A mund të eskalojë situata në Kosovë?

Opinione

A mund të eskalojë situata në Kosovë?

Skender Musliu Nga Skender Musliu Më 28 mars 2020 Në ora: 18:00
Prishtinë

Derisa shtetet Europiane dhe ato botërore po mobilizohen, bashkrenditen, solidarizohen dhe forcojnë institucionet shtetërore për përballjen e krizës sanitare me koronavirusin, Kosova bënë të kundërtën, shpërbën institucionet e zgjedhura nga sovrani dhe përmbysë Qeverinë e saj duke hyrë në analet e historisë si shtet i parë në kohë pandemie vdekjepruese botërore, që dobëson institucionin më të rëndësishëm që duhej të vepronte në këto momente të vështira.

Shembull se si duhet të veprohet nër raste krize, përveç shumë rasteve tjera, është Belgjika. Ky shtet, mbi një vitë e gjysmë ka Qeveri në detyrë, mirëpo për shkak të krizës ditë më parë Parlamenti belg formoi një Qeveri me kompetenca të plota, në mënyrë që ajo të funksionojë mirë në kohën e krizës. Por sikur kjo nuk mjaftoi, po ky Parlament, dje, me 27 Mars 2020, Qeverisë së saj ia delegoi edhe disa kompetenca shtesë, që nuk i takojnë me Kushtetutë, që don të thot të mund të merr vendime pa avalin e Parlamentit, me qëllim menagjimit sa më të sukseshëm të krizës sanitare, sepse prioritet i jepet shëndeti dhe sigurisë publike.

Duke u nisur nga kjo praktikë pozitive të një shteti demokratik europian, që është shembull se si duhet të funksionojë shteti i së drejtës në kohë krize, edhe Kuvendi i Kosovës, duke patur parasysh pandeminë që po rrezikon shëndetin e qytetarëve, do të duhej t’ia vazhdonte mandatin dhe t’i delegonte kompetenca shtesë Qeverisë Kurti, deri sa të krijoheshin kushte normale për zgjedhje të parakohshme.

Mirëpo në bazë të deklaratave të presidentit Thaçit, si po duket ai ka zgjedhë një rrugë tjetër për zgjidhjen e krizës institucionale. Ai thot se prej ditës së hënë, 30 Mars do të fillojë konsultimet me kryetarët e partive politike për formimin e një Qeverie, siç thot ai, « të unitetit dhe gjithpërfshirëse », që nuk është konform votave të sovranit, sepse ai ka votuar ndryshe.

Nëse presidenti Thaçi, në këto kushte të rënduara, dhe pas gjithë asaj që ndodhi në Kuvend, tenton të formojë këtë Qeveri duke anashkaluar vullnetin e popullit, duke keqpërdorë kompetencat dhe shkelur Kushtetutën, me dashje apo pa dashje, ai do të rrezikoi sigurinë e vendit. Nëse kjo ndodhë, situata shumë lehtë mund të eskalojë dhe për këtë ai duhet të mbajë përgjegjësi.

Në një shtet demokratik ku sundon ligji dhe e drejta, ata që iniciuan dhe miratuan kërkesën për mocionin e mosbesimit dhe përmbysën Qeverinë në kushtet e një krize të papresedan për shëndetin publik, do të duhej të përgjigjeshin penalisht, sepse nuk është normale kur bota, pa përjashtim, po ballafaqohet me një pandemi vdekjepruese përfshirë edhe Kosovën, deputetët e Kosovës përmbysën Qeverinë, për të cilën populli tani kishin më së shumti nevojë. Në vend që deputetët t’i delegojshin kompetenca shtesë Qeverisë për t’a fuqizuar në menagjimin sa më të mirë të krizës sanitare, ata vendosën t’a dobësojnë duke e përmbysur.

Deputetët e Kosovës me përmbysjen e Qeverisë, në këto momente të rënda për qytetarët e Republikës, kanë vënë në rrezik shëndetin publik dhe sigurinë e vendit për qëllime dhe interesa personale duke mbrojtjur privilegjet e tyre e jo të qytetarit, prandaj përgjegjësia duhet të jet imediate dhe prokuroria që tani duhet t’i nisë procedurat hetimore dhe në kohën e duhur t’i procedojë ato, sepse pandëshkueshmëria po i kushton shumë Kosovës.

A thua prapa këtij skenari po përgatitet terreni për kontrabandimin e Marrëveshjes së shumë përfolur mes Kosovës dhe Serbisë që përmbanë edhe shkëmbimin e territoreve ?! Sipas të gjitha hulumtimeve të analistëve ndërkombëtar, del se aksi THaçi-Vuçiq, Rama kanë përgatitur këtë Marrëveshje, kurse Grenel, Palmer dhe Lobi serb ia kanë përgatitur terrenin Administratës amerikane t’a pranojë këtë zgjidhje.

Por botërisht dihet se SHBA-të janë aleatët historik i shqiptarëve dhe jo vetëm që nuk kanë pranuar coptimin e territoreve shqiptare, por ajo kanë luajtur rol të rëndësishën në ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë.

Prandaj duhet bërë ç’mos që kjo Marrëveshje mos të arrihet gjetë kësaj Administrate amerikane, por kjo të ndodhë pas zgjedhjeve presidenciale të SHBA-ve që duhet të mbahen me 3 Nëntor të këtij viti, sepse gjasat janë shumë reale që zgjedhjet e ardhshme t’i fitojë miku i shqiptarëve Zoti Joe Biden, që nuk do të pranonte shkëmbim territoresh. Me ndrrimin e Administratës amerikane Hashim Thaçi nuk do të mund t’a shtyente këtë proçes, prandaj edhe po i shpejtohet që këtë Marrëveshje t’a kalojë tani me ndihmë e Grenelit dhe Palmerit.

Duhet theksuar se Hashim Thaqi tani tre vite me rradhë, tërë energjinë e tij në aktivitetin diplomatik, për fat të keq, e ka përdorur për t’a bindur faktorin ndërkombëtar se e vetmja zgjidhje për arritjen e një marrëveshje, siç thot ai, gjithpërfshirëse dhe të obligueshme me Serbinë, është shkëmbimi i territoreve. Pse e bënë këtë Hashim Thaçi, a thua është e kaluara e tij mbi të cilin rëndojnë shume akuza të supozuara ?!

Prandaj nëse ai e konsideron veten « të pastër », është dashur vullnetarisht të shkojë në Tribunalin e Hagës, siç bëri Ramush Haradinaj,t’a « lajë » veten dhe t’a mbrojë luftën e dretjtë të popullit të Kosovës dhe UÇK-së.

Me përmbysjen e Qeverisë Kurti, nuk u votua kundër Albin Kurtit, por deputetët keqpërdorën dhe përdhosën votën e sovranit, i cili vet kishte përcaktuar koalicionin qeverisjes, me votat e veta.

Nëse zoti Thaçi formon një Qeveri, siç po pretendon,kjo do të jet një Qeveri e krimit të organizuar, me ata që plaçkitën shtetin e Kosovës, me të koruptuarit, me nepotistët, zhvatësit, me profiterat e luftës dhe me ata që gjunjëzuan dhe shpërngulën popullin, për interesa personale.

Sikur herave tjera edhe kësaj rradhe duhet theksuar se kësaj situate po i ndihmojnë disa analistë, gazetarë dhe disa portale që paguhen nga krimi i organizuar duke shtrebmëruar realitetin, në profit të kastave politike.

Për fund edhe njëherë, sikurse edhe në shkrimin e fundit, duhet thënë se e vetmja zgjidhje për Kosovën, është formimi i një partie të re të LDK-ës nga Zonja Vjosa Osmani me një emër, psh. LDKD- Lidhja Demoktatike e Kosovës Dardane, me djem dhe vajza të reja dhe intelektual të vërtetë, me njerëz të pakoruptuar, të pa shantazhuar dhe të pakapur nga shteti. Sepse LDK-ja me njerëzit e harxhuar, të koruptuar dhe inkriminuar kurrë nuk mund të ecë përpara, vetëm kështu do të ndahej shapi nga sheqeri.

Edhe kësaj rradhe duhet falemnderuar mantilbardhët, policinë dhe të gjithë ata që po kontribuojnë në përballimin e krizës sanitare.

Rrini në shtëpi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat