Lutje për Kosovën e Shqipërinë, për Teatrin e Kushtetuesen

Opinione

Lutje për Kosovën e Shqipërinë, për Teatrin e Kushtetuesen

Më: 21 maj 2020 Në ora: 16:59
Ramazan Bekteshi

O Zot i plotfuqishëm, sot dua të lutem shqip që t’i dëgjosh rënkimet, të m’i kuptosh hallet e mia dhe të popullit tim, sepse sot ai vuan fort, jo nga një okupim i huaj, as nga komunizmi i egër stalinist, as nga bajonetat sërbe mbi krye. Sot, populli ynë shtypet me arrogancë të paparë nga bijtë e saj, politikanë të padinjitetshëm, amoral e hajdutë, kryeministra e presidentë që riciklohen jashtë konkurrence me dekada, duke përbuzur shtetin, demokracinë, lirinë dhe shpresën.

O Zot i qiellit dhe i tokës, mëshiroi te pamëshirshmit, politikanët tanë satanë, që në kohë pandemie e vdekjesh, varrosën teatrin, dhunuan qytetarin, atë qytetar që nuk protestoi, kur kishte mini-Schengen në Tiranë.

O Perëndi, fron i hirit dhe mëshirës, pastroja trurin e mjegulluar Kryeministrit shqiptar, atë shpirt të mbushur me demonë, për pak respekt e dashuri për vëllain e vogël, homologun e tij në detyrë Kryeministrin Kosovës, së paku në kohë mortaje.

O Zot, jepi mend këtij despoti, si t’i trajtojë qytetarët e vet, si t’i trajtojë vëllezërit e tij kosovarë, jo duke vënë tagër në rrugën e kombit, jo duke krijuar mini-Schengena, jo duke përqafuar njeriun që shkaktoi gjenocid mbi vëllezërit e tij. Kryeministri, që i harroi kufijtë detarë me Greqinë dhe kufijtë e Kosovës me Serbinë.

O Shpëtimtari ynë, pse lejove një precedent të ri, me të turpshmin në historinë tonë, sepse kryeministri i Shqipërisë është më larg vëllait të tij më plane kombëtare, por më afër krahut të djallit. Edvin Kristaq Rama është me pranë hasmit të Kosovës, Aleksandar Angjelko Vuçiq, ish-zëdhënës i kryekriminelit Millosheviq dhe ithtar i ideologjisë sërbomadhe “Naçertanja”.

O Zot, për lavdinë e emrit tënd, e shpëto Kosovën nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm, nga aleancat e frikshme, që në kohë pandemie, janë bërë bashkë, jo për ‘shëndetin e Nanës por për eshtrat e saj’. Banda politikanësh që me dekada ia kanë rrjep lëkuren thatanike Kosovës, ata sërish po rigrupohen për pushtet të ri, për plaçkë të re, por vuajtje të vjetra, të stërzgjatura për sovranin.

O Zot i qiejve, neni 8 i kushtetutës së Kosovës i cili përcakton vendin tonë si: “Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare.” Ruaje Republikën tonë nga Bhurka-t, nga xhihadistët, ata që shiten, dhe vriten për tokën e Shamit por jo për Kosovë e Shqipëri. Pastrova krerët, shtova dashurinë për gjuhe, komb e vatan, ruaje tolerancën fetare e vëllazërore, dhe i ruaj kufijtë e Kosovës sovrane, të pandryshueshëm e të pacenueshëm.

O Zot i Lindjes dhe Perëndimit, lutemi për Vatikanin të pranoj pavarësinë e Kosovës, Papa që i njeh vuajtjet dhe veprat e popullit tanë në mbrojtje të krishterimit, i njeh sakrificat e shenjtores Nëna Terese, Vatikani nuk duhet të hesht për pavarësinë tone që është realitet, Vatikani, që n‘a dëshpëroi fort duke hy në një thes me vendet Islamike, që shumica nga ato tradicionalisht anojnë me armikun tanë.

O Zot i shtatë yjeve, për fund do të lus të bekosh ushtrinë, policinë, infermieret dhe mjeket e dy shteteve tona që gjersa ata ruanin shëndetin e qytetarit duke rrezikuar të vetin në kohë pandemie, politikanët tanë si askund në botë ishin vërsul grushtetit, pushtetit, dhe teatrit. Të falënderojmë o zot, që n‘a bekove me dy shtete shqiptare në Ballkan së bashku me Amerikën.

O Zot, i vetmi dhe i përjetshmi, me përulësi të lus, të vesh duart tuaja mbi trupin e Kosovës dhe Shqipërisë për shërim e pajtim, le të n’a udhëheqin liderët me zemëra të ngrohta e mendje të ndritura, ata që e nderojnë dhe s’e abuzojnë emrin e shenjtë të lirisë. Jepi Vjosës dhe Albinit hir dhe kurajë që të n’a udhëheqin rrugës së shpresës së madhe, dhe merrja nga duart gërshërët Presidentit Thaçi, që i ka vendos mbi harta. Jepi dritë dhe kurajë Gjykatës Kushtetuese, për vendime të drejta, të paanshme e të pa ndikuar.

O At i shenjtë, më në fund fare, fale edhe shpirtin tim, që shpesh ankohet edhe me vonesat tuaja, në këto kohë të mjegulluara plot iluzion, sepse tani më s’e di se ç’jam duke shkruar, një lutje apo një elegji, një alegori apo një epitaf për politikanët kleptomanë që abuzojnë me shtetin e me pushtetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat