Reformë në kohë virusi

Opinione

Reformë në kohë virusi

Nga: Fadil Lepaja Më: 1 prill 2020 Në ora: 14:11
Fadil Lepaja

Thënia e moqme, se “bora bie, që të duken gjurmët” është vjetëruar. Është ndërruar me virusinDorë pas dore, prej Kinës së largët, virusi na erdhi në fqinjësi. Gjurmët e tij i ndjekim nëpër pasojat që la. Provuam gjithçka, por në fund u desh të vetizolohemi të gjithë. Ka edhe nga ata të cilët nuk do të izoloheshin vullnetarisht, nga ata me imunitet të fortë, të cilët gripi sezonal nuk i kapë asnjëherë, i anashkalon ata. Kjo ju jep, disa pushtetarve, aq vetbesim, sa virusin quajtën qesharak, por shpejt u pa që nuk e kishin përnjëmend, sepse i hëngrën fjalët. Doli se  një komunikim i tillë publik, pra një përqeshje publike e virusit,  nuk ka efekte mbi të. Aq i bënë irusit për pëlqimet. Ashtu si e dimë, ata janë tepër serioz, dhe të gjithë kundërshtarët e tyre i konsiderojnë  qesharak, joserioz, prandaj provuan që me të njejtën armë mediatike të godasin edhe mbi virusin.

Ky virus padyshim, duket me orientim antievropian. Aq më tepër duket antiglobalist dhe antidemokrat. Ka shumë gjasë të jetë krijuar në një vend autoritar. Me të drejtë dyshoni. Ka edhe mundësi të tjera. Një shaka virtuale, që po qarkullon nëpër rrjet thotë se vërtetë virusi u krijua nga dora e njeriut. Nuk është dënim nga zoti, pra. Madje, “është krijuar nga dora e një femre”, thotë një argëtues masash.

Ky virus bllokoi dhe ndaloi gjithçka që duan meshkujt: nuk ka më futboll, as basketboll, nuk ka kafene, dreka, a darka, dhe qejfe pafund. Nuk ka bastore, as ikje nga shtëpija, madje as për punë. S’ke kah ja mban, s’ke kah ikë, duhet të rrish me familjen detyrimisht dhe për këtë kujdeset shteti. Shteti i jep prioritet të detyrueshëm familjes. Ose familja ose në karantinë. Si dënim për të gjithë ata që kanë harruar se kanë familje. Kjo të bënë të përgjegjshëm, detyrimisht.

Karakteristikë kryesore e virusit është se nuk njeh raca, kombe, as nuk ka respekt për kufijtë dhe zgjerohet me progresion. Me gjurët që len pas vetes hedh dritë mbi atë anën , në marrëdhëniet mes njerëzve e cila nuk është gjithnjë e dukshme dhe e matshme, kështu vetëm duke parë pasojat e kuptojmë se kush më kë po “përzien” dhe kush rri me kë, po e bënë tinëz. Kështu Italija, po del gjeografikisht shumë e afërt me Kinën, ashtu si doli në hartën epidemiologjike, pak më vonë edhe Spanja. Në fund fare, në regjion, virusi arriti edhe në Bosnje, Kosovë dhe Turqi. Në fund fare edhe në Mal të Zi.

Qysh u pa, edhe ne nuk jemi pa virus, për të hyrë në spektaklin e madh botërorë të vetizolimit dhe virtualizimit të jetës dhe shoqërisë. Numri i të infektuarve  rritet me progresion, dhe ka prekur numrin treshifrorë. Kaq mund të thonë ata që na ngushllonin se mungesa e vizave ka edhe anë të mira. Kaq kem pa dobi prej izolimit politik nga kontinenti amë. Ata po i mbyllin kufijt, po i mbajnë nëpër pista aeroplanët, është ndalur  komunikacioni hekurudhor, rrugor, kanë bllokuar regjione, qytete, janë mbyllur në vete.

Virusi ka edhe karakter ideologjik dhe antidemokratik. Nuk ka më lëvizje të lirë. Disa lider në regjion dhe më gjërë ndalojnë edhe deklarimin publik kundër masave të shtetit. Diku aplikohet ora policore, diku tjetër ushtria futet në skenë, në një gjendje tipike lufte, edhe pse nuk është e qartë kundër kujt po lufton ushtria. Të sulmosh virusin me raketa duket komike, apo tragjikomike, më saktë. Nuk shkon. Nuk ndihmojnë në këtë as aeroplanbartëset,  as lufta e yjeve. Nuk ndihmojnë as njësitë speciale. Fabrikat e automobilave kanë filluar të prodhojnë ventilatorë dhe pajisje të tjera medicinale.

Tash, jemi ku jemi. Nuk ka lëvizje të lirë, nuk ka bashkëpunim  me fqinjët, kufijtë janë mbyllur, bursat ndërkombëtare po bien, milarda euro, dolarë janë vënë në qarkullim për të mundur virusin dhe prap gjithçka mbetet në dorën tonë, në diciplinë, përgjegjësinë e të fuqishmëve, të rinjëve me imunitet më të fortë, ndaj atyre që nuk janë. Pra, krejt  ka mbetur  në vet-izolim. Futja vullnetare e disa liderëve, në karantinë dhe komunikimi i tyre përmes rrjeteve sociale me qytetarët, të cilin pastaj mediat e përflasin, po e krijon llojin e ri të udhëheqësve që drejtpërdrejtë komunikojnë me votuesit.  Bëhet garë se cili lider ka më shumë shikime, apopëlqime. Nga këtu buron legjitimiteti.

Kuvendi, qeveria, administrata tashmë duken të ngadalshme, jo bindëse me premtimet e tyre të thata. Liderët e rinjë janë argëtues të masave, por edhe folës të cilët duan më shumë që të jenë model, të kenë pasues, besimtarë se sa të qeverisin sipas ligjeve, kushtetutës, procedurave. Pëlqejini dhe kopjoni të adhuruarit e juaj, dhe kjo është mjaft. Të tjerat janë çështje të byrokracisë, letrash.

Natyrisht, virusi nuk do të na mundë. Ai vetëm do të na ndryshojë. Do të na i ndryshoj rrethanat edhe natyrën madje, Në fund të fundit, është e qartë se virusi është produkt i dijes dhe dorës së njeriut. Është goditje mbi ADN-in, është akt krijimi dhe ska si të mos jet kaq dramatik. Krejt kjo është po ashtu edhe spektakël. Po e ndërrojmë rrethin dhe vetveten, e me këtë edhe politikën edhe të drejtën. Sot po luftojmë me pasojat shëndetësore të virusit, ndërsa nesër dotë merremi me ato psikologjke, sociale, politike, ushtarake , e madje edhe ideologjike. Ishte ky një sulm, apo dhuratë e “krijuesit” kjo tek do të shihet. Mbase nga gjeneratat e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat