Bashkimi kombëtar, amaneti i fundit i akademikut

Opinione

Bashkimi kombëtar, amaneti i fundit i akademikut

Gjon Neçaj Nga Gjon Neçaj Më 4 prill 2020 Në ora: 19:34
Mark Krasniqi

Një ndër emblemat e shqiptarizmës, akademiku Mark Krasniqi, rrënjët e të cilit siç është shprehur disa herë nga ai vetë para viteve nëntëdhjetë gjatë vizitave në Tropojë, janë bash në fshatin Gjonpepaj të krahinës së Nikaj Merturit, paraardhësit e të cilit u shpërngulën në rrethinat e Pejës këtu e para një shekulli, mbylli sytë përjetësisht, duke ikur nga kjo botë me amanetin e fundit të shkruar fatkeqësisht në librin e fundit, i cili ka dalë në qarkullim para tre-katër ditësh, me titull “Porosia ime për shqiptarët: Mos hiqni dorë kurrë nga bashkimi kombëtar”. Ata që kanë pasur fatin e madh ta njohin nga afër, u mbetet gjatë në kujtesë prezenca e tij elegante, e folura e rrjedhshme, veshja tërheqëse dhe paraqitja e një babaxhani, ndonëse tashmë i ka kaluar të nëntëdhjetat.

Almona Bajrami, ish punonjëse e ministrisë së Punëve të Jashtme në Prishtinë, kujton takimin me Mark Krasniqin para disa kohësh, e cila kishte mbetur e habitur, por njëherazi e befasuar nga prezenca e tij në atë moshë. Po kush është ky personalitet dhe burrë i madh i kombit që ngrysi ditët dhe netët e pleqërisë së thellë, por me aktivitet të dendur në Prishtinë, kryeqendrën e shtetit të Kosovës? Profesori, akademiku, shkrimtari, studiues dhe poeti Mark Krasniqi u lind më 19 tetor 1920 në fshatin Gllaviçicë (Shëngjon) afër Pejës. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, kurse më 1941 gjimnazin në Prizren. Prej vitit 1941-1943 ka studiuar letërsinë në Universitetin e Padovës në Itali, e prej 1946- l950 ka studiuar gjeografinë e etnografinë në Universitetin e Beogradit.

Më 1945-1946 ka qenë gazetar-redaktor i gazetës “Rilindja” në Prizren, bashkë me Esad Mekulin e Omer Çerkezin, kurse prej vitit 1947-l949 ka punuar në Radio-Beogradi (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe) gazetar-redaktor. Prej 1950-1961 ka punuar në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd asistent, pastaj bashkëpunëtor shkencor. Prej 1961-1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, kur pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga procesi mësimor. Ka qenë disa herë prodekan e dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik. Ka qenë nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (1993). Ka botuar më se 20 libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezish nga serbishtja e sllovenishtja në gjuhën shqipe.

Akademik Mark Krasniqi është vlerësuar dhe nderuar nga personalitete botërore dhe shqiptare, nga asosacione akademike e kulturore dhe mban disa tituj nderi nga akademi shkencore evropiane. Pajazit Nushi theksonte se ne kemi në duar një vepër madhore që i bën nder traditës dhe historisë sonë kombëtare. Ndërsa akademik Esat Stavaleci, por në moshë kulmore, shkruante se tematika që trajton libri i Mark Krasniqit, ”Besa në traditën shqiptare”, i siguron atij një prani të përhershme në histori dhe pritet që ky libër të jetë si nxitje për të rinjtë që të bëjnë hulumtime të vazhdueshme në këtë aspekt. Ndërsa akademiku gati shekullor, Mark Krasniqi, duke i bërë një përshkrim të shkurtër punës së tij shumëvjeçare, në përurimin e librit e atij libri, theksonte se besa si institucion, sublimon të gjitha vetitë pozitive të moralit shqiptar.

Ai citoi një shkrimtar francez i cili në shkrimet e tij cek se “feja e shqiptarëve është besa“. Besa dhe kanuni i Lekë Dukagjinit, u shpreh akademik Krasniqi, kanë qenë së bashku ligje të përmbledhura për nevojat e atëhershme që kanë pasur rolin e rregullimit te jetës fisnore, zakonore dhe tradicionale në trojet shqiptare. Mark Krasniqi ishte nxitësi dhe organizatori kryesor i ngritjes së monumentit të Skënderbeut në Prishtinë më 28 nëntor 2001. Iku rilindasi i fundit i shqiptarisë se sotme. Deri në frymën e fundit shkroi e la amanete, punoi për Kosovën që e rriti dhe e bëri ndër intelektualët më të shquar të kombit. Le të mbetet preludi i jetës së tij, bashkimi i kombit, amanet për brezat a ardhshëm të shqiptarisë. E madhe dhimbja, i lehtë dheu i Kosovës nënë që do ta mbajë Mark Krasniqin!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat