Një varr edhe për tradhtarët e kombit! Po ku?!

Opinione

Një varr edhe për tradhtarët e kombit! Po ku?!

Prof. Enver Bytyçi Nga Prof. Enver Bytyçi Më 14 prill 2020 Në ora: 08:29
Hashim Thaçi dhe Edi Rama

Dikur, aty nga viti 1920 e deri më 1944, Shqipëria nuk kishte varr për tradhtarët e kombit. Por me vendosjen e diktaturës komuniste tradhtarët u bënë “heronj” dhe nacionalistët u bënë “tradhtarë”! Prandaj ende sot tradhtarët e kombit në majën e piramidës politike e shtetërore në Tiranë shpresojnë te kjo lloj metamorfoze. Edhe përkundër veprave antikombëtare, siç është përpjekja për tjetërsimin e kufijve të kombit, ata besojnë se do ta kenë një varr në kryeqytetin e Shqipërisë. Madje kanë besim se do të ketë fansa të tyre, të cilët do t’u çojnë lule e do t’i kujtojnë për një kohë të gjatë. Në Kosovë lëvizjet stalinisto-enveriste e mbajnë gjallë këtë frymë të naltësimit të tradhtarëve dhe rrënimit të heronjve të kombit.

Megjithatë Kosova ende e ruan traditën e fisnikërisë dhe respektit për njerëzit, të cilët e duan vendin e tyre dhe luftojnë për lirinë dhe të drejtën e kombit të vet. Ndaj tradhtarët janë në dilemë: Cilën anë të mbajnë? Të ruajnë dinjitetin e tyre e të familjes dhe të vihen në mbrojtje të lirisë, pavarësisë, integritetit territorial dhe dinjitetit njerëzor, apo të punojnë kundër këtyre vlerave?! Njëzet e një vite pas luftës shqiptarët e Kosovës patën mundësinë që të ndajnë ata që luftuan për Kosovën me qëllim plaçkitjen dhe tjetërsimin e territorit të saj nga ata që luftuan me armë e me mendje për çlirimin e saj, duke sakrifikuar për ardhmërinë! Pas kësaj kreu i shtetit në ditën e kushtetutës shkon deri te tjetërsimi i thelbi të saj. E konsideroi dokumentin themelor të shtetit si një aset shpirtëror dhe teologjik, e cila thjesht plotëson nevojat për dinjitet njerëzor. Kësisoj, ai qëllimisht nuk përmendi faktin se Kushtetuta është kurani dhe bibla e shtetit me dy fondamentet themelore të saj: Jeta dhe mirëqenia e qytetarëve dhe mbrojtja e territorit.

Ata që si sot para 21 vitesh ishin në ekstazën e damkosjes si “tradhtar” të heroit të Kosovës, Ibrahim Rugovës, sot janë bërë palë me Rusinë dhe Serbinë kundër Kosovës?! Nuk thonë kot, “Koha i shëron të gjitha plagët”! U deshën pak vite, ndoshta pak më shumë se një dekadë dhe shqiptarët në Kosovë e kudo në botë të mësojnë të vërtetën e madhe. Ta dallojnë heroin nga tradhtari dhe tradhtarin nga heroi. Të mësojnë të vërtetën historike dhe aktuale, të njohin nga afër pse asokohe u vu në skenë skenari i linçimit të Ibrahim Rugovës! Arsyeja ishte e thjeshtë: Të fshihej sa më gjatë të ishte e mundur tradhtia e atyre që akuzonin “për tradhti”! Kur Presidenti historik i Kosovës, Rugova, ndërroi jetë, në acarin e atij janari 2006, e gjithë Kosova u ngrit në këmbë dhe e nderoi birin e vet të shquar. Por pasardhësi i tij në politikën shtetërore me vetëdije po shkon drejt një fundi tragjik.

Me këto vepra antikombëtare ai rrezikon të mos ketë varr në Kosovë. Ndonëse pavarësisht kësaj, ai ta ketë një varr në Serbi ose Rusi! Mallkimi më i madh që i bëhet dikujt është “të humbtë varri”! T’u shoftë fara! Dhe këtë mallkim popujt dhe kombet e njëmendta ua bëjnë më së pari tradhtarëve të vendit, të cilët si të tillë janë edhe hajdutë, grabitqarë dhe bashkëpunëtorë me krimin dhe kriminelët! Të gjitha këto janë efekte që njihen tashmë. Pasojat i vuajnë qytetarët edhe në kohë pandemie. Ndryshe nuk kishte si të ndodhte që zanzibaristët e të gjitha partive politike të aplikonin rrëzimin e një qeverie legjitime në kohë pandemie. Ndryshe nuk ka sesi të ndodhë që për shkak të lojës serbe të Beogradit të destabilizohen në kohë krize shëndetësore shteti dhe institucionet shtetërore. Ndryshe nuk ka pse, siç e pohojnë edhe në intervistën e fundit Hopper e Serwer, të vazhdojë të fshihet e për pasojë të luhet për zbatimin e projektit të ndarjes së Kosovës.

Virusi Covid-19 është një rast kur secili prej nesh duhet të meditojë dhe reflektojë. Ky virus na kujton që secili është i përkohshëm në këtë botë. Ndaj secili duhet të mendojë jo për pushtet, pasuri e tradhti, por edhe për fundin e tij. Në fund të fundit secili prej nesh vetëm një varr do ta kemi tonin! Por çeshtja shtrohet se ku dhe sa njerëz do të na nderojnë, kujtojnë dhe respektojnë! Tradhtarët mbeten pa varr në atdheun e tyre. Ata mund të nderohen dhe respektohen nga armiqtë e kombit tonë. Dhe nëse kthejmë kokën mbrapa, kemi ndonjë shembull si ky!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat