Referendum për marrëveshjen Kosovë-Serbi (Thaçi-Vuçiq)

Opinione

Referendum për marrëveshjen Kosovë-Serbi (Thaçi-Vuçiq)

Nga: Nefail Maliqi Më: 9 maj 2020 Në ora: 13:29
Nefail Maliqi

Në asnjë vend, në asnjë shoqëri në botë (pos në ato diktatoriale) nuk mund dhe nuk ka të drejtë një person apo dy, në këtë rast presidenti aktual Thaçi (ai serb hiq e më hiq) të vendos për fatin e Kosovës, aq më tepër kur ai nuk e ka besimin tek më shumë se gjysma e popullatës.

Dihet, se si Thaçi u bë president përmes votës së LDK-së së Isa Mustafës, përmes të cilit edhe tash po insiston të rivazhdojë misionin e tij për realizimin e apetiteve të tij dhe Vuçiqit, ndoshta për «çmimi Nobel» (sikur ai me Daçiçin) për realizimin e kësaj marrëveshje në kundërshtim me popullin.

Siç dihet historikisht, de fakto dhe de jure referendumi është një nga instrumentet kryesore të demokracisë së drejtpërdrejtë, ku fjalën e ka populli, pra qytetarët, atëherë kur politika është e paaftë ose ka krijuar konfuzion, mjegull dhe hamendje për një çështje apo proces me interes kombëtar.

Pra, referendumi i lejon njerëzit të votojnë për vendime të caktuara jo vetëm të çështjeve me rëndësi por edhe vendimet e Parlamentit.

Nëse Lugina e Preshevës me 1-2 mars 1992 organizon referendum për bashkim me Kosovë, pse Kosova të mos mbajë referendum për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, çfarë të keqe ka këtu?!

Jo vetëm kaq, VV ka pasur të drejtë që përmes referendumit t’ia hedhë poshtë Parlamentit rrëzimin e dhunshëm të Qeverisë Kurti përmes mocionit të LDK-së, Isa Mustafës dhe tash edhe për rikthimin e qeverisë së vjetër (klanit të krimit dhe korrupsionit) që pretendohet të bëhet një qeveri ilegale me votat e lideres Vjosa Osmani.

Nëse vendet demokratike sikur Zvicra, Gjermania apo Amerika për çdo veprim, kthesë politike apo marrëveshje historike qoftë edhe për semaforët bëjnë referendum. Atëherë pse Kosova të mos bëjë Referendum për çështje delikate, siç është marrëveshja me Serbinë që ka shkaktuar debate, polemika, kundërshti madje edhe përçarje!

Referendumi si një proces demokratik, jo vetëm se do të zgjidhte dilemat dhe problemin, por edhe eviton zënkat, konfliktet, nuk dua të përmend luftën civile!

Nëse Thaçi apo Mustafa refuzojnë një referendum të tillë për apo kundër marrëveshjes me Serbinë që parasheh ndarje e Kosovës dhe Luginës, atëherë gjithçka duket e kuptueshme, ata frikësohen nga populli!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat