E qara e mortit dhe gazi i puçistëve

Opinione

E qara e mortit dhe gazi i puçistëve

Rushit Ramabaja Nga Rushit Ramabaja Më 11 prill 2020 Në ora: 17:58
Foto ilustrim

Në këtë stinë të pandemisë globale, në javët e zizë së mortit, në Kosovë u hap fronti i luftës politike, më i acartë dhe më i veçante se kurrë që nga përfundimi luftës me Sebinë. Në vijën e frontit u vunë përballë njëri- tjetrit – në njërën anë Covid-19, Isa, Hashimi dhe të katër krerët e PAN-it, në anën tjetër LVV-ja, Albini, Vjosa, qytetarët (me pleq, me gra, me fëmijë e me burra pa përjashtim), pjesa më e madhe e shoqërisë civile dhe mund të them i gjithë Perëndimi (Evropë e SHBA), përveç Grenellit, e cili në prag të puçit parlamentar, deklaroi se po gëzohej shumë. Kjo u dha zemër veçan Isës e Hashimit që t’i yshtnin sançopançot deputetë ta votonin mocionin e mosbesimit. Shikuar në rrafshin etik, ky ishte veprimi më imoral i ndonjë opozite në kohe zie në botë. Nuk do të ndodhte kështu as në parlamentin spanjoll në kohën e Frankos, as në atë italian në kohën të Musolinit, po qe se populli ishte në zi, siç ndoshi tash.

Mëkati në sytë e brezave

Krerët puçistë, që do ta bartin mëkatin si devja gungën në kujtesën e gjithë brezave që do të vijnë, tash po thërrasin se duhet ta zgjedhin nje qeveri të re, ngaqë e tanishmja u rrëzua me 82 vota, pra me dy të tretat, prandaj e humbi legjitimitetin. As që duan të dëgjojnë për zgjedhje të reja në kohë pandemie e as që ta lënë këtë Qeverinë në detyrë derisa të kalojë sëmundja. Gjykuar sipas të gjitha sondazheve të deritashme, del se kundër këtij mocioni ishin mbi 80 për qind e qytetarëve. Dhe shtrohet pyetja e thjeshtë: a është parlamenti për t’u shërbyer qytetarëve, a qytetarët për t’i shërbyer parlamentit? Të gjithë e dinë se depputetët duhet ta dëgjojnë zërin e qytetarëve. Dhe në rastin konkret, ata kanë shkelë me të dy këmbët mbi vullnetin e shumicës së qytetarëve. Pra këta sonçopanço të mjerë, që ose u shërbejnë oligarkëve, ose hajdutëve të mëdhenj, ose kryetarëve të partive, por jo qytetarëve, herëdokur kur të ketë kaluar pandemia, duhet të përgjigjen para gjyqit për këtë puç të pabesë dhe qyqar.

Udhëheqësit e puçit, ndërkaq, duhet ta kenë të qartë se sa më i madh të jetë numri i deputetëve puçistë, aq më dhunshëm dhe më i kundërligjshëm është ky grusht shtet. Ky puç, mbi të gjitha është i pamoralshëm dhe i pabesë. Neve, si popull në tërësi, në sytë e botës, na kthen në kohën barbare, prandaj është i palavdishëm. Nuk e di a do ta kuptojë bota se puçin e bënë Isa e Hashimi duke harruar ligjet e qyteterimit të lashtë dhe duke shkelur mbi vullnetin e qytetarëve.

Puçistët ia kanë frikën dritës si vampirët

E qytetarëve të gjorë hajdutët e PAN-it për 20 vjet u zhvatën gjithçka. Nuk u lanë as këmishë në trup. I përzunë nëpër botë. Pas 20 vjetësh, kuptuan se kishin veç shpresën. Dhe atë, sa mbërriti pandemia, ua rëzuan përtokë. Këtë puç kurrë nuk do të guxonin ta bënin në kohë normale. Do t’i zmbrapste revolta popullore. Prandaj zgjodhën kohën kur janë të ndaluara tubimet. Dhe nguten ta bëjnë vetë qeverinë para se të mbarojë pandemia, sepse, me të mbaruar zia e mortit, mbaron edhe koha e puçistëve. Janë si vampirët që vijnë nga errësira dhe humbin fuqinë me të feksur drita.

Gati askë nuk e çuditë kjo pabesi e krerëve të PAN-it në kohë pandemie. Ata s’ishin të gatuar për vepra të mira. Çuditen, mgjithatë, me Isa Mustafën. Ky, profesori e akademiku, në vend se ta mbyllte kurbën politike me vepra të mira e me fjalë të urta, siç do të kishte hije, po e mbyllë në orbitën e palavdishme të Hashim Thaçit, gjithsesi i mbuluar me turp. Kot i kanë premtuar se nuk do te shkojnë në zgjedhje.

Në këtë kohë krize të thellë politike e morale, do të ishte punë për së mbari qe Vjosa Osmani, bashkë me deputetët e dinjitetshëm, të shkëputet definitivish nga Isa Mustafa. Në zgjedhjet e ardhshme LDK-ja e Vjosës me siguri do të merrte rreth 90 për qind nga elektoratit i tashëm i LDK-së. Nuk besoj se ne zgjedhjet e arshshme Isa, Skënderi e Veliu do te kapërcenin pragun. Do të mbeteshin duke u zvarrisur diku në kufirin e ekzistencës, duke u vërdallisur me Fatmir Limajn diku te pragu ose duke u shkrire ne PDK.

Shkëputja e menjehereshme Vjosës nga LDK-ja e stërkequr do ishte dyfish e dobishme: do të zmbrapste PAN-in për të kthyer në pushtet hadutët e mëdhenj (dhe pa i zhvatur fondet që do të vijnë për zbutjen e pasojave te pandemisë) dhe do ta shpëtojë LDK-në pa rënë në greminë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat