Maji i altarit të lirisë në Dushkajë

Opinione

Maji i altarit të lirisë në Dushkajë

Nga: Mr. Skënder R. Hoxha Më: 4 maj 2020 Në ora: 18:13
Mr. Skënder R. Hoxha

Kujtesë e një historie, tash e njëzet e një vjet më parë (II)

…Është kjo krahina etnografike e Dushkajës, e cila ka shtrirje administrative në komunën e Gjakovës dhe në atë të Deçanit. Është kjo Dushkaja ku herët e vonë gjetën mikpritje e mbështetje burrat e kombit shqiptar: Azem Bejta, Bajram Curri, Nue Përlleshi, Isë Boletini e shumë e shumë të tjerë… Është kjo Dushkaja që përjetoi masakra në të cilat u martirizuan shumë burra, por edhe gra e fëmijë, dushkajas e mysafirë, dhe vetëm pse ishin shqiptarë, e Dushkaja gjithmonë armiqve u tha: JO!, KJO ËSHTË TOKË SHQIPARE DHE NE JEMI SHQIPTARË! … Është kjo Dushkaja e burrave të hershëm të saj, burra këta të pushkës e të kuvendit… Është kjo Dushkaja e qelulave të para UÇK-së. Është kjo Dushkaja e shumë dëshmorëve dhe martirëve të cilët dhanë shumë në luftën e lavdishme të UÇK-së, më në fund edhe jetën, për lirinë e Kosovës. Është kjo Dushkaja e orëve të para të UÇK-së. Në përvjetorët e majit të viteve 199, 1999e 2001, të këtyre viteve të egëra, përkujtojmë rënien e luftëtarëve të Dushkajës, përkujtojmë sakrificën, dhembjen dhe krenarinë për ta… Ata janë 12 kryepersonazhet e këtij përkujtimori, të dhënat për të cilët, sipas datave të rënies në Altarin e Lirisë, gjatë atij maji të tmerrshëm, po i paraqesim në vijim:

 1. TOMË RROK GJOKAJ

     31.10.1978.-7.5.1999.

     Dëshmori Tomë Gjokaj lindi në fshatin Dashinoc, komuna e Deçanit. Shkollën fillore e kreu në Ratishë, ndërsa atë të mesme në Irzniq. Rrjedh nga një familje atdhedashëse. Prindërit e tij, rrok dhe Gjyle Gjokaj, kishin dymbëdhjetë fëmijë: nëntë djem dhe tri vajza. Toma ishte fëmija i pestë me radhë. Ishte i martuar dhe ka lënë një djalë. Kontributi i kësaj familjeje në luftën për çlirimin e Kosovës ishte i madh. Nga nëntë djemtë e Rrok Gjokajt të Dashinocit, dy prej tyre vunë eshtrat në themelet e lirisë së Kosovës, Toma dhe i vëllai Zefi. Dëshmori Tomë Gjokaj ka qenë i punësuar në botën e jashtme, në Zvicër. Por, zërit të atdheut iu përgjigj devotshmërisht. Lëshoi punën dhe u kthye në Kosovë, ku radhëve të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës iu bashkua në prill të vitit 1998 duke u sistemuar në Shtabin lokal të UÇK-së në vendlindje, në Dashinoc. Ishte mjaft aktiv në luftimet që u zhvilluan në Dushkajë. Mori pjesë në luftimet e zhvilluara kundër forcave serbe në fshatrat Dashinoc, Ratishë, Vranoc. Deri më 28 mars të vitit 1999 luftoi në Pikën e Dashinocit bashkë me luftëtarët nga Gjakova me komandant Agron Kryeziun. Me formimin e Brigadës 137 “Gjakova”, pas shumë luftimesh në Betejën e Çabratit, që u zhvillua më 7 maj të vitit 1999, Tomë Gjokaj u zhduk pa lënë gjurmë. Duket se forcat serbe trupin e tij e fshehën diku që të humbin gjurmët. Andaj, nuk dihet se ku prehet trupi i këtij dëshmori të lirisë së Kosovës. Por, në altarin e lirisë së Kosovës, emri dhe vepra e tij do të qëndrojë përherë. Se, gjënë më të çmueshme, jetën, Tomë Gjokaj e dha për Kosovën. Pra, aty gjendet dhe do të qëndrojë si meteor që do të bëjë dritë gjatë tërë historisë së kombit tonë, përkatësisht si një ndër shumë dëshmorë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

2. ALI MIFTAR HASI

    25.12.1951.-11.5.1999

    Ali Hasi lindi më 25 dhjetor 1951 në fshatin Cërmjan, komuna e Gjakovës. Prindërit Miftar dhe Have Hasi kishin gjashtë fëmijë: dy djem dhe katër vajza. Aliu ishte fëmija i dytë në familje. Shkollën fillore e kreu në Cërmjan, ndërsa Normalen në Gjakovë. Studimet e larta, me korrospondencë, i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Juridik, të cilat i kreu me sukses. Për 27 vjet punoi me ditar në dorë: 13 vjet në fshatin Kramavik, ndërsa 14 në shkollën fillore në Cërmjan, dhe më vonë, me hapjen e paraleleve të shkollës së mesme, punoi si profesor i Mbrojtjes së Përgjithshme dhe i së Drejtës Ekonomike. Kontributi i tij në këtë drejtim ishte i pamohueshëm, sidomos në ngritjen intelektuale të të rinjve të Dushkajës. Në mbrojtjen territoriale të Dushkajës dha kontribut të çmuar. Kishte gradën e kapitenit të klasit të parë, përkatësisht ishte komandant i rajonit të Dushkajës, ku gravitonin 24 fshatra. Ali Hasi ishte i martuar dhe ka lënë tre fëmijë: dy djem dhe një vajzë. Pushkët e para në Dushkajë kundër forcave serbe, Ali Hasin e gjetën në radhët e saj. U angazhua në organizimin e Shtabit të UÇK-së në Cërmjan. Me këtë rast emërohet komandant i këtij Shtabi dhe fillon punën. Me vete kishte edhe dy djemtë: Visarin dhe Armendin, e njëherësh kishte porositur të motrën, Atifetën, që në çdo kohë të qëndronte e gatshme për t'u dhënë ndihmën e parë ushtarëve të plagosur të UÇK-së. Në fillim u morë me ushtrimin dhe aftësimin e ushtarëve të rinj në luftë kundër forcave serbe. Ishte mjaft aktiv në hapjen e korridoreve, vendosjen e pikave, të pozicioneve, në mënyrë që t'u bëhet ballë forcave serbe, të cilat në Dushkajë kishin ndërmarrë shumë aksione. Dhe, pas një pushimi të arritur me ndërmjetësimin e OSBE-së, Ali Hasi, me një grup ushtarësh kaloi kufirin ilegalisht. Kështu u gjend në Shqipëri. Gjatë qëndrimit në Shqipëri vendosi kontakte me disa eprorë të UÇK-së, kështu në fillim të vitit 1999, u ribashkohet radhëve të UÇK-së, në Brigadën 138 "Agim Ramadani". Këtu i besohet detyra e komandantit të logjistikës, dhe qëndroi, luftoi, kontribuoi deri më 11 maj 1999, kur një Mig serb bombardoi malet e Koshares, në Padesh, me ç'rast u vranë Ali Hasi dhe ushtarët Fatos Ademaj, Kreshnik Ademaj, Emin Kryeziu, Nikollë Doda dhe pesë ushtarë të tjerë. Varrimi i dëshmorëve u bë në Bajram Curr, ndërsa rivarrimi në Varrezat e Dëshmorëve në Koshare, ku prehen të qetë trupat e tyre.

3. RIFAT HASAN SMAJLI

    1.1.1973.-14.5.1999

   Rifat Smajli lindi më 1 janar 1973 në fshatin Kralan, komuna e Gjakovës. Rrjedh nga një familje bujare me tradita atdhedashëse. Prindërit Hasan dhe Shkurte Smajli kishin dhjetë fëmijë: gjashtë djem dhe katër vajza. Dëshmori ishte fëmija i dytë me radhë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjakovë, ku ishte edhe student i vitit të dytë në Shkollën e Lartë Pedagogjike. Mirëpo, u detyrua t'i ndërprejë studimet, qoftë për shkak të kushteve ekonomike, qoftë edhe pse studimet u bënë të pamundshme në rrethanat politike që ishte përfshirë Kosova nën regjimin kriminal serb. Dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës hapi shtigje të reja për rininë e Kosovës. Ata pa u hamendur iu bashkangjitën radhëve të saj. I tillë ishte edhe dëshmori Rifat Smajli, i cili më 15 maj të vitit 1998, së bashku me dy vëllezërit: Xhevatin dhe Xhavitin, rrokën armët për t'i dalë zot atdheut. U sistemuan në Brigadën 132 "Myrtë Zeneli" si ushtarë. Lufta e tre vëllezërve, të sistemuar në të gjitha ofensivat që ai ndërmori. Lufta e tyre ishte e fortë duke mbrojtur pragun e shtëpisë, duke mbrojtur Kosovën. Morën pjesë në të gjitha ofensivat që u zhvilluan në Kralan, gjithnjë në vijën e parë të luftës. Ky aktivitet i këtyre tre vëllezërve vazhdoi deri në ditën e fundit të luftës në Kosovë, ndërsa për dëshmorin Rifat Smajli kjo ditë përfundoi më 14 maj 1999, kur me uniformën e UÇK-së mbi supe, përkatësisht me armën me të cilën luftoi kundër forcave serbe për një vit pandërprer, vdiq nga një sëmundje e papritur i helmuar nga Abrej në duart e vëllezërve dhe bashkëluftëtarëve, në momentin kur po e dërgonin për në spitalin ushtarak në Maznik. Varrimi i dëshmorit u bë në rrethana mjaft të vështira, afër shkollës fillore në vendlindje, kur nga çasti në çast, priteshin sulmet e forcave armike mbi pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

4. SADRI RRUSTEM SHALA

    13.3.1972.-15.5.1999.

     Sadri Shala lindi më 13 mars 1972 në fshatin Cërmjan, komuna e Gjakovës. Kjo familje ka pasur mosmarrëveshje me serbët e fshatit, kështu që keqtrajtohet nga regjimi serb në Kosovë. Rrustem e Zejnije Shala kishin shtatë fëmijë: pesë vajza dhe dy djem. Sadri Shala shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në vendlindje, në Cërmjan. Peshën e regjimit serb e provoi mbi supe edhe dëshmori Sadri Shala. Për këtë, ishte pjesëmarrës aktiv në të gjitha protestat dhe revoltat popullore në Cërmjan, Gjakovë e Prishtinë ku protestohej kundër një regjimi të egër. U detyrua ta kryej shërbimin ushtarak në ushtrinë jugosllave, ku me dhunë iu desh të luftojë kundër forcave kroate. Fillimet e luftës në Kosovë dëshmorin Sadri Shala e gjetën të përgatitur psikikisht. Më 21 prill 1998 u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i sistemuar si ushtar në Shtabin lokal të Cërmjanit. Ishte kënaqësi për të të luftonte në radhët e ushtrisë së vet, kundër ushtrisë së urryer serbe, e cila kishte lyer duart me gjak në luftimet e Kroacisë dhe të Bosnjës. Në fillim ishte në Shtabin lokal të Cërmjanit, ku kreu detyra të ndryshme deri më 3 gusht 1998, në të gjitha vijat e frontit të Cërmjanit. Pas transformimit të Shtabit në Cërmjan, Sadri Shala kaloi në Jabllanicë, ku i kishte dajët. Armën nuk e kishte dorëzuar, ku pas disa muajsh u riaktivizua pikërisht në Shtabin e Jabllanicës, i sistemuar në kompaninë e Kralanit. Numri i ushtarëve të UÇK-së ishte i vogël, vija e frontit e gjatë. Megjithatë, dëshmori Sadri Shala u dallua në luftime. Mori pjesë aktive në vijat e frontit të kësaj kompanie deri më 15 maj 1999. Më 13 maj në një ofensivë të ashpër me forcat serbe, Sadri Shala u plagos nga minahedhësi, ku mori plagë të rënda në kokë dhe pjesë të tjera të trupit. E tërhoqën dhe e dërguan në spitalin ushtarak në Maznik. Edhe pse u përpoq shumë mjeku Ali Berisha, dëshmori Sadri Shala vdiq më 15 maj 1999. U varros me nderime në malet e Maznikut. Rivarrimi u bë më 24 gusht 1999 në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan të Deçanit.

5. MYRTË REXHË ZENELI

    11.10.1962.-21.5.1998.

  Dëshmori i parë i fshatit Jabllanicë të Dushkajës, Myrtë Zeneli, lindi më 11 tetor 1962. Shkollën fillore e kreu në Zhabël, ndërsa atë të mesme në Gjakovë. Prindërit Rexhë dhe Fanë Zeneli kishin gjashtë fëmijë: katër djem dhe dy vajza. Myrta ka qenë i martuar dhe ka lënë pas vetes dy fëmijë: një djalë dhe një vajzë. Familja e dëshmorit Myrtë Zeneli, asnjëherë nuk është pajtuar me regjimet serbe që u ndërruan për një shekull në Kosovë. Gjyshi i dëshmorit, Binak Zeneli në vitin 1923 vrau një xhandar serb dhe plagosi një tjetër, në shenjë hakmarrjeje për masakrën e vitit 1921 kur organizatat terroriste serbe vranë 64 burra të fshatit Jabllanicë brenda një gjysmë ore. Në këtë masakër u vra edhe axha i Myrtës, Qerim Zeneli, i cili kishte vetëm 14 vjet moshë. Të gjitha këto bënë që shpirti kryengritës i Myrtë Zenelit të mos pajtohej me regjimin serbokomunist. Pak kohë ka punuar në firmën "Elast" në Gjakovë. Në vitin 1989 largohet nga puna. Është pjesëmarrës i të gjitha protestave dhe revoltave të viteve 1989-1991. Njëherësh, është ndër luftëtarët e parë, që me përkushtim punoi për çlirim nga regjimi serb. Në radhët e UÇK-së u inkuadrua qysh më 5 tetor 1995. Myrta ishte një promotor në organizimin për luftë të armatosur kundër regjimit serb, sidomos në Dushkajë, Lug të Baranit e më gjerë. Ka kryer disa aksione guerile. Dalja në skenë e UÇKsë ishte gëzim më i madh i tij. Emërohet epror ushtarak në njësitet e Dushkajës. Luftën e parë frontale e pati në Sukë të Cërmjanit. Pastaj e shohim duke iu prirë luftëtarëve në betejat që u zhvilluan në Jabllanicë, Qeskovë, Kralan. Duhet veçuar luftën që u zhvillua në maj 1998 në Këpuz, ku morën pjesë tri njësi nga Jabllanica të komanduara nga Myrtë Zeneli, Agim Zeneli dhe Naser Brahimaj, që të tre dëshmorë të kombit. Me këtë rast rrëzohet helikopteri "Kobra" i forcave të ushtrisë serbe. Pikërisht më 21 maj 1998, në këtë luftë, bie heroikisht dëshmori Myrtë Zeneli, njëra ndër figurat më të shquara të UÇK-së nga Dushkaja. U vra duke sulmuar forcat serbe në fshatin Dolovë, komuna e Klinës. Është dëshmori i parë nga Jabllanica, rrugë kjo e vështirë, pas të cilit ranë edhe 11 dëshmorë të tjerë nga ky fshat, duke ngritur lavdinë e luftës heroike të UÇK-së në vendin ku edhe e meriton. Në korrik të vitit 1998 u formua Brigada 132 që mori emrin e dëshmorit "Myrtë Zeneli". Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Shtabi i përgjithshëm i UÇK-së e nderoi me gradën e kolonelit. Eshtrat e dëshmorit Myrtë Zeneli pushojnë në  vendlindje në Jabllanicë.

6. DERVISH SYLË SYLAJ

    1.8.1965.-22.5.1999

  Dëshmori Dervish Sylaj lindi më 1 gusht 1965 në fshatin Ratishë e Poshtme, komuna e Deçanit. Në këtë fshat, gjatë viteve ‘50-’60 ka ekzistuar një stacion i policisë serbe që ka keqtrajtuar shumë fshatarë të rajonit. Ishte ky një stacion famkeq, i cili nuk zbehet nga kujtesa e qindra e mijëra të keqtrajtuarve, meqë edhe janë likuiduar njerëz të pafajshëm. I një familje të tillë që përjetoi dhunë nga policia serbe është edhe dëshmori Dervish Sylaj. Shkollën fillore e kreu në Irzniq, ndërsa atë të mesme në Pejë. Herët mbetet bartës i familjes. Në shërbimin ushtarak në Karllovc dhe Obrenovc u gradua me kapiten rezervë. Pas shërbimit ushtarak nga Dervishi u kërkua që të vazhdojë punën si profesionist në jetën ushtarake. Por këtë ofertë nuk e pranoi, prandaj edhe filluan keqtrajtimet dhe arrestimet me pretekst të kërkimit të armëve. U detyrua të mërgojë në Zvicër duke lënë nënën, gruan dhe pesë fëmijë. Dhe, arrin çasti kur Dervish Sylaj kthehet triumfalisht në atdhe. Është kjo ftesa për mobilizim në luftë kundër regjimit të urryer serb. I bashkohet radhëve të UÇK-së, në fillim në Njësitin e Ratishit, ku merret me stërvitjen e të rinjve. Më vonë kalon në Kompaninë e Dytë, të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”. Merr pjesë në vijat e fronit në Baballoq, Shaptej, Ratishë. Në një vizitë që ia bëri familjes në Gjakovë, e zënë pabesisht forcat serbe dhe e dërgojnë në burgun e Istogut, ku më 22 maj të vitit 1999 e pushkatojnë. Trupi i dëshmorit u identifikua në varrezat masive në Rakoshë dhe më 14.09.1999  rivarroset në Varrezat e fshtatit Ratishë i Poshtëm me nderime të larta ushtarake.

7. BLERIM ALI AHMETI

    8.1.1981.-23.5.1999

   Blerim Ahmeti lindi më 8 janar 1981 në fshatin Kralan, komuna e Gjakovës. Rrjedh nga një familje e varfër fshatare. Prindërit Ali dhe Cyme Ahmeti kishin katër fëmijë: tre djem dhe një vajzë. Dëshmori ishte fëmija i dytë me radhë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Vështirësitë ekonomike ndikuan që të mos vazhdojë shkollimin më tutje. Me fillimin e luftës në Kosovë, Blerim Ahmeti, edhe pse i ri në moshë, u gjend në radhët e saj. Është data 15 qershor e vitit 1998 kur iu bashkangjit radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i sistemuar si ushtar në Shtabin rajonal të Kralanit. Rruga luftarake e dëshmorit Blerim Ahmeti, në luftë kundër forcave serbe, zgjati deri para pak se të përfundojë lufta në Kosovë. Si i sistemuar në fshat, mori pjesë në tri ofensivat që përjetoi Kralani. Luftimet ishin të ashpra. Forcat e UÇK-së u bënë ballë me devotshmëri luftimeve që zhvilluan kundër njësiteve serbe. Në tri ofensivat sa përjetoi fshati Kralani, Blerim Ahmeti ishte aktiv, duke filluar nga ajo e 2 gushtit dhe 2 shtatorit të vitit 1998. Në janar të vitit 1999 në rajonin e Kralanit vepronte kompania I me komandant Adem Ibishin i Batalionit të katërt i Brigadës 132 "M.Zeneli". Blerimi pa hezitim u risistemua në radhët e UÇK-së në këtë komapani ku luftoi deri me rënien heroike si dhe në ofensivën e prillit të vitit 1999. Në të tri ofensivat tregoi përkushtim prej një luftëtari që për atdhe nuk kursen as gjënë më të çmuar, jetën. Dita e 23 majit të vitit 1999 do të mbahet në mend gjatë, jo vetëm për njerëzit dhe luftëtarët e fshatit Kralan, por edhe për mbarë Dushkajën. Ishte një ofensivë e egër e forcave armike ,të cilat Kralanin e sulmuan nga drejtimi i fshatit Cërmjan, ku kishin qenë të përqendruara më parë. Forca të mëdha policoe dhe ushtarake serbe zhvilluan një betejë të ashpër pikërisht në vendin e quajtur Guri Ngul, në afërsi të Kralanit, ku ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin pozicionuar për mbrojtje. Më këtë rast vritet dëshmori i lirisë Blerim Ahmeti nga Kralani, në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, duke nderuar veten dhe kombin.Trupi i Dëshmorit u tërhoq nga bashkëluftëtarët dhe u varros te Guri Ngul (në vendin e vrasjes), me ç'rast më vonë bëhet rivarrimi në varrezat e Dëshmorëve, në afërsi të Shkollës së Kralanit, me nderime të larta ushtarake, ku tani prehet i qetë trupi i tij i njomë.

8. HYSEN MON MEHMETI

     13.3.1967.-24.5.1999.

   Hysen Mehmeti lindi më 13 mars 1967 në fshatin Gërgoc, komuna e Gjakovës. Rrjedh nga një familje me tradita kombëtare, bujare dhe liridashëse. Prindërit Mon dhe Hatmane Mehmeti kishin katër fëmijë: tre djem dhe një vajzë. Dëshmori ishte fëmija i parë në familje. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, atë të mesme në Gjakovë, ndërsa studimet e larta, në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Në vitin 1993 punësohet në Kooperativën Bujqësore “Gërgoci” në vendlindje, në detyrën e shefit të financave. Gjendja e rëndë në Kosovë e mundonte përherë shpirtin e ekonomistit të ri. Kështu që, dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fillimi i luftës së hapur kundër regjimit dhe forcave serbe, e gjetën në radhët e saj edhe Hysen Mehmetin, me armë në dorë. Kështu, më 25 mars të vitit 1999 inkuadrohet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fillim si ushtar, në Brigadën 132 të Zonës Operative të Dukagjinit. Kontributi i tij ishte i koncentruar kryesisht në Dushkajë përkatësisht në luftimet që u zhvilluan në fshatrat e Dushkajës deri më 18 maj të vitit 1999. Pikërisht në këtë ditë zhvillohen luftime të rrepta në fshatin Gërgoc. Njësitë e UÇK-së, si gjithnjë ishin në krye të detyrës, kështu që edhe kësaj radhe, u përleshën me forca të mëdha serbe që ia kishin mësyer Dushkajës dhe fshatrave të saj, sidomos Gërgocit, nëpër të cilin duhej të kalonin në pikat e tjera të luftimeve, që UÇK-ja i mbante në Zhebël, Bardhaniq, Maznik etj. Andaj, në luftimet që u zhvilluan në Gërgoc, dëshmori Hysen Mehmeti u plagos në krye të detyrës. Shokët e tërhoqën dhe e dërguan në spitalin ushtarak të Maznikut, prej nga u përcollë për në Shqipëri, ku duhej të shërohej, meqë plaga ishte e rëndë dhe kërkonte ndërhyrje kirurgjike. Gjatë rrugës për në Shqipëri, më 24 maj të vitit 1999, në Bjeshkët e Belegut, pikërisht në Bogiqe, bie në një pritë tjetër që forcat serbe kishin zënë. Këtu, zhvillohet një betejë në mes të përcjellësve nga ana e UÇK-së dhe forcave serbe. Luftimet ishin të ashpra, me ç’rast pati edhe të vrarë. Kështu që fati i dëshmorit të plagosur atë ditë e sot nuk dihet. Pra, forcat serbe e zhdukën trupin e tij.

9. NAZMI OSMAN GRADINA

    1.3.1973.-24.5.1999.

  Nazmi Gradina lindi më 1 mars 1973 në fshatin Dashinoc, komuna e Deçanit. Rrjedh nga një familje, e cila asnjëherë nuk u pajtua me regjimin serb. Shpesh ky regjim e keqtrajtoi me pretekst të kërkimit të armëve. Shkollën fillore e kreu në Ratishë, ndërsa atë të mesme në Deçan. Babai i dëshmorit, Osmani, kishte tetë fëmijë: katër djem dhe katër vajza. Edhe dëshmori, Nazmi Gradina, ishte i martuar dhe ka lënë pas vetes një djalë. Ka marrë pjesë në protestat gjithpopullore të organizuara kundër regjimit serb, në Deçan, në Pejë e deri në Prishtinë. Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u inkuadrua më 23 prill 1998, si ushtar furnizues në Njësinë e Dashinocit. Shtabi i formuar në këtë fshat u vendos në shtëpinë e dëshmorit Nazmi Gradina, ndërsa komandant në Njësitin e fshatit u emërua i vëllai, Isuf Gradina. Dëshmori shërbeu si ushtar furniziues. Në jetën civile ishte teknik i elektros. Më 27 prill të vitit 1998 niset për në Shqipëri për armatim. Rruga ishte e mundimshme dhe me të papritura. Pas shumë mundimesh arrin të sigurojë armë dhe kthehet në vendlindje. Mori pjesë në betejën e Vranocit të Pejës, më 29 maj 1998, ku forcat serbe u thyen keqas. Bashkë me të vëllanë Isufin, më 13 gusht 1998, bashkë me dëshmorin Arben Ahmetaj nga Gllogjani, mori pjesë në sulmin kundër forcave serbe te Shkolla e Irzniqit, ku ra heroikisht Arben Ahmetaj. Nazmiu me të vëllanë, Isufin, bënë tërheqjen e dëshmorit dhe bashkë me shokët e tjerë e varrosën në malet e Ratishit. Përveç betejave që përmendëm, mori pjesë edhe në luftimet që u zhvilluan në Ratishë, Maznik, Kralan, Loxhë ku tregoi guxim dhe trimëri në kryerjen e detyrave dhe obligimeve që merrte nga eprorët e UÇK-së. Një ndërmarrje e tillë e gjeti në krye të detyrës edhe më 24 maj 1999, kur me urdhër të komandantit Ramush Haradinaj, komandanti Avdyl Mushkolaj me gardën u nis për në Shqipëri me shumë të plagosur që kërkonin kurim, e që ndodheshin në spitalin ushtarak në Maznikë. Rrugës, në trekëndëshin Kosovë-Shqipëri-Mal i Zi, në Bjeshkët e Belegut, më 25 maj 1999, bijnë në një pritë të forcave serbe, ku pas një lufte të ashpër, plagoset komandanti dhe vriten edhe disa ushtarë. Në mesin e tyre edhe Nazmi Gradina. Varri nuk i dihet, sepse forcat serbe kufomën e tij e zhdukën.

10. XHAVIT RAMADAN ISLAMI

      5.6.1964.-24.5.1999

Xhavit Islami lindi më 5 qershor 1964 në fshatin Kralan, komuna e Gjakovës. Rrjedh nga një familje atdhedashëse dhe përparimtare. Nga regjimi komunist dëshmori ka një axhë të zhdukur. Babë Ramadani dhe nënë Ziza kishin tetë fëmijë: pesë vajza dhe tre djem. Të gjithë fëmijët babë Ramadani arriti t’i shkollojë. Madje, vajza e tij është e para në Kralan që kreu shkollë të mesme. Edhe dëshmori, Xhavit Islami, shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjakovë, ndërsa studimet i vazhdoi në Fakultetin e Metalurgjisë në Mitrovicë, të cilat nuk arriti t’i kryej. U detyrua të punësohet në Fabrikën e Elektromotorëve në Gjakovë, ku punoi tetë vjet pandërprer. Ishte i martuar dhe pas vetes ka lënë dy fëmijë: një djalë dhe një vajzë. Xhavit Islami ka marrë pjesë aktive në të gjitha demonstratat, protestat dhe revoltat që janë mbajtur në Gjakovë. Në vitin 1989 në protestat e organizuara në Gjakovë, të cilat ishin masive, e ku u vranë edhe Fatmir Kërleshi dhe Xhevat Hoxha, dëshmori Xhavit Islami u plagos rëndë në kokë. Mu për këtë u detyrua të fshihet, ngase e kërkonin policia serbe. Po ashtu, Xhavit Islami ishte sportist i dalluar. Luajti futboll në klube të ndryshme në Gjakovë dhe Deçan. Karrierën e përfundoi si refer i Federatës së Futbollit të Kosovës. Pas masave të dhunshme dhe largimit nga vendi i punës, u angazhua si ndërtimtar për të siguruar ekzistencën e familjes. Dhe, me fillimin e luftës në Kosovë, dëshira e tij e zjarrtë ishte që të inkuadrohet edhe ky në radhët e UÇK-së. Kjo edhe u realizua më 27 mars të vitit 1999, kur edhe inkuadrohet në radhët e saj si ushtar fronti. Përkushtimin e tij prej luftëtari e çmonin shokët dhe eprorët. Mori pjesë në luftime të ndryshme, i sistemuar në Brigadën 132 “Myrtë Zeneli”. Asnjëherë nuk iu shmang detyrave që ia parashtronin eprorët. Dhe, për dëshmorin Xhavit Islami vjen dita e lavdisë, dita e rënies në fushë të nderit. Në rrugë për në Shqipëri, duke përcjellë të plagosurit që ndodheshin në spitalin ushtarak të Maznikut, bie në një pritë të forcave serbe në Bjeshkë të Belegut, në Bogiqe, ku pas një lufte, më 24 maj 1999, vritet Xhavit Islami bashkë me Islam Krasniqin dhe dëshmorë të tjerë. Meqë në momentin e rënies nuk pati mundësi të tërhiqej trupi i tij, forcat serbe e zhdukën jo vetëm këtë, por të gjithë të rënët me këtë rast, në këtë ballafaqim mes tyre, kështu që konsiderohet i zhdukur.

11. FADIL BAJRAM NIMANI

      7.4.1967.-25.5.2001.

    Fadil Nimani lindi më 7 prill 1967 në fshatin Gërgoc të Dushkajës, komuna e Gjakovës. Familja Nimanaj ka një traditë patriotike. Asnjëherë nuk u pajtua me regjimin serbosllav. Disa meshkuj të kësaj familjeje janë dënuar dhe kanë vuajtur dënimin në burgun e Goli Otokut. Prindërit Bajram dhe Fane Nimani kishin shtatë fëmijë: katër djem dhe tri vajza. Dëshmori ishte fëmija i gjashtë me radhë. Fadil Nimani shkollën fillore e kreu në vendlindje, atë të mesme në Cërmjan dhe Gjakovë. Në vitet '90 Fadil Nimani u gjend në mesin e shumë intelektualëve dhe patriotëve që mendonin se duhet të kishim ushtri dhe polici shqiptare, kështu që u inkuadrua në grupin e quajtur "Kundër fatkeqësive elementare" të udhëhequr nga Sokol Dobruna, Mentor Kaçi, Fatlik Lila, Hajdar Plava etj. Kjo lëvizje u zbulua nga sigurimi shtetëror dhe udhëheqësit e saj arrestohen dhe burgosen, madje edhe dënohen me shumë vjet burgim. Si njëri i këtij grupi, më 9 gusht 1996 policia serbe rrethoi familjen Nimani me pretekst të kërkimit të armëve përkatësisht arrestoi disa nga xhaxhallarët e Fadil Nimanit. Me këtë rast dëshmori Fadil Nimani u gjend në ballë të të rinjve, madje i detyroi forcat serbe të tërhiqeshin. Nga ky moment Fadil Nimani ishte në mesin e të kërkuarëve nga policia serbe. Në këtë kohë bie në kontakt me nismëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Jabllanicë përkatësisht me Lahi Brahimajn. Pikërisht këtu edhe zë fill angazhimi i Fadil Nimanit, duke marrë edhe nofkën "Tigri". Ndërsa në UÇK-ë zyrtarisht inkuadrohet më 15 nëntor 1997. Shpërthimet e luftimeve në Prekaz dhe Gllogjan Fadil Nimanin e gjetën duke udhëhequr "tigrat" në luftë për rezistencë kundër armikut serb. Nga kjo kohë Fadil Nimani u bë promotor i pazëvendësueshëm në masovizimin dhe furnizimin e UÇK-së, jo vetëm në Dukagjin, por pothuaj kudo në Kosovë. Kjo zgjati deri më 20 prill 1998 kur filloi lufta e parë frontale, me ç'rast në mëngjesin e kësaj dite të shënuar, pikërisht nga Fadil Nimani "Tigri" dhe Xhelal Hajda "Toni", tash që të dy dëshmorë të kombit, përkatësisht dhe bashkëluftëtarët e tyre, për herë të parë u sulmua Armata Jugosllave që ishte stacionuar në Digën e Liqenit të Radoniqit. Këtu për katër ditë me radhë u zhvilluan luftime të ashpra në mes të UÇK-së dhe ushtrisë jugosllave, sidomos në Sukë të Cërmjanit, e që njihet si beteja e parë në mes të dy ushtrive. Në këtë betejë Fadil Nimani plagoset në kokë. Dhe, meqë në këtë kohë interesimi i qytetarëve po rritej për t'u armatosur, komanda e Zonës Operative të Dukagjinit e emëroi komandant "Tigrin" udhëheqës të furnizimit ku dhjetëra e dhjetëra herë kaloi kufirin Kosovë-Shqipëri. Në qershor të vitit 1998 Fadil Nimani emërohet komandant i Policisë Ushtarake i UÇK-së për ZOD. Në betejën e 3 gushtit që u zhvillua në Jabllanicë të Dushkajës në mes të forcave policore serbe dhe UÇK-së, me ç'rast forcat serbe u zmbrapsën, Fadil Nimani ishte krah për krah ushtarëve në vijën e parë të frontit. Edhe ai u gjend në vijën e parë të frontit, me ç'rast plagoset sërish. Pas ofensivës së shtatorit, kur Shtabi i Dukagjinit u vendos në Jabllanicë, pikërisht në muajin tetor kur u bë riorganizimi i policisë ushtarake, Fadil Nimani përsëri riemërohet komandant i kësaj policie me seli në Zhebël. Gjatë dimrit u gjend në Maznik, Dashinoc, Ratishë, Lug të Baranit, si dhe në Gërgoc dhe Sukë të Cërmjanit, aty ku u lypte nevoja. Nga 9 deri më 17 janar të vitit 1999 u gjend në vijën e parë të frontit në luftimet që u zhvilluan në Ratishë dhe Dashinoc në mes të njësive të UÇK-së dhe forcave policore dhe ushtarake serbe. Në fillim të marsit Fadil Nimani me njësitin e tij mori Pikën në Sukë të Vogël, pikë kjo që ra më 3 prill, ngase forcat serbe ishin të përqendruara te penda e Liqenit të Radoniqit. Andaj, Fadil Nimani me disa shokë kalojnë në Gërgoc. Më 5 prill Fadil Nimanaj luftoi me Shkëlzen dhe Daut Haradinajn kundër forcave serbe me ç'rast u zhvillua një ndër betejat më të ashpra në ZOD. Në këtë kohë ndodheshin shumë të plagosur, andaj komandanti Ramush Haradinaj urdhëroi për tërheqje të ushtrisë dhe të plagosurve. Fadil Nimani u tërhoq për në Ratishë. Mirëpo, përsëri kthehet së bashku me komandantin Maliq Ndreca dhe vendoset në Lugun e Nimanajve në vendlindje, në Gërgoc, ku u zhvilluan shumë luftëra në mes të forcave të UÇK-së dhe njësive policore dhe ushtarake serbe. Këtu qëndroi dhe luftoi deri më 12 qershor 1999 ku Fadil Nimani udhëhiqte vijat e para të frontit. Pas përfundimit të luftës, Fadil Nimani emërohet komandant i Policisë dhe Rendit në rrethinë të Istogut përkatësisht në fshatin Vrellë. Ndërsa, si pjesëtar i Trupave Mbrojtëse të Kosovës ishte zëvendëskomandant i Gardës Kombëtare në Zonën e Tretë të Mbrojtjes. Mirëpo, si shpirt luftarak që ishte, Fadil Nimani ishte i pakënaqur me gjendjen e shqiptarëve në Kosovën Lindore dhe në Maqedoni. UÇPMB-në e ndihmoi shumë në logjistikë. Mori pjesë në luftimet që u zhvilluan në rrethinë të Tetovës dhe të Kumanovës, i sistemuar në këtë të fundit, në Brigadën 115 "Ismet Jashari-Kumanova" si komandant i Njësisë speciale "Skënderbeu" ku tregoi trimëri të rrallë prej luftëtari. Më 25 maj të vitit 2001 Fadil Nimani bie heroikisht në fushën e lavdisë, pikërisht në fshatin Vaskincë, në luftë kundër forcave të armikut, i goditur nga një predhë tanku në momentin kur po i sulmonte forcat sllavomaqedonase. Po këtë ditë bëhet edhe varrimi i këtij dëshmori të kombit në Varrezat e fshatit Vaksincë me nderime të larta ushtarake nga bashkëluftëtarët e tij të UÇK-së.

12. REXHEP ALI TAFA

     18.6.1973.-26.5.1999.

Rexhep Tafa lindi më 18 qershor 1973 në fshatin Bec, komuna e Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesme për mjekësi në Gjakovë. Rrjedh nga një familje e cila që nga vitit 1947 u keqtrajtua nga organet e sigurimit shtetëror, duke i arrestuar, duke i burgosur, duke i nxjerrë nga shtëpia. Edhe babait të dëshmorit, Ali Tafës, që punoi shumë vjet si mësues, në vitin 1968 iu ndalua puna në arsim. Të gjitha këto përipeci i kishte bartur mbi kurriz familja e dëshmorit Ali Tafa. Ali e Shahe Tafa kishin katër fëmijë: dy djem dhe dy vajza. Kështu që Rexhep Tafa, me një urrejtje në shpirt ndaj regjimit serb, ftesës për të kryer shërbimin ushtarak në ushtrinë jugosllave, në vitin 1992 nuk iu përgjigj. Braktisi shtëpinë dhe kaloi ilegalisht në Shqipëri. Këtu, në Tiranë, vazhdoi studimet, por i ndërpreu me fillimin e luftës në Kosovë. Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u inkuadrua më 12 mars të vitit 1999, me detyrë të ndihmëskomandantit për shëndetësi, pranë Brigadës 132 "Myrtë Zeneli" me seli në Jabllanicë të Dushkajës. Angazhimi i tij ishte kryesisht në ofrimin e ndihmës të plagosurëve. Më 25 maj 1999, një grup ushtarësh nga njësia e dëshmorit Rexhep Tafa kishin marrë urdhër nga komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit Ramush Haradinaj që të përcjellin të plagosurit për kurim në Shqipëri. Rruga ishte e vështirë dhe përplot rreziqe. Duhej kaluar afër postblloqeve policore dhe ushtarake serbe. Mjete për transport të shpejtë nuk kishte. Të plagosurit duhej bartur me vigj prej druri, nga spitali ushtarak në fshatin Maznik, për në Shqipëri. Teknik mjekësorë për dhënien e ndihmës gjatë rrugës ishte caktuar Rexhep Tafa. Në mbrëmjen e 26 majit të vitit 1999, në vendin e quajtur Lajthishtë të Gllogjanit, ku forcat serbosllave me kohë kishin zënë prita, shtijnë në drejtim të kolonës nga një afërsi rreth 150 metrash. Plumbat e parë që shtrinë për tokë, ishin dy dëshmorët dhe luftëtarët trima: Luan Qerimi dhe Rexhep Tafa. Këtu u këput filli i jetës së tyre, por filloi përjetësia e tyre e përhershme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat