E drejta e pavarësisë

Opinione

E drejta e pavarësisë

Nga: Prof. Dr. Mehdi Hyseni Më: 7 prill 2020 Në ora: 15:51
Prof. Dr. Mehdi Hyseni

Sipas normave dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare, e drejta e pavarësisë  nuk njeh asnjë formë varësie nga ndonjë pushtet  të ndonjë shteti tjetër. Me një fjalë vetë sovraniteti është pavarësia e një shteti.

Në përputhje me të drejtën e pavarësisë, shteti ka të drejtë të jetë i lirë dhe i pavarur nga mbikëqyrja dhe kontrolli i cilitdo qoftë shtet tjetër , në mënyrë që t’i ushtrojë të drejtat, liritë, detyrimet, kompetencat, autorizimet dhe përgjegjësitë e plota qoftë  në kuptimin e së drejtës së brendshme, qoftë në kuptimin e së drejtës  ndërkombëtare, me rastin e përcaktimit të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit me vendet e tjera të bashkësisë ndërkombëtare.

Pothuajse është vlerësim i njëzëshëm i autorëve juristë të së drejtës ndërkombëtare, se e drejta e pavarësisë është një nga të drejtat parësore të shteteve të njohura ndërkombëtarisht. Ky nocion juridik i së drejtës ndërkombëtare përbëhet nga: 1)Pavarësia e brendshme dhe  2) Pavarësia e jashtme. –Pavarësi e brendshme quhet e drejta e një shteti, të cilën askush nuk ka të drejtë t’ia cenojë, duke pretenduar të përzihet në punë të brendshme brenda kufijve të tij shtetërorë. Ndërkaq, pavarësi e jashtme, do të thotë të drejtën e shtetit për të vepruar lirisht në kuadrin e së drejtës ndërkombëtare.

Prandaj, si në kuptimin  e së drejtës së brendshme, ashtu, edhe asaj të jashtme,  do të thotë se, asnjë shtet tjetër nuk ka të drejtë të përzihet në punë të brendshme të një shteti të pavarur. Së këndejmi, as Serbia si ish-shtet kolonialist, militarist, hegjemonist dhe gjenocidal(1912-1999), nuk ka asnjë të drejtë të përzihet  dhe të ndërhyjë në çështje të brendshme të shtetit të ri të pavarur të Kosovës (17 shkurt 2008).

Pra, thjesht, një shtet është  i pavarur nëse  shtetasit e tij gëzojnë të drejtën e plotë, që në mënyrë të mëvetësishme të marrin  vendime politike  dhe juridike të ligjshme brenda kufijve  territorit të vet.

Një shtet, i cili vihet në gjendje varësie qoftë nga  partneriteti i ndonjë aleance të krijuar miqësore apo nga armiqtë kolonialistë shekullorë apo neokolonialistët,  as de fakto e as de jure nuk  mund të quhet i pavarur në kuptimin e plotë juridik të së drejtës ndërkombëtare ngase  në territorin e vet nuk ushtron summa potestas sovranitetin, as pavarësinë e as të drejtën e vetëvendosjes së bendshme dhe të jashtme.

Gjithashtu, edhe sipas vlerësimit doktrinar shkencor të juristit, të diplomatit dhe të specialistit të famshëm italian të së drejtës ndërkombëtare, Dionisio Anzilotti “(1867-1950), i cili ishte edhe President i Gjykatës së Përhershme Ndërkombëtare të Drejtësisë së Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, gjatë viteve 1928-1930”, rezulton se, realizimi i   së drejtës së pavarësisë nuk është asgjë tjetër, veçse kur një shtet i njohur ndërkombëtrarisht, në asnjë formë nuk i nënshtrohet dhe nuk  është i varur nga ndonjë pushtet  i ndonjë shteti tjetër, apo  nga ndonjë grup i shteteve të tjera. Si rrjedhim, pPavarësia e kuptuar në këtë mënyrë, de fakto dhe de jure, në thelb është vetëm gjendja normale  e një shteti të pavarur dhe sovran sipas së drejtës ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat