Krenaria dhe zhgënjimi

Opinione

Krenaria dhe zhgënjimi

Nga: Milazim Maraj Më: 10 prill 2020 Në ora: 16:49
Milazim Maraj

Sot mbushen 21 vjet nga Beteja e Koshares. Ajo është një nga betejat më të rëndësishme dhe më të suksesshme të shqiptarëve të Kosovës për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar që nga viti 1913 sepse: Kjo luftë është shembulli më i mirë çka mund të bëjmë kur bashkohemi. Në Koshare kishte luftëtarë nga të gjitha trevat shqiptare, kishte dialekte të ndryshme, ideologji të ndryshme kultura dhe tradita që ndryshojnë, por qëllimin e kishin të njëjtë dhe përkushtimin korrekt. Në këtë luftë u vërtetua që kur shqiptaret bashkohen, krijojnë marrëveshje dhe besë thyejnë ushtrinë që e quante veten ushtri qiellore. Për këtë nuk ka besuar askush. Për thyerjen e kufirit lajmëruan shumë agjenci të Botës dhe Evropës por jo Serbia, kuptohej nuk e pranonte humbjen e turpshme që kishte pësuar nga shqiptaret, por as televizioni shqiptarë edhe pse në TVSH ishte një sektor që jepte lajme për Kosovën ky lajm u mbajt në heshtje deri më datën 21.04.1999. Pse heshtej për këtë ngjarje kaq të madhe? Kjo do të duhej të studiohej më vonë, nëse qeveria shqiptare respektonte marrëveshjen e Kretës dhe nëse sektorin e lajmeve për Kosovën e kishte urdhëruar Shtabi nga Rogneri.

Kufiri që lahej më gjak të shqiptarëve që tentonin të kalonin këtë kufi u hoq. GO3- realizoj objektivin e vet të afërt. Heqja e kufirit u bë më luftë frontale. Kjo heshtje nuk ndikoj keq tek oficerët dhe ushtarët patriot nga Shqipëria që të futën në radhët e këtij formacioni luftarak dhe të japin kontributin e tyre profesional dhe patriotik. Në Karakollin serb të vendosur në tokën tonë tani valonte flamuri shqiptarë. Kjo fitore ishte motiv jo vetëm për luftëtarët tonë në GO-3 por për krejt popullin shqiptarë kudo që ishin. Në këtë luftë u përdorën të gjitha llojet e armëve që Serbia i kishte në dispozicion, duke përfshirë edhe ato të ndaluara me konventa ndërkombëtare. Disiplina në luftë, besimi në armë dhe në komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës zgjoj simpati të ekspertëve të ushtrive serioze anëtare të NATO-s dhe SHBA-ve, që po përcillnin këtë luftë; trajtimi i të plaguarve dhe robërve të luftës, respekti për eprorin, për njëri-tjetrin, shfrytëzimi i municionit dhe materialit tjetër për luftë ishin cilësi që po dukeshin pothuaj të secili ushtarë, kjo ngriti në masë të duhur respektin e analistëve ushtarak që po përcillnin këto luftime për këtë ushtri të re. Kjo luftë tregoj se gabimet historike mund dhe duhet të korrigjohen edhe pas 87 viteve.

Serbisë ju bë e qartë së me shqiptaret nuk ka lojë dhe se Kosovën e ka humbur përgjithmonë. Me këtë luftë u vulos liria, pavarësia e Kosovës. Tani pas luftës doli në skenë një realitet tjetër, gara për uzurpime dhe grabitje. Situatë zhgënjyese, e rrezikshme, grabitej çdo gjë që kishte mbetur nga serbët. Lufta për grabitje dhe uzurpime nuk u ndal vetëm në gjëra materiale; ajo kaloj edhe në uzurpimin e meritave për luftën, për organizimet e çka jo tjetër. Pas lufte ata që kishin punuar dhe luftuar ishin spiun dhe këta që mbanin spiunët pas veti ishin patriot. Çështja e meritave u bë treg “gjithçka për një euro” Në këtë luftë u kyçën edhe ata që kishin bashkëpunuar me serbët deri sa ata ishin këtu. Kjo ndikoj që të fryhen listat e veteranëve dhe dëshmorëve që më vonë, jo vetëm që e komprometuan luftën çlirimtare por sollën shumë probleme në gjendjen ekonomike të veteranëve të vërtetë.

Përmes të analfabetëve të faktorizuar duke shfrytëzuar rregullat e demokracisë dhe mashtrimet arritën në maje të piramidës së shtetit të Kosovës. Në këtë formë kapën Kosovën e lirë dhe të pavarur e viktimizuan për herë të dytë dhe vranë shpresën e shqiptarëve për jetë të qetë dhe të mirë. Pas kësaj gjendje kaotike pasoj dukuria e shpërnguljes, shtetet që na njohën Kosovën filluan të tërheqin njohjet, miqtë tanë, pas disa vërejtjeve që u dhanë pushtetarëve të pa përgjegjshëm u stepen dhe po shihnin për çudi. Një përfaqësues i një shteti mik pas disa reagimeve kishte thënë:” Kur ju kërkoni të ju përkrahim ne jemi këtu dhe ju përkrahim. Por kur ju talleni më veten dhe të ardhmen tuaj ne qeshim”. Jo rastësisht tani më kujtohet fjala e ish Presidentit të SHBA- Bill Klinton i cili pas luftës në Kosovë na porositë, po e perifrazoj ”Luftën e bëmë bashkë, pas luftën duhet ta bëni ju”.

Pas lufta në Kosovë filloj me vrasje të njerëzve të devotshëm, patriot të sprovuar, në politikë, organizime të shtet-formimit, në luftë dhe kudo që e kishte kërkuar nevoja e atdheut. Zgjedhjet u bënë të shpeshta, lakmia për pushtet, e pasuri të shpejt u bë virtyt dhe në vend që të zbuloheshin kriminelët ata arritën të i vjedhin zyrat e dëshmive. Kështu viktimat në Kosovën e lirë tani jetojnë të pa sigurt dhe i pa kënaqur kurse krimineli jeton i qetë dhe i pasur. Korrupsioni ka kapluar kryesitë e pothuaj të gjitha subjekteve politike në Kosovë ndërsa gjeneratat e reja truri i Kosovës ik çdo ditë pa adresë dhe pa shpresë. Një fjalë e urtë popullore shqiptare thotë, çdo gjë këputet nga të hollit vetëm zullumi nga të trashit. Kjo luftë nuk po del të jetë e lehtë dhe e pa dhimbshme, por është e domosdoshme dhe sa më herët të jetë më mirë. Në Kosovë duhet të ndjehen të lirë dhe të lumtur të gjithë qytetaret. Kjo do të ndodhë, vonesa varet nga vendosmëria, përcaktimi dhe sakrifica jonë në veçanti e gjeneratës së juaj. Urojmë të zgjatë sa më pak!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat