Mos e diskriminoni popullatën, ndryshoni masat e fundit të kufizimit të lëvizjeve!

Opinione

Mos e diskriminoni popullatën, ndryshoni masat e fundit të kufizimit të lëvizjeve!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 15 prill 2020 Në ora: 21:50
Rexhep Elezaj

Nuk ka asnjë dilemë, se masat e përcaktuara nga MSH dhe ministri A. Vitia, të cilat kanë hyrë në fuqi nga sot në tërë Kosovën për kufizimin e lëvizjeve të qytetarëve, dhe atë sipas një orari të çuditshëm dhe eksperimental, i pa parë diku tjetër në botë, sipas numrit të parafundit në kartën e identitetit personal, përveç se janë jofunksionale, duke kufizuar lëvizjen e popullatës vetëm për një orë e gjysmë dalje në rrugë, qytet apo vende tjera, siç janë arat, kopshtet, parqet si dhe tokat që duhet punuar, mbase janë edhe masa diskriminuese!

Prandaj, është e paimagjinueshme se si për afër një muaj  masat paraprake, ku nga ora 17h e deri në ora 06h të mëngjesit lëvizjet ishin të kufizuara, ku siç dihet çdo gjë shkoi në rregull, dhe mu në kohën kur pritej zbutje graduale e tyre, nxirret udhëzimi për ashpërsimin e tyre, me arsyetimin se në disa komuna pati rritje të numrit te të infektuarve, ndërsa në shumë komuna tjera, për fat, ende nuk ka pasur asnjë rast të infektimit me COVID-19. Që nënkupton, se ideatori dhe përpiluesi i këtyre masave ka qenë jo objektiv në vlerësimin e rrezikshmërisë së përgjithshme në tërë territorin e Kosovës.

Është dashur të merret si shembull Gjermania, e cila deri më sot askund në territorin e saj nuk e ka kufizuar lëvizjen absolute të qytetarëve, në asnjë qytet të saj, edhe pranë numrit shumë më të madh të infektuarve (mbi 250 mijë) se sa në Kosovë (387), përveç se i ka ndaluar daljet në grupe më shumë se dy persona, dhe atë me distancë nga 2 metra, sepse nuk guxon në asnjë mënyrë të cenohet e drejta e lëvizjes së lirisë të qytetarëve, me vet faktin sepse kërkesat e jetës së përditshme janë kusht për jetë dhe punë për çdo individ. Në Gjermani qysh nga 20 prilli pritet të rihapen shkollat që mësimi të vazhdon tutje, të gjitha institucionet shtetërore, firmat private dhe kompanitë e ndryshme nuk e kanë ndërprerë punën, përveç dyqaneve dhe restoranteve në  sektorin privat, meqë nuk guxon që një shoqërie t’i paralizohet jeta në masën sa qytetarit t’i rrezikohet ekzistenca e tij si qenie njerëzore dhe biologjike!

Po ashtu, kufizimi total i lëvizjes dhe mos daljes nga izolimi shtëpiak i të moshuarve mbi 65 vjet, kryesisht pensionist, është masë diskriminuese e llojit të vetë, sepse ka mjaft të moshuar që jetojnë të vetmuar, pa familje, dhe në vend se atyre t’u ofrohet kujdesi intensiv shtetëror si dhe ndihma financiare të nevojshme, si shtresa më e rrezikuar e shoqërisë, jo nga 30 euro(!?), por së paku nga 100 euro, atyre iu ndalohet dalja nga shtëpia, kur dihet se për personat e kësaj moshe daljet në shëtitje dhe ecjet në parqe dhe pyje të freskëta i kanë më se të nevojshme, pikërisht me rekomandime të OSHB-së, që në fakt, me ndalimin e daljes për të lëvizur iu cenohet një e drejt vitale për të qenë të shëndetshëm!

Nisur nga praktika e sotme, se një orë e gjysmë është e pa mjaftueshme dhe shumë e pakët për t’i kryer obligimet familjare, si dhe zbatimi i saj sipas numrit të parafundit të kartës së identitetit, e që mijëra njerëzve disa numra, si p.sh. nga numri 7 deri në 9, iu bije në kohë tejet të papërshtatshme, pra ato nga ora 18 e tutje, që janë krejtësisht jo funksionale, sepse asgjë prej gjëje nuk mund të punohet ose të kryhet në atë orë të vona të mbrëmjes.

Prandaj, është e domosdoshme që ministri i shëndetësisë, z. A. Vitia dhe kompetentët pranë Institutit kombëtar për shëndetësi t’i rishqyrtojnë masat e fundit për kufizim të lëvizjeve, sepse qëllimi ynë si shtet nuk është, që në njërën anë ta mbrojmë popullatën nga rreziku i pandemisë globale të Virusit Korona, kurse në anën tjetër ta dëmtojmë jetën dhe punën e shumicës së popullatës me masa jo racionale, e besa edhe diskriminuese..!?  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat