Një fitues dhe katër humbës

Opinione

Një fitues dhe katër humbës

Lis Bukuroca Nga Lis Bukuroca Më 27 mars 2020 Në ora: 19:50
Thaçi, Kurti dhe Mustafa

1. Pushka, bomba, tanke, aviona, nëndetëse, raketa, bomba atomike dhe shumë armë tjera të sofistikuara, por nëse një shtet sot është në gjendje të konservojë këtë virus, apo ta prodhojë një tjetër, njerëzimit i vjen fundi pa u vrarë, pa u bombarduar, por duke u sulmuar në qeliza nga armiku të cilin e merr si frymë. Pa, frymë vdiset, por ky armik mi padukshëm duhet të thithet.! Ai nuk vret kafshët, por vetëm njeriun.

Njeriu si kafsha më inteligjente, nga lakmia dhe mania për epërsi, për sundim, për dominim, do të zhdukë veten.

Sikur të kishim mbetur majmun, do të kishte pasur paqe në botë! Majmuni nuk prodhon armë vetëm për t’ia marrë tjetrit bananet! As nuk i konservon ato. As nuk i shet! Ai ha për ta shuar urinë dhe të tjerat nuk i konsideron të vetat! Nipi i tij, njeriu, do t‘i vinte menjëherë gardhin dhe do të bërtiste:

“Të miat! Mos i prekni. Ato kushtojnë!“

Këtë dëshirë për të pasur me çdo kusht, për të pasur më shumë se tjetri, lakminë, Buda e konsideron si njërin nga shkaktarët kryesor të vuajtjes së njeriut.

2. Unë e besoj se SHBA nuk është e interesuar për ndryshimin e kufijve, mirëpo, nëse palët pajtohen, Amerika nuk do të jetë kundër! Ky ishte mendim i kushtëzuar!

Kjo është njohja, dija:„Serbia nuk do të pranojë kurrë shtetin e Kosovës pa fituar diçka!“ Garantuese është Rusia dhe dëshira për fitim është përsëritur dhjetëra herë!

„Marrëveshja do të jetë e dhimbshme për të dyja palët!“ e ka thënë Thaçi dhe Vuçiqi.Veriu i Kosovës është teorikisht brenda Kosovës, Lugina edhe praktikisht në Serbi. (Thaçi e ka kërkuar, Vuçiqi jo Veriun, sepse ai e ka).

Politika e Trumpit nuk mund të zbërthehet lehtë. dhe as të kuptohet! Me një „cicërimë“ në twitter mund të shkaktojë shqetësime të mëdha nëpër bursa në botë.

Ndoshta gjendet zgjidhja dhe vjen deri te njohja e ndërsjellë, por njohja nga Serbia për popullin nuk është jetike. Ai pas çlirimit nuk po ikën nga keqtrajtimet e Serbisë, por nga kleptokracia, nepotizmi dhe korrupsioni i para-politikës shqiptare! Këto janë fakte!

Ato anomali nuk zgjidhen nga ata që i krijuan, sepse as koronavirusi nuk asgjëson veten, por mbijeton duke dëmtuar vendin ku jeton e zhvillohet!

Kjo është bindja!

Pra, me rrëzimin e Albin Kurtit mund të ketë një fitore të madhe jashtë, por shoqëruar me një humbje të madhe brenda:

Popullsia do të përgjysmohet! Aty ku nuk ka ligje e drejtësi, njerëzit nuk rrinë!

3. SHBA thotë se nuk do të ketë ndarje. Thaçi thoshte do të ketë korrigjim kufiri.

Sikur ta kishte bërë publike këtë SHBA më herët, ndoshta do të kishte ndryshuar gjendja dhe nuk do të arrinim te mocioni. Pse u garantua tani, e jo më herët nuk dihet, por ajo që dihet është se oligarkët e Kosovës u tmerruan nga Kryeministri dhe rrëzimi i tij ishte mbijetesë për ta. Pa dashje u ndihmoi edhe Albini. Taksën duhej ta hiqte javën e parë!

Kurti dështoi për tarifat e Haradinajt. Haradinaj kundërshtonte heqjen, por mbështeste partinë që ishte për anulimin tyre: LDK.

Tash kemi një situatë të re. Me rëndësi të ruhet qetësia, të ruhemi nga virusi dhe të respektohet kushtetuta. Edhe pse duket se nuk mund të pritet, sepse kryetari dominon aq shumë skenën politike, sa sistemi ka nisur të marrë forma despotike. Është po ai sistem që po ndërton Erdogani. Hashim Thaçi i përdor të gjithë liderët dhe i hedh kur nuk i duhen, por edhe i rimerr, si lopët, kur ka nevojë!

Ajo që dihej ishte se pasuesi i Kurtit, do t‘i hiqte taksat. Ai humbi shansin. Kjo është politika.

Politika mund të krijojë edhe viktima. Duhet pranuar lojën dhe vazhduar para. Patëm një shpresë të madhe, (shtetin ligjor), por u shemb. Tani SHBA-të e zëvendësuan me një gjithashtu të madhe (mos-copëtimin).

Nga kjo shembje janë fituar disa mësime për demokracinë, sepse siç thotë një proverb:“Ndonjëherë ti fiton, por ndonjëherë ti mëson!“ Dikush fitoi, dikush mësoi! Kjo është jeta. Pas çdo humbje, mund të pasojë fitorja. pas çdo fitore, mund të pasojë dështimi! Edhe këto dukuri janë pjesë të jetës.

Sidoqoftë drama në Kosovë në një kohë krize ishte unike në botë dhe mbetet. Nuk është çudi. Kemi dy elita politike shtetet, në dy shtetet shqiptare që prodhojnë vazhdimisht çudira në botë. Shqip e qartë, dy elita politike që gazojnë!

Tani për tani kemi një fitues të madh, Hashim Thaçin dhe tre humbës të mëdhenj: LDK-në, Isa Mustafën dhe Albin Kurtin.

Ata janë humbës në politikë, por humbësi kryesor është populli, sepse keqqeverisja po i imponohet si fat dhe pas kësaj fitore, Hashim Thaçi, do ta shndërrojë Kosovën në republikë presidenciale, si Erdogani Turqinë.

Kështu ai do të bëhet i paprekshëm, ndoshta pas këtij akti edhe i pagjykueshëm!

Despotizmi në Kosovë po merr format përfundimtare! Hashim Thaçi ka pushtet të pakufizuar dhe nuk është e rëndësishme detyra që kryen, sepse ai merret me atë që dëshiron, pa marrë parasysh çfarë funksionin zyrtar ka!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat