Çka nuk u tha në komunikatën e përbashkët të zyrtarëve të SHBA-së?!

Opinione

Çka nuk u tha në komunikatën e përbashkët të zyrtarëve të SHBA-së?!

Nga: Qani Nuhiu Më: 2 prill 2020 Në ora: 17:08
Qani Nuhiu

“Ne duam të sqarojmë se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbime të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa. I dërguari i posaçëm presidencial Richard Grenell nuk e ka parë dhe as diskutuar kurrë një plan të tillë. Përqendrimi i qeverisë amerikane në mbështetjen e marrëveshjeve të fundit për të rivendosur lidhjet ajrore, hekurudhore dhe autostradën midis Kosovës dhe Serbisë synon të përmirësojë ekonominë dhe të krijojë një vrull ekonomik. Ne besojmë se kjo vrull do t'i japë energji të re një procesi dialogu që do të çonte në njohje të ndërsjellë”.

Kjo, pra, është Deklarata e përbashkët e të dërguarit special presidencial Richard Grenell, ambasadori Philip Kosnett dhe Përfaqësuesit Special për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer për Kosovën, i bërë për media nga zyra zëdhënësit të State Departamentit më datë 26 mars 2020, që do të thotë vetëm një ditë pas votimit të mocionit për mosbesimin e qeverisë Kurti.

Duhet të konstatohet se në deklaratë vërehen dy momente kyçe:

-e para: Vetë deklarata është sipërfaqësore dhe e mangët në aspektin e ofrimit të argumenteve të mjaftueshme e të besueshme (qëllimisht apo jo?!) ; dhe

-e dyta: I jepet peshë më tepër aspektit ekonomik (lidhjet ajrore, hekurudha, autostrada) se sa atij politik, që nuk do të thotë se është më pak e rëndësishme, por nuk është vetë esenca e problemit Kosovë-Serbi.

Nga kjo deklaratë e përbashkët e tre zyrtarëve, shiquar sipërfaqësisht duket se gjithçka është në rregull dhe se rreziku i shkëmbimit territorial ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ka kaluar. Çështë e vërteta, pas kësaj deklarate shumë politikan të Kosovës u shprehën të lëhtësuar dhe këtë çështje (planin për ndryshime territoriale) tashmë e konsiderojnë si “të kyrer” dhe të tejkaluar, që në fakt nuk është ashtu. Pasi kur kemi parasysh se kjo deklaratë vjen nga përfaqësuesit e shtetit më të fuqishëm dhe më me ndikim në botë dhe aleatit më strategjik të Kosëvës, atëherë nevojitet që këtë deklaratë ta shohim e analizojmë me kujdesin më të madh e me qasje sa më të kujdesshme, pasi në komunikatat zyrtare të shteteve (veçanërisht ato to SHBA-së) çdo fjalë që thuhet, paraprakisht matet e peshohet mirë dhe pastaj me shumë kujdes thuhet. Prandaj edhe në rastin e kësaj deklarate duhet shikuar me kujdes të veçantë atë çka thuhet, por edhe atë çka nuk thuhet.

Pra, nëse analizojmë me kujdes deklaratën, do të shohim se në deklaratë lidhur me këtë çështje nuk thuhen edhe disa gjëra kyçe:

-e para: Fjalia se “I dërguari i posaçëm presidencial Richard Grenell nuk e ka parë dhe as diskutuar kurrë një plan të tillë”, kjo nuk garanton se edhe dy zyrtarët tjerë të nënshkruar në deklaratë (Philip Kosnett e Matthew Palmer) nuk kanë parë ose nuk e kanë diskutuar diçka të tillë;

-e dyta: SHBA mund edhe të mos kenë plan të vetin, por gjatë administratës së presidentit Trump (veçanërisht në dy vitet e fundit) vazhdimisht janë shprehur se do pajtohen me planin për të cilin “palët do të merren veshtë”, që do të thotë se nëse Vuçiqi e Thaçi merren vesht, atëherë SHBA nuk do kundërshtojnë por do ta përkrahin atë. Këtë disa zyrtar të administratës Trump shpesh e kanë shprehur publikisht;

- e treta: Në deklaratë aspak nuk thuhet se nuk përkrahet ose kundërshtohet ideja për shkëmbim territorial nga SHBA-ja, por thuhet se “nuk ka plan”. Por çështja është se, nëse nuk kundërshtohet vetë ideja për shkëmbim territorial, atëherë plan konkret një ditë mund edhe të ketë. Pra në deklaratë nuk thuhet se kundërshtohet ideja e shkëmbimit territorial (lexo: ndarje); dhe

-e katërta: Përmendet njohja e ndërsjellë, por nuk potencohet ruajtja e tërësisë dhe integritetit territorial të Kosovës, siç ka qenë e zakonshme në të gjitha deklaratat e mëherëshme të të gjithë zyrtarëve amerikan.

Duhet potencuar se edhe vetë ekspertët dhe analistët më të shquar amerikan për çështje të Ballkanit (sigurisht më të informuar se opinioni në Kosovë e gjetiu) pohojnë se diçka e tillë diksutohet.Prandaj nuk duhet marrë si të pabaza ose shpifje prononcimet e Daniel Serwerit, Janosh Bugajskit, Edward Josephit, Shirley Cloyes DioGuardi e shumë tjerëve.

Sipas Daniell Serverit Deklarata e përbashkët e tre politikanëve, nuk është kredibile. Ai ka deklaruar “se plane janë diskutuar, janë vizatuar edhe harta”.

Pra, për Daniell Serverin “e rëndësishme në atë letër është ajo që nuk thuhet”.

Duhet cekur se edhe një nga gazetat më prestigjioze amerikane “New York Times” ka bërë të ditur se diplomatët amerikanë kanë diskutuar për shkëmbime territoresh Kosovë-Serbi, pastaj ato gjermane “Frankurter Rundschau” e cila gjithashtu vë në dukje se rrënia e qeverisë në Prishtinë ka të bëjë me çështjen e shkëmbimit territorial Kosovë Serbi. Gjithashtu edhe gazeta austriake “Der Standard” e lidh rrënien e qeverisë me dëshirën e Riçard Grenellit për iplementimin e ndonjë marrëveshje eventuale ndëmjet Thaçit dhe Vuçiqit, etj.

Por kundër kësaj ideje (shkëmbimit territorial) kemi edhe reagime nga politikanë evropian e amerikan. Kështuqë në lidhje me deklaratën e përbashkët të tre zyrtarëve amerikën, reagoi ndër të parët edhe Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën zonja Viola von Cramon me deklaratën se: “Ne vetëm mund të shpresojmë se SHBA-ja, pas krijimit të rrëmujës në shtetin e Kosovës, do t’i mbetet besnik fjalës se nuk ka plan sekret dhe nuk ka shkëmbim territoresh”, ka shkruar eurodeputetja, që qartë duket se ka skepticizëm lidhur me atë që potencohet në deklaratën e lartëpërmendur.

Reagimi i Kongresistit Eliot Engel, kryesues i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfqësuesëve ka shprehur shqetësimn e tij rreth qasjes së administratës Trump kundrejt Kosovës duke potencuar se përdor taktika të ashpëra ndaj vetë Kosovës.

Edhe përgjigja e fundit e ambasadorit amerikan në Prishtinë Filip Kosnet (e shpërndarë edhe nga ambasadori Riçard Grenell) në lidhje me heqjen komplet të taksës dhe aplikimin sistematik të reciprocitetit me Serbinë tregon njëanshmëri e jo-ekuilibër të qëndrimit e veprimit diplomatik.

Pra ambasada e SHBA-së në raportet Kosovë-Serbi kundërshton edhe reciprocitetin (barazinë) si parim i natyrshëm, bazë e i kuptueshëm në marrëdhëniet midis shteteve bazuar edhe në të gjitha normat ndërkombëtare! Kundërshtimi i reciprocitetit është gjest i çuditshëm e i pakuptueshëm! Është një indikator shtesë mjaft i fuqishëm për t’u brengosur !

Por, gëzon fakti që Britania e Madhe, Gjermania e shtete tjera të UE-së, kanë qasje më reale, përfshirë këtu edhe përfaqësuesin e lartë të UE-së për Politikë të Jashtëme e Siguri Joseph Borell e shumë zyrtarë tjerë, të cilët pëshëndetën vendimin e qeverisë Kurti për heqjen e tarifës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, duke mos e potencuar e as kundërshtuar reciprocitetin si masë.

Në njoftimin e ambasadës së Britanisë së Madhe mes tjerash thuhet: “Ne, Mbretëria e Bashkuar, jemi pranë popullit të Kosovës dhe të rajonit gjatë kësaj krize globale. Ne përshëndesim vendimin e Qeverisë në detyrë për heqjen e tarifave në mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Ne ritheksojmë përkrahjen e qëndrueshme të Mbretërisë së Bashkuar për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe besojmë se mospajtimet, përfshirë barrierat jotarifore, mund të zgjidhen në këtë kornizë. Dialogu duhet të dërgojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare, juridikisht detyruese, që respekton integritetin territorial dhe normalizon marrëdhëniet bilaterale, që është e pranueshme për qytetarët e të dy vendeve dhe që do të ofrojë përfitime afatgjata për ta dhe për të gjithë rajonin. Me përkrahjen e partnerëve ndërkombëtar, Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm për vazhdimin e dialogut”. Në këtë komunikatë qartë bëhet me dije nevoja e marrëveshjes Kosovë-Serbi, e cila respekton integritetin territorial të Kosovës.

E gjithë kjo që u konstatua më lart, është një “alarm i kuq” për diplomacinë e Republikës së Kosovës që të veprojë me shpejtësi e strategji të qartë për rikthyer e zënë pozita më të favorshme të Kosovës dhe për të rritur ndikimin edhe në Administratën e presidentit D.Trump.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat