Denoncimi i paligjshmërisë drejtuese, trazon klanorët

Opinione

Denoncimi i paligjshmërisë drejtuese, trazon klanorët

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 24 prill 2020 Në ora: 08:28
LDK

Dihet mirëfilli se anëtarësia e LDK-së jeton me ethet e ndarjes të saj. Është ky klan që e ka ndarë një herë LDK-në, dhe mund ta ndajë sërishmi. Duke kursyer modestinë, autori i këtij shkrimi, vite me radhë ka denoncuar këtë rrezik. Kam qenë delegat në tre Kuvendet e fundit "Zgjedhore" të LDK-së. Një maskaradë gërditëse "kuvendore". Asnjë debat, asnjë konkurrencë, (përjashto zgjedhjen e kryetarit në Kuvendin e 7-të), asnjë votim i fshehtë! E "drejta" e vetme e 355 ose 359 delegatëve ishte votimi tufëzues, aklamativ, fiktiv. 

Prandaj, bërtita, deri në çjerrje, thirrjen e përvajshme dhe dëshpëruese, drejtuar të 358 delegatëve, në Sallën ku mbahej Kuvendi i 9-të "Zgjedhor" i LDK-së: "O, skllevër të shekullit dixhital, mos votoni verbërisht dhe në tufëzim, paligjshmëritë e klanit, brenda Kryesisë të LDK-së!"

Ishte nënkryetarja e LDK-së, Vjosë Osmani, e cila denoncoi publikisht, se drejtuesit e LDK-së, strukturat e saj, prej shumë vitësh, nuk janë provuar me votën demokratike të anëtarësisë, të popullit, përveç deputetëve. Rrjedhimisht, strukturat e partisë dhe vetë udhëheqja qendrore, nuk kanë legjitimitetin, domosdoshmërisht, të nevojshëm. 

Thënë më troç, me mujshi e dredhi, klani brenda Kryesisë, ka uzurpuar e ngulfatur partinë, duke i bërë të paligjshëm edhe strukturat e partisë, kuadrot aktual, të cilët, në shumësinë e tyre, do ta kalonin suksesshëm edhe votën e fshehtë demokratike. Akuzë e rëndë, por, e bazuar katërcipërisht.

Kryetari I LDK-së, Isa Mustafa, kuadër i viteve `70-a, me pesë dekada përvojë politike, me trysni të vazhdueshme, nga klani që e trashëgoi të gatshëm, por, që e konsolidoi dhe stazhionoi çelikshëm, për ta hequr qafe, një herë e mirë, rebelen dinjitoze, rugovistën e thekur e besnike, Vjosë Osmanin, "hyri në valle!"

Fillimisht, klani mendoi t`i përdorë anëtarët e Kryesisë, për goditjen e Vjosës. Por, në këtë strukturë, ka kuadro të dëshmuar, për mbrojtjen e LDK-së, të anëtarësisë, elektoratin e saj. Ata, u rrekën me bandat Buja dhe Haradinaj dhe simotrat e tyre, duke rrezikuar vetën dhe familjet e tyre. Dhe, fituan betejën, ndërkohë që klani heshti, për ta vazhduar përballjen e mëtejme ligjore, për makro-uzurpimet, pëvehtësimet e pasurive shtetërore, si trashëgimi të brezave shqiptarë. "Blejë mallin me vezë, pastaj shit me lopë!"

Ndërhyrja e vendosur e kryetarit simpatik të Lipjanit, njëherit nënkryetar i LDK-së, Imri Ahmeti, se "REFUZOJMË", me paanësinë tonë, kyçjen në debatin e dëmshëm, për t`u bërë pjesë e lojërave djallëzore, stopoi revanshin e klanorëve, për goditjen nga lart të Vjosë Osmanit. Krejt i drejtëpërdrejtë ishte edhe kryetari i Pejës dhe nënkryetar i LDK-së, Gazmend Muhaxheri: "Vjosë Osmani nuk ka bërë asfarë tradhtie. Përkundrazi, i ka ndejur besnik premtimit të dhënë anëtarësisë, elektoratit, shqiptarëve, se do të luftojë krimin e organizuar, hajninë zyrtare dhe të këqijat e shumëta, që kanë bërë qeveritë e mëparshme. Nuk do të kemi koalicion me PAN-in dhe preferojmë Vetëvendosjen, pavarësisht orientimit majtist të saj.

Vlerësues real e dinjitar ka qenë edhe kryetari i Vushtërisë dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, Xhafer Tahiri: "Kryetarja e Kuvendit (Vjosë Osmani), është një nga vlerat më të mëdha, që e ka jo vetëm LDK, por tërë skena politike në Kosovë. Me profesionalizmin dhe qëndrimin e saj parimor është vlerë".

Reformatorët i mbijetojnë kohërat, sundimtarët harrohen

Kryetari Mustafa njihet si inatçi i madh. Këtë ligësi e ka trashëguar nga monizmi. Në regjimet staliniste, me akuza fiktive, i kanë dërguar në plumb, kundërshtarët politikë. Kundërshtinë e Vjosës, oponencën e saj, nuk e kapërdinë dot, nuk e harron. Për goditjen e saj, nxitet edhe nga klani i tij, sepse me votë demokratike, i mundë të gjithë. Si klan, kanë intriguar gjatë dhe kanë përfituar reciprokisht. Trysnia e tyre është për ta hequr qafe Vjosën. Andaj, Isa nuk u dorëzua, nga refuzimi në rangun e parë dhe, zbriti në rrjeshtin e dytë, tek Grupi i deputetëve dhe Këshilli i Përgjithshëm.

Isa Mustafa është idhnak, i thekur në intriga dhe dinakëri. Me goditjen e Vjosës, ai ka për qëllim përçarjen, goditjen selektive, deri në shuarjen e Grupit simpatik reformatorë, Grupin e të rinjëve, të ardhmen e LDK-së dhe të Kosovës, brezin e Republikës, gardën mbrojtëse të rugovizmit, të kryesuar nga dy luftëtaret e dinjitetshme, Donikë Gërvalla dhe Vjosë Osmani. Tashmë, disa syrësh e zbuluan vetën, në këmbim të një shpërblimi nga klani. Disa të tjerë nga ky grupim, flasin përçartë. Edhepse mësues Gjimnazi dhe gazetar profesionist, më duhet t`i rilexoj, për të kuptuar se çfarë bëlbëzojnë realisht!? E dhimbshme, skajmërisht mjerane!

Por, kjo do të jetë "Fitore e Pirros" e klanit Mustafa. Sepse anëtarësia, simpatizantët, elektorati i LDK-së, është me reformatorët, sepse koha, historia ka dëshmuar, se e ardhmja u përket, pikërisht, reformatorëve. Ndërsa, sundimtarët hileqarë autokratë, do të harrohen, si një ëndërr e trishtë, e keqe.  

Fushatë goditëse bolshevike dhe manipulative

Skemat fushatore bolshevike, janë unike për suksesin e tyre. Andaj edhe klani Mustafa, kësaj radhe ka kopjuar filosllavin stalinist, Enver Hoxhën, i cili zhvendosi gjyqësinë nga Pallati i Drejtësisë, në shtallat e derrave dhe të lopëve të kooperativës. Hoxha i Tiranës mburrej me demokracinë e përkryer, sepse baza kooperativiste gjykon dhe jep vendime, për t`i burgosur dhe plumbosur armiqtë e partisë, intelektualët e zëshëm e deri ke anëtarët e Byrosë Politike, shokë të luftës dhe të punës të Enver Hoxhës.

Me bujë e pompë, u proklamua se mbështetja për koalicionin, me bandën e PAN-it, është masive. "Nëndegët dhe Degët e LDK-së, anekënd Kosovës, autorizuan Kryesinë Qendrore të veprojë, në emër të tyre!" Ndërkohë që askush nuk e konsultoi, nuk e pyeti anëtarësinë! Gënjeshtër sa e madhe, aq edhe e turpshme! Kjo praktikë bolshevike e manipulative, tërësisht anashkaluese e mospërfillëse, është e përsëritshme, për shumësinë e vendimeve fatale, që ndërmerrë Qendra. Po hakmerrën ndaj anëtarësisë, me akuzën inatçore, "pse bëri trysni, për ta bërë koalicionin me Vetëvendosjen!" Klani Mustafa kishte preferencë PDK-në. Dhe, këtë nuk e kanë fshehur kryeklanorët!

Në orkestrimin sulmues, për ata që blasfemuan, duke kundërshtuar Mocionin e turpshëm mosbesues dhe refuzimin e koalicionit me bandën selektive PAN, u aktivizuan edhe në Mërgatën shqiptare. Kalemxhinj individualë e gruporë, anatemuan e fyen Grupin reformatorë. Ata folën në emër të Nëndegëve dhe të Degëve të LDK-së në Mërgatë, pa asfarë autorizimi. 

Një mashtrim përfid ndodhi me mbështetjen tufëzuese të Nëndegëve dhe të Degëve të LDK-së, në Evropën Demokratike. Refuzimet e disave syrësh, për koalicionin e pistë, shumë të dëmshëm për LDK-në, sepse amniston dhe rehabiliton krimin dhe hajninë zyrtare, për çka i dënoi populli në zgjedhjet e e 6 tetorit 2019, u konvertuan në aprovime të njëzëshme!?

Kuadro me integritet dhe personalitet të dëshmuar në dekada, krejt të qartë në daklarimin e tyre, se nuk kanë bërë kurrë dhe nuk do të bëjnë as tani, pazare me parimet e tyre, rezulton të jenë lënduar skajshëm, me tufëzimin e emrave të tyre, se, kinse aprovojnë koalicionin me bandën PAN!! Dhe, tani, po detyrohen të heshtin, në këmbim të ruajtjes të unitetit në parti. Fatalisht, e rëndë, e dhimbshme.

Ka ardhur koha, që baza LDK-iste, tashmë, e përgjumur, më në fund, të zgjohet, të bashkohet, për ta kthyer frymën rugoviane, debatin e lirë, konkurrencën e ndershme, votimin e fshehtë demokratik, për ta ruajtur e begatuar kështjellën e dikurshme, LDK-në e Presidentit Rugova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat