105 vjetori i nënshkrimit të Traktatit të Fshehtë të Londrës

Opinione

105 vjetori i nënshkrimit të Traktatit të Fshehtë të Londrës

Nga: Donika Hoti Më: 27 prill 2020 Në ora: 16:08
Donika Hoti

Traktati i Fshehtë i Londrës ishte një marrëveshje e fshehtë në mes të fuqive të Antantës dhe qeverisë italiane për t’i plotësuar pretendimet e imperializimit italian në Shqipëri dhe ambiciet ekspansioniste të Serbisë, të Malit të Zi, Greqisë, nënshkruar me 26 prill të vitit 1915. Traktati i Fshehtë i Londrës përfshinte disa shtete evropiane nën ndikimin e Anglisë dhe Francës, të cilat ishin të shqetësuar për kontrollin e krizës botërore. Ky akt kishte bërë të mundur të përfshinte shtetet të cilat vërtiteshin në nyjet e gjeopolitikës evropiane. Se si ishte arritur marrëveshja apo Antanta për të mbizotëruar në interesat strategjike për të kontrolluar hapësirat e zonat, të cilat ishin në influencën e disktueshmërisë. Pavarësisht se Italia ishte nën tryesninë diplomatike të Gjermanisë, por me pikëpamjet e saj ishte më e afërt me Anglinë dhe Francën, sepse, kërkesa imperialiste mund të realizoheshin duke u përfshirë në Antantë.

Ideatori i Traktatit të Fshehtë të Londrës ishte Sonnino i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij konservatorë. Figura e Sonninos ishte më e rëndësishmja në delegacionin italian si negociator që përfaqësonte një politikë të vjetër, e cila bazohej në interesat thelbësisht nacionaliste. Kjo është në kohën kur Europa në aspektin politik nuk ishte në gjendje të dilte nga propaganda dhe mentaliteti nacionalist, gjë që fuste në qerthullin arkaik dhe ndihej pa intelegjencë, për të aplikuar projekte të reja. Europa, rrjedhimisht pati probleme të mëdha brenda saj, pikërisht për vetë konceptin e gabuar nacionalist i cili po e skllavëronte me të madhe vetë Europën.

Draftimi i Traktatit të Fshehtë i Londrës u shfaq për herë të parë me 29 mars të vitit 1915, ku ministri i Punëve të Jashtëme të Italisë, Baroni Sonnino i paraqiti kolegut të tij britanik Edward Grey-t, një memorandum që përmbante një plan italian për coëptimin e Shqipërisë. Duke qenë se ky plan ishte në vija të përgjithshme me atë të Rusisë, Francës dhe Britanisë nuk patën arsye për të kundërshtuar. Kësisoj platforma e bisedimeve për arritjen e marrëveshjes midis Italisë dhe Antantës ishte hartuar. Negociatat zgjatën për disa javë dhe në fund kishte arritur marrëveshja dhe traktati i Fshehtë i Londrës, që përmbante copëtimin e Shqipërisë, u nënshkrua nga Italia dhe fuqitë e Antantës me 26 prill të vitit 1915.

Traktati i Fshehtë i Londrës erdhi si pasojë e kontraditave ndërmjet dy grupeve të fuqive imperialiste, si: Lidhja Tripalëshe (Gjermania, Austro-Hungaria, Italia) dhe fuqitë e Antantës (Anglia, Rusia, Franca). Lufta e cila filloi Austro-Hungaria kundër Serbisë në korrik të vitit 1914, ku një muaj më vonë u kthye në një luftë botërore me pjesëmarrjen e Gjermanisë krahas Austro-Hungarisë dhe të Anglisë, Rusisë e Francë krahas Serbisë. Ndërsa, Fuqia e tretë e njohur si “Trepaleshi”, Italia shpalli neutralitetin dhe njëkohësisht qëndroi jashtë luftës.

Në radhët fituesve të luftës ishte Italia një nga katër fuqitë kryesore, Greqia megjithëse ishte rreshtuar me Antantën në verën 1916 dhe Serbia e cila me 1 dhjetor 1918, vetëm njëzetë ditë pas mbarimit të luftës në mbështetjen e Antantës, ishte bërë pjesë e Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene. Këto shtete bënë sakrifica dhe pësuan dëme të mëdha njerëzore, materiale dhe financiare nga pjesëmarrja e luftës.

Të gjithë këta përfitues nga realizimi i Traktatit të Fshehtë të Londrës, prisnin formalizimin e tij nëpërmjet vendimeve që do të merrte Konferenca e Paqës, ku rolin kryesor e luanin Britania e Madhe dhe Franca. Këto dy shtete, megjithë kundërshtrmin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendosën reparacione shumë të rënda ndaj fuqive të mundura, sidomos ndaj Gjermanisë gjë që dërgoi në lindjen e nazizmit si pasojë shpërthimin brenda dy dekadave të Luftës së Dytë Botërore. Ndryshe veproi SHBA-ja mbas Luftës së Dytë Botërore, kur mbështeti rimëkëmbjen ekonomike të Gjermanisë dhe Japonisë, duke dënuar krimet dhe kriminelët e luftës dhe për pasojë prej treçerek shekulli është shmangur një luftë e re botërore.

Ky traktat i nënshkruar nga Franca, Britania e Madhe dhe Rusia me qëllim që ta përfshinte edhe Italinë. Në viti 1917, ndërkohë si komisar për çështje të jashtme, Leon Trocki zbuloi dhe bëri publike Traktatin e Fshehtë të Londrës e nënshkruar me 26 prill të vitit 1915 midis Italisë, Anglisë, Francës dhe Rusiste cariste për copëtimin e territorit të Shqipërisë. Sipas traktatit të Italisë do t’i jepte Vlora dhe Sazani. Greqisë, Korça e Gjirokastra dhe Serbisë dhe Malit të Zi, Shkodra dhe Kosova, ndërsa Shqipëria do të shndërrohej në një principatë myslimane me territoret e mbetura. Synimi i traktatit ishte për të tërhequr Italinë kundër Austro-Hungarisë. Traktati i Fshehtë i Londrës i publikuar, u përkthye në gjuhën shqipe nga austriakët dhe u shpërnda në të gjitha trojet shqiptare, duke shkaktuar indinjatë ndaj Italisë dhe vendeve fqinje, si dhe një ndjenjë për Rusinë, bolshevike që zbuloi traktatin.

Traktati i Fshehtë i Londrës, vlerësohet si një reflektim i ndryshimeve të përcaktuara në vitet 1913-1914, që do të thoshte se operacionet ushtarake në trevat shqiptare duhej të sillnin ndryshime faktike, të cilat ishin shoqëruar me ndryshime formale përmes neneve përkatëse. Në kontekstin juridik, Traktati prezanton një perversitet diplomatik të Shqipërisë, e cila ishte pohuar si shtet sovran në Konferencën e Londrës nëpërmjet vendimit të 29 korrikut të vitit 1913.

Si erdhi Traktati i Fshehtë i Londrës? Rivaliteti midis Fuqive të Mëdha arriti kulmin në vitin 1914, duke bërë që ato t’i drejtonin burimet e tyre, jo të pakta ekonomike e teknologjike në industrinë e luftës. Pika kryesore e Luftës së Parë Botërore ishte konflikti anglo-gjerman,i cili zgjati për shkak të rivalitetit midis Anglisë dhe Gjermanisë. Në përcaktimin e marrëdhënieve ndërmjet Fuqive të Mëdha, strategjike, përparësi ndaj afrive ideologjike morën, Kajzeri gjerman Vilhem II dhe Perandori Franc Jozef I që ishte thellësisht konservatorë dhe kundër demokracisë, që në të njëjtën linje ishte dhe Cari i Rusisë. Ata i bashkonte dashuria për autokracinë dhe urrejtja ndaj parlamentit. Rusia në fakt u bë aleate me Francën republikane dhe Britaninë e Madhe liberale.

Ndërsa, Ballkani u bë një front i rëndësishëm luftë për dy blloqe, i cili do të jepte edhe rezultatin final të luftës. Pozicioni i Italisë ishte në asnjërin bllok tani, në fillim për të tërhequr drejt vetes Italinë u përpoq Austro-Hungaria, duke i premtuar asaj territore. Mirëpo, Italia kishte hyrë në bisedimet paralele edhe me Antantën, e cila mundi t’i ofronte më shumë se Trepalëshe, duke arritur një aleancë më të. Traktati apo Pakti i Fshehtë i Londrës ishte oferta me anë të cilës, Anglia dhe Franca bindën Italinë të hynte në luftë në anën e Antantës. Traktati u nënshkrua me 26 prill të vitit 1915 dhe përmbante 16 nene, ndër të cilët pika 5,6 dhe 7 kishin të bëjnë me çështjen shqiptare. Pas nënshkrimit të Traktatit, me 24 maj 1915, Italia shpalli luftë Austro-Hungarisë.

Qëllimi kryesorë i Traktatit të Fshehtë të Londrës ishte që Italia do të linte Aleancën dhe do t’i bashkohej Antantës, duke i shpallur luftë Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë. Një muaj pas arritjes së traktatit në vitin 1916, i shpalli luftë Gjermanisë. Duke pasur garantimin e fitorës kundër Gjermanisë dhe aleatëve të saj, Antanta i premtoi Italisë përfitimet territoriale me përfundimin e luftës.

Çka përmbante Traktati i Fshehtë i Londrës? Sipas pikës 5 të traktatit parashihej se bregdeti shqiptar prej derdhjes së Bunës në veri deri në derdhjen e Drinit në jug, përfshirë edhe Shëngjinin, do t’i kalonte Serbisë dhe Malit të Zi. Sipas pikës 6 Vlora dhe ishulli i Sezanit i kalonte Italisë. Sipas pikës 7, Italia detyrohej të mos e kundërshtonte dëshirën eventuale të Francës, Anglisë dhe Rusisë, që pjesët veriore e jugore të Shqipërisë të ndaheshin midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë, ndërsa në Shqipërinë e Mesme, do të formohej shteti shqiptar “autonom”, i cili do të ishte nën protektorat të Italisë. Traktati u hodh poshtë në Kongresin e Lushnjës.

kryesore të traktatit që arritën të cenonin shqiptarët përmblidheshin në nenin 6, i cili përcakton të drejtën e Italisë për të marrë sovranitetin e plotë mbi qytetin e Vlorës dhe distriktin e saj, mbi ishullin e Sazanit dhe një territor të gjerë për të siguruar mbrojtjen e këtyre pikave, që nga Vjosa në veri dhe në lindje dhe afërisht deri në kufirin verior të Himarës në jug. Ndërsa, neni i 7 parashikonte, nëse pjesa qendrore e Shqipërisë rezervohet për të formuar një shtet të vogël autonom të neutralizuar, ajo nuk do të kishte kundërshtim për pjesët veriore dhe jugore, të cilat mund të ndaheshin midis Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, nëse për këtë paqësohet edhe Franca, Britania dhe Rusia. Italia do të ngarkohej të përfaqësonte Shqipërinë në marrëdhëniet e saj në politikën e jashtme. Përfaqësuesit e tre fuqive të Antantës u pranuan në traktatin dhe u morën vesh që kjo marrëveshje të mbahet e fshehtë, e cila sanksionohej nëpërmjet nenit 16. Një muaj pas nënshtrimit të marrëveshjes ashtu siç e kishte përcaktuar neni 2, Italia i shpallte luftë Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë. Në bazë të kërkesës së ish-kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Jugosllavisë Milan Stojadinoviç, shkrimtari Ivica Andriç, që më vonë fitoi çmimin Nobel për Letërsi, ky kishte qenë në programin për ndarjen e Shqipërisë. Programi ishte hartuar në vitet 1937-1939 derisa Andriç kishte qenë përfaqësues, Ministër i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë. Ndërsa, politika shqiptare e viteve 20-ta së pari, ashtu si ishte zbatuar edhe për Poloninë, Trentinon, Alzanën e Lorenën, të shfuqizoheshin klauzolat e Traktatit të Fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915, që kishin të bënin me Shqipërinë, të përcaktoheshin kufijtë e Shqipërisë dhe vendeve të tjera ballkanike në bazë të parimit etnik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat