‘Fituesja’ e zgjedhjeve të humbura

Opinione

‘Fituesja’ e zgjedhjeve të humbura

Nga: Nehat Hyseni Më: 4 maj 2020 Në ora: 17:22
Nehat Hyseni

Vjosa Osmani ka bërë gabim fatal duke u rrjeshtuar me Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin, kundër LDK-së.

Pra, me kundërshtarët politik të LDK-së, nga jashtë,

pretendon që ta fitojë betejën kundër Isa Mustafës, Agim Veliut e Lutfi Hazirit, si ‘kali i Trojës’, ta pushtojë ‘kalanë’ e LDK-së nga brenda. Madje edhe duke dhënë ‘autogola’ ndaj LDK-së, pa fije turpi dhe duke marrë apllauz dhe lavdërime nga Albin Kurti dhe VV.

Paturpësia e saj shkon aq larg, sa që këto veprime të saj pretendon të na shesë si ‘rugovizëm’?! Edhepse ajo kurrën e kurrës nuk e ka takuar Presidentin Rugova, së paku jo në cilësinë e një personi me peshë sado të vogël politike.

Sepse, ajo ishte një vajzë e dëgjueshme në kabinetin e Presidentit Sejdiu dhe për këtë u shpërblye pa kursyer paratë e taksapaguesve kosovarë, e duke i shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe lidhjet diplomatike që ofronte ajo pozitë, sidomos me mbështjen e pakursyer të Presidentit Sejdiu, për ngritje të saj profesionale e politike.

Tani, pas zgjedhjeve të humbura të LDK-së të 6 tetorit 2O19, Vjosa na paraqitet si figurë konfuze dhe kontraverze: si fituese e këtyre zgjedhjeve ndaj kolegëve të vet brenda LDK-së dhe si humbëse e turpëruar, si ‘maca nën tërvezë’ ndaj Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit, duke e konsideruar e promovuar atë si shef të saj.

Prandaj, ajo sillet me mendjemadhësi e arrogancë ndaj LDK-së, duke mos përfillur asnjë vendim të kësaj partie, madje as duke mos marrë pjesë as në mbledhjet e Kryesisë e as të Këshillit të Përgjithshëm, edhepse është zëvendëskryetare e LDK-së?!

Kurse, në Kuvendin e Kosovës, edhepse e mban postin e kryetares së Kuvendit, si post të marrëveshjes së koalicionit në emër të LDK-së, ajo po sillet si deputete besnike VV-së dhe Albin Kurtit, madje edhe më shumë se Albulena Haxhiu e Glauk Konjufca dhe shumë të tjerë!

Pra, kjo është e vërteta për kryeparlamentaren Osmani, e cila është shndërruar aktualisht në armiken më kompromituese të LDK-së, me mbështetje të pakursyer të militantëve ekstremistë e antirugovistë të Vetëvenfosjes dhe të qarqeve armiqësore ndaj LDK-së.

Vjosa Osmani në postin e kryeparlamentares është shndërruar në një udhëqëqëse diktatoriale e arrogance të papresedan gjatë udhëheqjes së seancave të Kuvendit të Kosovës, duke i bërtitur e duka ua ndërprerë paturpësisht diskutimin deputetëve të LDK-së.

Kjo metamorfozë e karakterit njerëzor, moral e politik të Vjosa Osmanit, realisht është befasia më e pakëndëshme që i ka servuar elektoratit rugovist, për satisfaksionin dhe kënaqësinë dashakeqe të antirugovistëve të përbetuar që nuk ia dojnë të mirën, paqen dhe prosperitetin dhe zhvillimin e demokracisë së mirëfilltë liberale në Republikën e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat