Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa po e përmbysën rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, përmes puçit klasik komunist-stalinist!?

Opinione

Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa po e përmbysën rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, përmes puçit klasik komunist-stalinist!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 22 prill 2020 Në ora: 22:10
Rexhep Elezaj

Ditën kur Isa Mustafa, kryetar i LDK-së vendosi të dilte nga koalicioni bashkë qeverisës me LVV-je, duke marrë si pretekst shkarkimin e ministrit për punë të brendshme A. Veliun nga kryeministri Albin Kurti, si dhe duke iniciuar më pas mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë “Kurti” në Kuvendin e Kosovës, për njohësit e rrethanave politike në Kosovë ishte e qartë, se bëhej fjalë për skenar të koordinuar ngushtë midis tij (I.M.) dhe Hashim Thaçit për largimin e Albin Kurtit dhe LVV-je nga skena politike e Kosovës!

Se, kush qëndron pas këtij skenari, kush e futi në lojë dhe pastaj e tradhtoi Albin Kurtin, se cilat forca dhe qendra të vendosjeve ndërkombëtare si dhe figura me ndikim politik në Kosovë e mbështetën skenarin e H. Th. dhe I. M. për ta rrëzuar qeverinë “Kurti”, tanimë opinioni ynë i ka të njohur mirë, sikur që dihen edhe shkaqet se të kujt ishin interesat që në Kosovë të ndodhin përmbysje politike dhe kushtetuese, duke e larguar Albin Kurtin, si pengesë kyçe në zbatimin e planimetrisë ogurzezë për ndarje të Kosovës!

Pra, zbatimi i këtij skenari është në realizim e sipër, dhe këtë e tregoi qartë sot mbledhja e përfaqësueseve të partive politike tek presidenti Thaçi, e që ishte hallka e parafundit e këtij skenari..!?

Por, duke pas parasysh faktin, se nuk ka forcë në botë, qoftë ajo edhe fuqi e mëdha botërore, e cila mund ta shkelë vullnetin e lirë dhe demokratik të një populli, sado i vogël që të jetë ai, e themi me bindje të plotë, se sot ndaj rendit dhe sistemit kushtetues të Republikës së Kosovës u bë një grusht-shtet kundër vullnetit të sovranit, i cili me 6 tetor 2019, në zgjedhjet parlamentare besimin më të madh për ta udhëhequr vendin ia dha LVV-je dhe Albin Kurtit (220.000 vota), vullnet i cili fatkeqësisht në mbledhjen e thirrur nga presidenti H. Thaçi me partitë parlamentare, do përmbyset brutalisht, sepse sipas Nenit 95 të Kushtetutës, paragrafi 1. “Presidenti i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë". Po ashtu, në Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nr. K0103/14 të vitit 2014, Pika 81, shkruan decidivisht; se në këtë Nen mund të dallohen një serë elementesh:

(a) Presidenti i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër;

(b) në konsultim me partinë politike ose me koalicionin;

(c) që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend;

(r;) [e nevojshme] për të formuar Qeverinë.

Pra, Gjykata kushtetuese ka përcaktuar qartë, se “lidhur me këtë, presidenti i Republikës mund të konsultohet vetëm me partinë politike ose me koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, qoftë shumicën absolute, qoftë relative”, që i bie se  duke e shkelur rënd Kushtetutën e Kosovës, H. Thaçi dhe I. Mustafa  në një kohë pandemie të rënd me vetëdije të plotë vendin tonë po e fusin në një rrugë pa krye që mund të ketë pasoja të paparashikueshme..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat