Grahmat e fundit të “elitës kombëtare”, ndërrimi i gjeneratave dhe zgjimi i vonuar politik në Kosovë..!

Opinione

Grahmat e fundit të “elitës kombëtare”, ndërrimi i gjeneratave dhe zgjimi i vonuar politik në Kosovë..!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 10 prill 2020 Në ora: 11:18
Rexhep Elezaj

Se, lukunia e djallëzore brenda qenies së ashtuquajtur “elitë kombëtare”, e mbështetur nën rrogoz nga grupet kriminale të dala nga egocentrizmi ideologjik marksist-leninist-enverist, në bashkëpunim të ngushtë me nostalgjikët ish jugosllav të instaluar nëpër pikat kyçe të shtetit dhe shoqërisë kosovare, kryesisht përmes dhunës, shantazhit e deri tek vrasjet dhe likuidimet e kundërshtarëve politik, etj., i ka grahmat e fundit para vdekjes klinike e cila po i ndodhë para syve tanë..!

Ka shumë faktorë determinues social dhe politik që kësaj “elite” kancerogjene i kanë mundësuar ngritjen (hipjen) mbi kombin dhe shtetin, qysh në rrethanat e luftës kur Kosova po zbrazej me dhunë drejt Bllacës, Stankovecit, Morinës dhe Rozhajës, por elementi më kryesor që e ndihmoi ta marrë flamurin e “shpëtimtarit”, ishte pa dyshim, mungesa e moralit kombëtar, e patriotizmit, humanizmit si dhe shpirti prej varfanjakësh, robërve të vegjël që brenda vetes e kishin vrarë ndjenjën e sakrificës për kombin dhe atdheun, duke e privilegjuar vetveten përmes krimit të organizuar me qëllim për t’u bërë “dikushi” nga askushi, siç thotë populli..!?

Sa ka qenë e vërtetë nuk dihet, por në bisedat menjëherë pas luftës me miq dhe bashkëkombës të mi, një fshatar serb diku nga rrethina e qytetit tim, iu paskësh thënë disa shqiptarëve ende pa mbaruar lufta, shikoni; “nëse pas luftës njerëzit tuaj i shihni duke vjedhur shtëpi dhe dyqane të shkatërruara nga lufta, mbajeni mend, ju shqiptarët nuk do arrini kurrë të bëni dhe mbani shtet, por nëse nuk do të vidhni, shtetin do ta keni të sigurt..”.!?

I sakët apo jo ky rrëfim, brenda tij ka një fakt të pamohueshëm që e dimë të gjithë, se me të hyrë në Kosovë të forcave të KFOR-it, gjithandej pa përjashtim, ka pasur vjedhje masive, hajni, plaçkitje, uzurpime, dhe ç’ është më e turpshmja, janë vjedhur çati-kulme dhe orendi nga shtëpitë e romëve dhe ashkalinjëve, gjë që për këto veprime të turpshme kam pasur polemikë të ashpër me z. Tilman Zülch, kryetar i shoqatës gjermane “Gesellschaft für Bedrohte Völker” (Shoqata për popujt e rrezikuar) me seli në qytetin Tübingen (shkresat i posedoj), i cili në gazetën e tij publikonte fotografi nga Kosova duke u vjedhur shtëpitë e komuniteteve në fjalë, shoqatë kjo e cila e kishte ndihmuar popullin shqiptar para luftës me ndihma të shumta humanitare..!?

Mjerisht, ato krime kanë vazhduar të bëhen në emër të luftës çlirimtare, të cilën e njollosën hajnat ordinerë ende pa u tha gjaku i mijëra dëshmorëve, duke e grabitur të drejtën për uzurpime si “çlirimtar” të popullit, ndonëse asnjë çlirimtarë i vërtetë nuk mbahet mend të ketë marrë pjesë në vjedhje dhe uzurpime që bëheshin në ato vite, nga të cilët edhe sot e kësaj dite ka të tillë që banojnë me qira dhe janë të papunë..!?

A ka dikush që mund ta justifikon sot atë logjikë gllabëruese si dhe ato akte kriminale, antiligjore, anti-humane, antikombëtare dhe shkatërruese qysh në embrion të shtetit, për të cilin shqiptarët kishin luftuar me shekuj, ngase pikërisht një veprim dhe grykësi e tillë do e fuste Kosovën nën prangat e grupeve kriminale, të uzurpuesve të pa shpirt, të pa edukatë, të pa moralë, të pa fe dhe atdhe, e që nuk lanë gjë pa vjedhur kudo që u organizuan dhe u bashkuan për t’u pasuruar sa më shpejt, pa mund dhe djersë, si pirat plaçkitës të pasurive të popullit dhe shtetit, për të cilin gjoja kishin “luftuar”..!?

Në çdo shoqëri dhe shtet ligjor lufta, sakrifica dhe kontributi për arritjen e lirisë nuk e justifikon kurrë hajninë, shkeljen e ligjeve, dhunimin e normave morale dhe kombëtare, duke i vjedhur pasuritë e popullit, duke e grabitur pushtetin në emër të luftës çlirimtare etj. Nuk ishte Kosova vendi i parë në Evropë që po dilte nga një luftë shkatërrimtare me Serbinë, e që “çlirimtarët” e saj ta plaçkitnin aq pamëshirshëm, sepse të gjitha vendet perëndimore të dala nga LDB-re nuk e vodhën pasurinë e shtetit dhe popullit të vetë, dhe nëse kishte raste të tilla, aktorët janë dënuar me burg, ani se lufta e kishte e bërë ato rrafsh me tokë, sikur Gjermaninë për shembull, etj. !?

Jam i sigurt se këtë logjikë degraduese të Kosovës e ka ushqyer, pikërisht “elita politike” mafioze, e cila siç e dimë nga “Rogneri” dhe disa qendra në Perëndim dërgonte në “teren” direktiva, se kush duhej ta merrte dhe kush jo primatin e “burrave” udhëheqës të shtetit, i cili as që dukej diku në horizont, meqë Kosova po hynte nën administratën e OKB-së, dhe kështu me radhë..!?

E deshi apo nuk e deshi kjo “elitë” tajkunësh mafioz, i pëlqeu apo jo oligarkisë pro-sllave ndërrimi i gjeneratave në Kosovë, ku për fat të mirë ndryshimi historik në favor të popullit po ndodhë çdo ditë, ani pse agonia dhe katrahura me popullin zgjati mbi 20 vite, 6 tetori 2019 e tregoi qartë se, sado që zhgënjimi dhe zgjimi politik i popullit mund të vonohet, ai domosdo do ndodhë një ditë si triumf dhe fitore ndaj dhunuesve të vullnetit të popullit, i cili si synim nacional ka pasur gjithmonë aspiratën për t’u bërë pjesë e botës demokratike, ku sundon ligji, morali si dhe e drejta për barazi dhe jetë me dinjitet për të gjithë njësoi..!     

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat