Albin Kurti është i paprovuar dhe askush nuk e din se a është “Evlia”?!

Opinione

Albin Kurti është i paprovuar dhe askush nuk e din se a është “Evlia”?!

Nehat Hyseni Nga Nehat Hyseni Më 4 prill 2020 Në ora: 15:42
Albin Kurti

Kryeministri “në detyrë” dhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti nuk është hajn, sepse asnjëherë deri më tani nuk e ka qeverisur Republikën e Kosovës.

Kurse, të gjitha partitë tjera, kush më shumë e kush më pak, të gjithat, pa përjashtim, kanë vjedhur sa kanë guxuar e sa u janë krijuar mundësitë për të vjedhur.

Kuptohet se kanë vjedhur “më të guximëshmit”, dmth “çlirimtarët”, sepse ishin më “trima”, prandaj ata kishin “guxim” e u treguan “trima” për vjedhje masive e për afera të pafund korruptive.

Përqindjet në tendera dhe “hisja” e tyre në çdo investim në tërë territorin e Republikës së Kosovës ishte e pashmangëshme.

Mos të keqkuptohemi!

Ata këtë e “meritonin”, sepse Kosova ishte e tyre!

Dhe dihet ajo kënga e vjetër se kush e çliron vendin, ai bëhet pronë e tij dhe kush të çliron, edhe të ...!

Dhe këtu nuk duhet dhe nuk guxon të ketë keqkuptim.

Madje, PDK e prishi bashkëqeverisjen me LDK-në dhe e rrëzoi Qeverinë e Isa Mustafës, sepse, siç deklaroi Kadri Veseli, kryetar i PDK-së dhe e stërpërsëritën të sinkronizuar në kor, njëzëri, jo vetëm PDK-istat, por madje edhe të gjithë PAN-istët.

Pra, deklaruan se Isa Mustafa dhe partia që ai përfaqëson, “nuk kanë guxim për marrje të vendimeve të mëdha”?!

Të jem i sinqert, unë kurrësesi me mendjevogëlsinë dhe budallallëkinë time, asnjëherë, as atëherë dhe as sot e kësaj dite nuk kam arritur të kuptoj se çka do të thotë realisht kjo mesele? Çfarë vendimesh “të mëdha” nuk paska guxuar Isa Mustafa dhe LDK të merr, kurse “çlirimtarët” paskan “guxuar” të marrin?

Kur dihet se këta “trima” sa frikacakë e sa lakmitarë e llaskuca u treguan para mundësisë për të vjedhur, zhvatur e plaçkitur pasurinë, paranë publike dhe shtetin, që e “çliruan”!

Prandaj, mund të thuhet se PAN-istat apo “çlirimtarët” ishin rekord në vjedhje dhe kishin të drejtë, sepse ishin trima dhe shteti ishte i tyre. Kurse, këta të LDK-së ishin “frikacakë” dhe i frikoheshin ligjit, prandaj edhe nuk vodhën e plaçkitën sa “çlirimtarët”, edhepse aty këtu edhe këta u treguan “të guximshëm”, e besa edhe disa prej tyre nuk mbetën keq dhe u pasuruan.

Meqë Vetëvendosja dhe Albin Kurti asnjëherë deri më tani nuk ishin në pushtet.

Prandaj edhe nuk e kam të qartë se si do të mund të vidhnin.

Si mund të jeshë hajn kur nuk ke as mundësi për të vjedhur e as për të plaçkitur e për të zhvatur dhe për t’u pasuruar.

Edhepse, dorën në zemër, nuk është se mund ta vesh dorën në zjarr e të thuash se kjo vlen për të gjithë “VV-istat”, pa përjashtim!

Kjo i bie si puna “Evlias”:

Kishin qenë dy vëllezër, njëri në shehër, e tjetri në bjeshkë, i cili paska qenë “Evlia” dhe qumështin e kishte mbajtur në çevre dhe nuk kishte pikuar e nuk ishte derdhur, meqë ishte shumë i devotshëm në besim dhe “evlia”. Një ditë prej ditësh, ky kishte ardhur në shehër tek vëllau, që kishte qenë këpucëtar. Aty sheh një zonjë shumë të bukur, që kishte vërë këmbën mbi stol për t’ia marrë ustai masat për këpucë të reja. Bukuria e zonjës e kishte verbuar dhe dalëngadalë, qumështi në çevre kishte filluar të pikoj! Vëllau këpucëtar me bisht të syrit këtë e vërejti dhe vet me veti, duke buzëqeshur e duke e sjellur kokën thotë:

“Eh, vëllau im i dashur, lehtë është me qenë evlia në bjeshkë, ku nuk sheh gjë tjetër veç gurë të thatë, por është shumë vështirë të jeshë evlia në shehër ku sheh zonja e krijesa të bukura të Perëndisë!”

Pra, nuk e dijmë se si do të sillet Vetëvendosja dhe Albin Kurti në pushtet, meqë janë të paprovuar.

Nuk mund të themi se do të jenë hajna, sepse deri tani, së paku sa e dijmë ne, ata nuk kanë vjedhur.

Por, askush nuk mund të thotë me siguri se a nuk kishin mundësi për të vjedhur, apo janë“evlia”?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat