Znj. Vjosa Osmani është simbol i Demokracisë, Rugovizmit, Atdhedashurisë si dhe levë e krenarisë shqiptare

Opinione

Znj. Vjosa Osmani është simbol i Demokracisë, Rugovizmit, Atdhedashurisë si dhe levë e krenarisë shqiptare

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 7 prill 2020 Në ora: 11:41
Vjosa Osmani

Të shkruash për figurën poliedrike të znj. Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës, si gazetar apo analist, nuk është fare punë e lehtë, sidomos në rrethanat aktuale politike që po kalon Kosova, duke marrë guximin që ta portretizosh një zonjë, një grua, një intelektuale, një profesoreshë me diplomë të Doktoranturës në shkencat e së drejtës ndërkombëtare, një politikane të shquar shqiptare, dhe tërë këtë gamë vlerash ta përmbledhësh në një skicë të shkurtë gazetareske, është pa dyshim, një sfidë  e madhe.

Pra, nuk është hiq e lehtë të japësh vlerësimin për një intelektuale të ndritur shqiptare, e cila tërë jetën dhe karrierën e vetë profesionale dhe politike e ka ndërtuar stoikisht, me guxim, furishëm dhe fuqishëm mbi fatet, vuajtjet, sakrificat, sukseset dhe ngecjet e popullit shqiptar të Kosovës në këto njëzet vitet e fundit, siç është Prof. Dr. Vjosa Osmani.

Po ashtu, të pasqyrosh gjithë veprimtarinë politike dhe kombëtare të znj. V. Osmani, duhet ta shkruash nga një libër veç e veç, qoftë si një grua intelektuale, apo si politikane e re shqiptare, e cila me punën e saj të zellshme e ka mbushur bagazhin jetësor të saj plotë me vlera dhe suksese, qoftë në aspektin kombëtar, qoftë politik, që në fakt e përbëjnë personalitetin e shquar dhe emblematik të saj në shoqërinë shqiptare, që në veçanti është dalluar në fushëveprimtarinë politike.

Znj. Vjosa Osmani, si mjaftë e re është kyçur në jetën politike, duke u bërë anëtare e LDK-së, gjithnjë e afërt dhe përkrahëse e idealeve dhe filozofisë politike të presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, e kalitur dhe edukuar në frymën kombëtare të gjeneratës së pavarësisë, më pas edhe bashkëpunëtore e afërt e presidentit Rugova, ajo, me kalimin e viteve falë punës dhe përkushtimit të madh për ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë politike dhe kombëtare të presidentit Rugova, do shndërrohet në simbol të femrës shqiptare në politikë, duke u ngritur në piedestalin më të lartë të një politikaneje moderne, duke punuar gjithnjë në realizimin e plotë të ëndrrave dhe synimeve kombëtare të popullit shqiptar në Kosovë.

Me një fjalë, politikanja e re dhe e talentuar, Vjosa Osmani, çdoherë do e mbron dhe ruan me konsekuencë deri në këto çaste, trashëgiminë politike “Rugoviane”, për t’u bërë “kala” e “Rugovizmit” brenda dhe jashtë LDK-së, e cila asnjëherë nuk u thye dhe as nuk u përkul para shumë shantazheve që iu bënë asaj pas vdekjes së Presidentit Rugova, ngase ishte fort e bindur, se rruga dhe vlerat që na i trasoi, ishin dhe mbetën platformë e vetme për bërjen e Kosovës shtet të mirëfilltë sovran, demokratik dhe të pavarur!

Këto vlera dhe këtë Program nacional, Vjosa, asnjëherë e tradhtoi, nuk e shkeli dhe as nuk e shkatërroi, siç bënë shumë kameleonë dhe ardhacakë në LDK, duke e luftuar dhe rrënuar me çdo mjet dhe metodë filozofinë dhe trashëgiminë politike dhe nacionale të presidentit Rugova!

Rrugën e saj plotë me gjemba, siç e tha vetë znj. Vjosa Osmani, në fjalimin e saj të fundit në Kuvend (25 mars), madje pranë shumë kërcënimeve për ta përjashtuar nga partia, pranë keqpërdorimit të autoritetit, besimit në popull si dhe aktivitetin e saj politik, etj., ia doli që ta mbajë lartë krenarinë e femrës dhe politikanes shqiptare, duke e ruajtur qetësinë dhe kulturën e fjalës, mendimin e lirë si dhe mos fyerjen e oponentëve dhe ofenduesve të saj hipokritë brenda dhe jashtë partiak.

Ata, në vend se t’i bashkoheshin kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e ta përkrahin dhe rreshtohen pas saj, duke mos e votuar mocionin e turpit për rrëzimin e qeverisë “Kurti”, pra duke e mbështet simbolin e demokracisë në Kosovë, Vjosa Osmanin, të bashkohen me gjeneratën e re të politikanëve shqiptarë, e cila tanimë veç i ka marrë fatet e atdheut tonë në duart e veta, në krye me Albin Kurtin, kryeministër, si dhe të bëhen bashkë me rininë tonë më të bukur në botë, e cila nuk i duron më dallkaukët, oligarkët, hajnat, uzurpuesit dhe shkatërruesit e shtetit tonë, ata, dhe ato 82 duar të ngritura në Kuvend kundër vetvetes dhe të ardhmes së Kosovës, për fat të keq, u bënë bashkë me kurbën e krimit, u bënë robër të interesave meskine të një mendësie diktatoriale komuniste, si dhe skllevër të iluzioneve fantazmë, sipas asaj thënies popullore, se “më mirë është të jesh qen i të pasurit, se sa zengjin i të varfrit..”!?

Por, ata të cilët nuk jetojnë me ngjarjet, kohën, ndryshimin e epokave, rritjen dhe ndërrimin e gjeneratave, që nuk i respektojnë ligjet e natyrës si dhe ndryshimet globale në botë, ata që thërrasin në derdhjen e gjakut dhe në luftë civile, duke bërë akuza ndaj rinisë tonë të mrekullueshme dhe shembull në gjithë botën, si në art, sport, kulturë dhe humanizëm, etj., pa asnjë dyshim, se do përfundojnë në oreolin e turpit dhe në shtyllën e zezë të historisë sonë kombëtare!    

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat