Kosova po “vdes”, monstrumi i ri po lind

Opinione

Kosova po “vdes”, monstrumi i ri po lind

Nga: Shaip Jashari Më: 22 prill 2020 Në ora: 11:07
Shaip Jashari

Populli i Kosovës lirinë e ka paguar me çmimin më të lartë të mundshëm.  Më 1878 Kongresi i Berlinit, 3/4 e territorit të Kosovës i falen Serbisë e Malit të zi, po në atë vit fillon holokausti më i gjatë e më i tmerrshëm n `historinë e re të popujve Evropian, HOLOKAUSTI I KOSOVARËVE-DARDANËVE. Shpërngulen me dhunë popullata civile, vriten masakrohen pa dallim fëmijë, gra, burra, pleq nga ushtria e Serbisë. Gjenocid i kryer me leje të një marrëveshje ndërkombëtare të kohës, ndaj një populli të pambrojtur. Arsyeja e një rrjedhe të tillë apokaliptike ishte mungesa e një udhëheqje të mençur e patriotike kosovarë e cila që atë kohë do kërkonte nga Kongresi i Berlinit krijimin e shtetit të Kosovës në territorin që posedonte tokat e Dardanisë së dikurshme, një krekës e tillë me bazë të fortë historike e faktike Bizmarkut do ja pamundësonte refuzimin apo kualifikimin e njohur "Shqipëria është vetëm një term gjeografik".

1912, Serbia me leje prapë të fuqive aleate Evropiane hyn me ushtri në territorin e mbetur të Kosovës "post berliniane 1878", për të ndjekur ushtrinë turke, okupohet vendi ynë (kufijtë e tashëm), Serbia nuk tërhiqet më, kryhen masakra të tmerrshme mbi popullatën kosovare, shpërngulje me dhunë e shkatërrim, fillon kolonizimi i Kosovës. Holokausti vazhdon,- 1918-1940, 1945-1966, 1968, 1981-1999. Holokausti i kosovarëve i filluar më 1878 përfundon më 1999 me intervenimin e SHBA-ve dhe NATO-së, pas më shumë se 120 viteve fitohet liria me çmimin më të lartë të mundshëm, humbje të mëdha në njerëz dhe humbje të më shumë se 30 mijë km. katror territor të Kosovës.

1999-2020, po i përmendi disa nga iniciativat e udhëheqësve të lartë të shtetit për të zgjidhë problemet me Serbinë:

"Duhet t`i japim fund konfliktit mbi 100 vjeçar në mes Serbisë e Kosovës". Nuk ka pas asnjëherë konflikt të armatosur në mes dy shteteve, ka pas për më shumë se 100 vjet gjenocid të ushtruar nga Serbia me ushtri të armatosur ndaj popullit të pambrojtur të Kosovës. Kjo iniciativë i shkon në favor Serbisë  ngase i arsyeton veprimet e sajë, në një "konflikt të barabartë të armatosur", të sajuar nga udhëheqës tanë dhe të Serbisë.

Iniciativa e pajtimit pa kushte, edhe kjo e prodhuar për të mbuluar krimet, gjenocidin e Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Paramendoni një iniciative të tillë pas Luftës së Dytë Botërore, për pajtimin e Gjermanisë me popullin e Izraelit pa kushte! Holokausti ynë ka zgjatë më shumë se ai i hebrenjve, me humbje edhe më të mëdha.

Iniciativa e iniciativa në kontinuitet, dhe veprime konkrete si trazirat e vitit 2004 etj..., gjitha të prodhuara në mënyre që të barazojnë Kosovën me Serbinë e me këtë të përgatisin terren të përshtatshëm për një marrëveshje nga e cila do humbin nga diçka  të dy palët, "marrëveshje e balancuar", siç e quan administrata Trump. Përgatitja e terrenit u bë e mundshme me bisedimet 10 vjeçare të udhëhequra nga Hashim Thaçi, pas shpalljes së Pavarësisë, njohjeve ndërkombëtare, vendimit të GJND-së, bisedime të cilat prodhuan zhvleftësimin e shtetit të Kosovës, e bënë Serbinë prapë hisedare edhe në 1/4 e territorit të mbetur të Kosovës së para 1878. 

Iniciativa e fundit e thjeshtësuar deri në absurditet fatal "të bëjmë marrëveshje , ta heqim Serbinë qafe", kjo me kujton fjalët e Blerim Shalës (tani këshilltar i Thaçit) në vitet e 90-ta, atë kohë njeriu i dytë i Partisë Parlamentare , në mbledhjet e kryesisë së zgjeruar që mbaheshin çdo të shtune, ka pas ide afërsisht të njëjtë: "Çdo zgjidhje për Kosovën e cila nënkupton heqjen qafe të Serbisë, është e mirëseardhur”.  Hashim Thaçin e Blerim Shalën i gjejmë prej Rambujesë e deri sot çdoherë në dialog me Serbinë, në fakt vetëm këta dy kan mbet prej fillimit, nuk janë ndërruar asnjëherë. 

"Heqja qafe e Serbisë", si dhe "ndarja e Kosovës"  të kamufluara në të ashtuquajturën marrëveshje finale, janë në dëm të Kosovës e në favor të Serbisë siç ishte edhe rrjedha e ngjarjeve prej 1878.

Një mendimtarë amerikan Thomas W. Higginson para fillimit të luftës civile në SHBA thotë: "Lira mundë të fitohet, por mundë edhe të hiqet".

Pas fitimit të lirisë më 1999, ja kemi rrasë gjumë të gjithë. Populli nga gjumi ka fillua të zgjohet tani kur po e vëren që liria, pavarësia , sovraniteti i shtetit po rrezikohet dhe mundë të hiqen, Intelektualët, akademikët, një pjesë e madhe nga gjumi i thellë ka ra në komë cerebrale e një pjesë e vogël e tyre janë shumë aktiv duke ndihmuar klasën politike të korruptuar e kriminale që të shpëtojnë nga Gjykata Speciale dhe ajo vendore përmes marrëveshjes finale "heqjes qafe të Serbisë".

Liria fitohet, si në rastin tonë, me çmimin më të lartë të mundshëm. Mbrojtja e lirisë është "luftë" në vazhdimësi që nuk guxon të ndalet.

Për fund dua ta parafrazoi Antonio Gramschin shkrimtarë, gazetar e politkan Italian:

"Bota e vjetër po vdes, e reja po vonon e ka vështirësi me lindë, në këtë kohë as dritë e as errësirë lindin monstrumët".

Monstrumin që po donë ta prodhojnë presidenti Hashim Thaqi, krijimi i Qeverise te re, edhe pse në dukje me dimension i vogël , përmasat shkatërruese i ka të një gjiganti stratosferik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat