Pse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka në dorë ta zgjidh krizën në vend?

Opinione

Pse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka në dorë ta zgjidh krizën në vend?

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 22 maj 2020 Në ora: 11:19
Gjykata Kushtetuese

Çdo vend në botë, secili shtet kalon kriza të njëpasnjëshme. Sa mëi konsoliduar dhe sa më demokratik të jetë një vend, aq më pak dëme i shkaktohen atij nga krizat. Sa më të përkushtuar, të bashkuar e patriotë të jenë liderët politikë të një vendi të caktuar, aq më pak ndihen pasojat e krizave ekonomike e financiare dhe aq më sipërfaqësore shfaqen krizat politike. Kjo ndodh se vendet e përgjegjshme e demokratike i zgjidhin krizat dhe konfliktet brenda sistemit. D.m.th ato kanë përcaktuar mekanizma të pranueshme për të gjithë spektrin politik dhe për qytetarët që t’i japin zgjidhje atyre.

Po Kosova ku është sot? Pa dyshim në krizë të thellë politike dhe në konflikt të hapur midis dy institucioneve kryesore të ekzekutivit, presidentit dhe kryeministrit. Shkaku i këtij konflikti të thellë është fakti se presidenti ndjehet keq me kompetencat kushtetuese që ka, ndërsa kryeministri ndjehet i nënçmuar me uzurpimin e kompetencave të tij nga ana e presidentit. Presidenti prej shumë vitesh shkel kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke qëndruar si kryenegociator në dialogun Prishtinë-Beograd. Kryeministri nuk e toleron këtë shkelje kushtetuese. Ndërkaq shumica e deputetëve të kuvendit e pranojnë autoktacinë presidenciale në Kosovë, edhe pse në kundërshtim me Kushtetutën.

Si rezultat i kësaj situate, në mënyrë të shpejtë e të çuditshme kuvendi shkarkoi 25 marsin e kaluar qeverinë e zotit Kurti. Presidenti mburret për rezultatin spektakolar të tij, duke siguruar në këtë votim dy të tretat e deputetëve dhe me këtë rezultat argumenton se Gjykata Kushtetuese duhet t’i japë legjitimitet dekretit të tij për krijimin e një qeverie të re të Lidhjes Demokratike, pjesa mbështetëse e presidentit proserb, Thaçi. Ndërsa Albin Kurti i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të hedhë poshtë dekretin e presidentit për qeveri të re dhe të vendosë për ta çuar vendin në zgjedhje të reja, me qëllim që sovrani ta thotë fjalën e vet, d.m.th që sovrani ta zgjidhë krizën politike.

Gjykata kushtetuese nga ana e saj nuk duhet të jetë në dilemë. Të vendosë pro kërkesës së presidentit dhe kundër kërkesës së kryeministrit apo në të kundërtën. Gjykata Kushtetuese ëashtë autoriteti më i lartë. Ajo ka në dorë t’i jape zgjidhje krizës dhe konfliktit dhe jot a thellojë atë e për pasojë të krijojë rrethanat e nevojshme për një konflikt social e civil në Kosovë. Nëse ajo vendos që krizën ta zgjidh sovrani, pra që ta çojë vendin në kutitë e votimit, atëherë kjo gjykatë vendos në favor të zgjidhjes së konfliktit. Zgjedhjet janë opcioni i zgjidhjes së krizave të tilla në vendet demokratike.

Por nëse vendos në favor të dekretit të presidentit, d.m.th që të krijohet një qeveri pro-president e për pasojë, me vetëdije ose pavetësije, një qeveri pro-serbe, atëherë kriza dhe konflikti do marrin përmasa të tjera. Kjo do të ndodhë, sepse kjo krizë ka një destinacion, ka një trajektore, të cilën e pranojnë dhe bashkëpunëtorët e Thaçit. Nëse kemi parasysh se ata thonë që nga vjeshta e vonë do të ketë zgjedhje të parakohshme edhe në rastin e krijimit të një qeverie të LDK-së, kjo nënkupton nënshkrimin e një marrëveshjeje me Serbinë, e cila ndan Kosovën, krijon kushtet për formimin e një Serbie të Madhe dhe forcon pozitat e Rusisë në rajon. Të gjittha këto janë interes strategjik i Beogradit dhe Moskës, kurrësesi nuk duhet të ishin interes strategjik i Prishtinës dhe Tiranës! Por fatkeqësisht në Tiranë dhe Prishtinë, përkatësisht kryeministri dhe presidenti, nuk kanë guximin e Penndarovskit dhe Gjukanoviçit që të flasin kundër shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Mungon kjo prej tyre, sepse të dy këta kanë drikë nga Aleksandër Vuçiq. Kanë frikë se në një rast të tillë presidenti I Serbisë do t’u përgjigjej me kërcënime për marrëveshjet e fshehta midis tyre.

Gjithkush beson se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë si objektiv dhe qëllim themelor ruajtjen e paqes, stabilitetit, integritetit territorial dhe demokracisë në vend. Për të ruajtur paqen, stabilitetin dhe integritetin territorial të Kosovës duhet hedh poshtë dekreti i presidentit Thaçi. Dhe kjo arrihet permes ruajtjes së të drejtës demokratike për zgjedhje të lira dhe shprehjen e vullnetit të sovranit në këto zgjedhje. Gjykata Kushtetuese nuk mund të marrë mbi vete barren e rëndë për t’i hap rrugë një procesi të nisur nga presidenti për cënimin e territorit të vendit. Tashmë ajo çfarë është e përcaktuar në kushtetutë, permes nenit 2 pika 2 sa i përket ruajtjes së integtitetit territorial duhet mbrojtur nga autoriteti më i lartë ligjor, juridik e kushtetues. Duke mbrojtur këtë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të mund të jape një kontribut të madh në zgjidhjen e konfliktit politik, duke e çuar vendin në zgjedhje të reja, mundësisht pas 45 ditësh!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat