantoi një analizë largpamëse dhe tejet domethënëse. Me siguri se ajo nuk u kuptua nga gjithsecili. Po natyrisht, që të dy perceptimet ndodhën pasi që aty kishte vërtet të pranishëm që i takojnë regjistrit të elementeve qesharake, që ndoshta s’kuptojnë gati se asgjë ose kuptojnë diçka, por vetëm atë që iu shkon përshtati niveleve të tyre!

Vetëm diçka j’ua falë disave nga ju gabimet tuaja të shumta ; ju e keni fituar votën e popullit. Për këtë arsye, i drejtohemi pikërisht këtij të fundit ; vallë, a ende doni me i votuar këto njerëz?

Edhe në shtetet e jashtme ku jetojmë, ndodhë nganjëherë t’i besohet vota ndonjë manipulatori e matrapazi. Mirëpo, që nga momenti i marrjes së detyrës së besuar, ata fillojnë të “zbuten”, të mësojnë diçka. Ndërsa te na, ndodhë krejtësisht e kundërta; ajo që fillimisht duket sadopak e fshehtë, fillon pastaj shpejt të shfaqet më publikisht, fillojnë të tregohen fytyrat e vërteta të fituesve pa meritë, ashtu siç pamë edhe ditën e djeshme. Edhe shumë hera tjera, kuptohet.

E lëshova Prishtinën nga fundi i viteve të tetëdhjeta. Më kujtohet mirë puna e disa parlamentarëve tanë shqiptar të asaj kohe. Me gjithë vështirësitë që paraqiteshin për me punuar në ato kohëra, arrinin të tregojnë një mençuri veprimi, një shkallë të lartë profesionalizmi, me siguri shumë më të lartë se të atyre të ditëve të sotme. Nuk mungonte as uniteti. Disa shembuj të izoluar nuk ka nevojë me n’a rikujtuar gjithmonë dhe me i përdorur si pretekst për me bindur dikë se gjoja se asgjë s’ka qenë e mirë në të kaluarën!

Kjo që u tha nuk i pëlqen dikujt. Atëherë, e ju disa të sotshmit, çfarë jeni duke treguar ? Ju disa, nuk dëshironi aspak të dëgjoni për ata të mëparshmit! E ndërkohë, nuk dëshironi as të dëgjoni për të tjerët, për ata që bëjnë vërtetë një punë të mirë, e as për përvojat e treguara nga shtetet tjera që funksionojnë ndryshe, që s’kanë kurrgjë të përbashkët me “punën” tuaj ! Po pra, pasi që, ose nuk dëshironi të dëgjoni apo të kuptoni. Ose thjesht, e keni vështirë me kuptuar, se ju jeni ata që i dini të gjitha, nuk keni pra nevojë për këshillat e të tjerave, as për me parë se si punojnë të tjerët !

I themi të gjitha këto, vetëm për një arsye. Në fakt, nuk dëshirojmë aspak të humbim kohë me ju, por është populli ai që n’a dhimbset, sidomos në këto situata. Në mesin e atyre, është posaçërisht rinia ajo që është duke i përjetuar pasojat e rënda të akteve tuaja, të « punës » suaj. Ju i vrisni perspektivat e vendit, ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme, por edhe kjo është e pafalshme ! Fundja, e gjithë çka jeni duke bërë është e pafalshme!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat