Intervista e mbrëmshme e kryeministrit Albin Kurti, ishte një plebishit popullor! - Bota Sot
Intervista e mbrëmshme e kryeministrit Albin Kurti, ishte një plebishit popullor!

Opinione

Intervista e mbrëmshme e kryeministrit Albin Kurti, ishte një plebishit popullor!

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 1 prill 2020 Në ora: 07:50
Albin Kurti, kryeministër në detyrë

Ata të cilët mbrëmë e kanë përcjellë intervistën e kryeministrit (në detyrë), z. Albin Kurti, dhënë KTV-së, janë bindur se rrëzimi i qeverisë “Kurti” përmes mocionit të mosbesimit në Kuvendin e Kosovës, i iniciuar pabesisht nga partneri i koalicionit, LDK-ja e Isa Mustafës, ka qenë një skenar ogurzi i kurdisur nga kreu i shtetit, Hashim Thaçi dhe përkrahësit e tij servilë, ngase djajtë e natës nën ethet e pandemisë COVID-19, kurrsesi nuk po mund ta gëlltisin dot karizmin politik të Albin Kurtit, si dhe as humbjen e sigurt politike para votueseve të tyre miopë..!?

Sepse, shikuar realisht, për rrëzimin e qeverisë “Kurti” pas vetëm 57 ditësh nga marrja e obligimeve të saja kushtetuese, nuk ka ekzistuar asnjë shkak politik dhe as ekonomik i cili mund të çonte në rrëzimin e qeverisë, gjë që na bënë thellë të besojmë, se shkaqet e vërteta të ngritjes së mocionit të mosbesimit nga LDK-ja për rrëzimin e qeverisë pjesë e të cilës ishte, kanë buruar thjesht nga motive personale, nga ankthi dhe mosbesimi, se një ditë Albin Kurti nuk do t’ua hapë dosjet e shumta që i kanë të vendosura në sirtarët e gjykatave në Prishtinë!

Konstatimin tonë të cekur më lartë e forcojnë katërçipërisht deklaratat  publike të H. Thaçit, I. Mustafës, K. Veselit, R. Haradinajt, F. Limajt, etj., të cilët si në kor muzikor dhe pa fije turpi po ia servojnë opinionit kosovar shpifjet, akuzat dhe ofendimet e pacipë kundër Albin Kurtit, përmes gazetave ditore, agjencive informative, televizioneve private dhe publike, portaleve të shumta interneti si dhe rrjeteve sociale, duke e stigmatizuar si stalinist, antiamerikan, pro-rus, mashtrues, frikacak etj..!?

Ç’është e vërteta, ata e dinë fort mirë se Albin Kurti nuk e ka asnjërën nga këto atribute të cilat në mënyrë të orkestruar po mundohen t’ia m’veshin, me qëllim të vetëm për ta diskredituar dhe larguar nga qeveria, gjë të cilën edhe e realizuan duke e rrëzuar qeverinë e tij me 23 mars 2020..!?

Në vazhdim po sjellim vetëm dy rastet më eklatante që ilustrojnë faktin, se kundër Albin Kurtit, sidomos qëkur është zgjedhur kryeministër, është ndërmarrë një fushatë e egër linçuese siç dhe ka vazhduar edhe një hajkë hakmarrëse ndaj tij me përmasa të papara në dy dekadat e fundit, e ngjashme me atë që është bërë ndaj presidentit Ibrahim Rugova, gjatë dhe pas mbarimit të luftës, duke mos zgjedhur metoda dhe as fjalor kundër tij. Dhe, ç’është më e rrezikshmja, e udhëhequr nga vetë presidenti i Kosovës, H. Thaçi, i cili me një fjalor të pa etikë vazhdon ta ofendon kryeministrin e Kosovës, gjegjësisht Albin Kurtin, si njeri, po citojmë; “I frustruar, vazhdon gënjeshtrat dhe mashtrimet, frikacak dhe djallëzor, po përçan politikën dhe institucionet e Kosovës. Përqesh dhe saboton shtetin. Nuk ka guxim as ta heq taksën, as të vënë reciprocitetin. I pa dinjitet. Po angazhohet për shkatërrimin e aleancave historike, me paranojë flet për marrëveshje sekrete Kosovë-Serbi. Qesharake për Kosovën. Fyese dhe e rrezikshme për raportin e Kosovës me SHBA-në..” (BS, online, 12. Mars 2020).

Ndërsa dje Presidenca, gjegjësisht këshilltari i H. Thaçit, Adil Behramaj, pas shpalljes së vendimit të Gjykatës kushtetuese, “se vendimi i qeverisë për vendosjen e orës policore nuk është në përputhshmëri me normat e Kushtetutës”, ja çfarë thotë ai për Albin Kurtin, po citojmë; “Edhe zyrtarisht Albin Kurti është dhunues i të drejtave e lirive të qytetarëve dhe i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ai bëri shkelje kushtetuese me vendosjen e “orës policore”. Sikur të kishte qëndruar më gjatë si kryeministër, më nuk do të mund as t’i referoheshim Kushtetutës, se me shkelmime do ta përmbyste. As “Baballarët e Kushtetutës” nuk do e njihnin nga shkëlfitja që do i bënte..”!? (BS, online, 31. 03. 2020)

Një kampanjë kjo e pashembullt në botë kur presidenti linçon dhe ofendon kryeministrin e vendit të vetë, mirëpo që për fat të mirë të Kosovës, kështu nuk mendojnë qytetarët dhe votuesit shqiptar për liderin politik të LVV-je, z. Albin Kurtin, tani kryeministër në detyrë, ngase në sondazhin virtual të bërë nga i njëjti televizion gjatë kohës së intervistës live, nga 107.000 votues, 101.300 votuan që Albin Kurti edhe më tutje duhet të jetë kryeministër i Kosovës. Një plebishit ky, pa dyshim, i pa parë ndonjëherë në historinë mediale të Kosovës..

Image
Rezultatet e sondazhit

P. S. Po ta ofendonte dhe cenonte kaq rënd personalitetin e Kancelares gjermane, znj. Angela Merkel, presidenti i saj, z. Franz W. Steinmeier, pa asnjë diskutim se ky i fundit do dënohej së paku me 5 vite burgim nga gjykatat përkatëse!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat