Çka po pritni?! Dramë po lyp, dramë jepi

Opinione

Çka po pritni?! Dramë po lyp, dramë jepi

Nga: Kimete Berisha Më: 17 maj 2020 Në ora: 16:15
Kimete Berisha

Shqiptarët le ta lusin Zotin që mos t'i mbushet mendja ta rrëzojë spitalin ushtarak, tinëz, para sabahut, si policia serbe kur vriste e bastiste shqiptarët e Kosovës, gjithmonë vepronte para sabahut.

Pse në kohë pandemie, Edi Rama e rrëzoi Teatrin!

Pse nuk i pritej!

Teatri, nëse patjetër duhej të rrëzohej, rrëzohet në një kohë më të mirë, jo në kohë karantine, kur për të jetuar ka orar, e për të shkatërruar s'ka orar.

Pse gjithë kjo nevojë ekstravagante dhe urgjente e Edi Ramës në kohën e izolimit dhe të paqartësive, në kohën e frikës dhe dëshpërimit, në kohën e varfërimit dhe trishtimit të shqiptarëve, e bën katarsisin, duke e rrëzuar skenën ku arrihet ky katarsis.

Dhe këtë shkatërrim e quan si komunistët 'shkatërrim kreativ'.

Kryeministri shqiptar, e ka shfrytëzuar karantinën për t'u bërë edhe më i pasur.

S'e kuptoj çka do të blej ky me ato pare?

A e sheh veten në pasqyre?

Ti guxon me shkatërru Teatrin, po hajt, n'guxofsh, ndalu shikoje veten në pasqyre veç 30 sekondra pandërprerë në drita të syve shikoje veten dhe po të garantoj se do të përhënësh nga sytë e t'u, nga personazhi që të ka pushtuar sytë.

Shikimi i Edi Ramës e zbulon urrejtjen dhe nënçmimin që ndjen për krejt botën, përveç për profetët e vdekur.

Ky veç me të vdekurit ka 'raporte' të mira, se ata nuk ia kthejnë fjalën, edhe kur ky i mashtron shqiptarët në emër të tyre.

Ai nuk të shikon si njeri, a ti ngul sytë, e prolongon shikimin fiks dhe kjo ngulitja e syve është kërcënim dhe shqetësim.

Pra, kushdo që të shpon me sy, apo t'i ngulit sytë, dije mirë se po të kërcënon.

Ndoshta ka nevojë për ndihmë e jo për urrejtjen tuaj. Jepini ndihmë njerit. Bëjani analizat n'kry.

Nevoja për të rrënuar është sëmundje.

Një poet klasik ndjehej mirë kur i thyente xhamat me gurë (ama kurrë nuk habitej t'i thyente xhamat e tij).

Ia nisi rrënimit me fytyrën e Teatrit, jo me shpinën e Teatrit.

Sepse, në fytyrën e rrënuar të Teatrit ju sheh Juve. Dhe kjo i ngjall çlirim, një satisfakcion, që mjerisht nuk i zgjat shumë kënaqësia, sepse përsëri ka nevojë për një rrënim tjetër. Nuk ngihet.

Përveç qendra e Tiranës, Shqipëria ështē e mykur nga vjetërsia. Rrëzoji krejt, pse s'po i rrëzon. Shko rrëzoje edhe Venedikun ku hyn e del uji në librari dhe librave u vjen era myk!

'Vetëm aty ku ka varre, ka edhe ringjallje', prandaj mbi rrënojat e Teatrit mund të fillojë një jetë e re, nëse shqiptarët nuk pranojnë të rrënohet Teatri para se të kryhet Drama. Tash që u rrënua, duhet bërë Dramë mbi Teatrin e rrënuar. Tash Teatri është personazh tragjik, që në fund u shkatërrua nga personazhet e tij.

Pra, Teatri e lyp Dramën. Revoltën, Protestën.

Revolucionin, pse jo!

Tash që s'është Teatri, 'Mbreti Lir' duhet të luhet në Rrugë.

Katarsisi duhet të arrihet në rrugë.

Dhe, duartrokitjet nuk duhet të bëhen me duar, por duhet të bëhen duke goditur me këmbë, si grekët në teatrin antik.

Tragjedia t'i kthehet rrënjës së saj dhe etimologjisë. Tragjedi greqisht do të thotë 'kënga e dhisë'. Në kohën e festave për nder të Dionisit, grekët e flijonin një cjap.

Ky rit pastaj vazhdonte me këngën e dhimbshme për cjapin e flijuar.

Aktori kryesor gjithmonë paraqitej si plak me mjekër cjapi dhe me rroba që i ngjanin lëkurës së cjapit.

Pra, heroi i parë tragjik i teatrit është 'dhija'

Ky boll mirë po ju nënçmon (po ju provokon e po lyp bela) e po ua bën me dije se s'ju bën hesap për njerëz.

Çka po pritni. Dramë po lyp, dramë jepi.

Mos ja fal Teatrin.

P.D. Ky shkrim është në vend të ziqrit për shpirtin e Teki Dërvishit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat