A dimë të bëjmë ne politikë me Amerikën?

Opinione

A dimë të bëjmë ne politikë me Amerikën?

Nga: Beqir SINA Më: 24 maj 2020 Në ora: 21:09
Beqir Sina
Letra e të ashtuquajturit koalicion i 40 shoqatave dhe organizatave ishte në kohë dhe vend të gabuar!
 
Duhet ta them që në fillim: politikanët në Shqipëri dhe Kosovë nuk dinë të bëjnë politikë me Amerikën. Fatkeqësisht, edhe këtu në diasporë, ose nuk kemi politikanë, ose jemi viktimë e politikave ditore të partive të majta dhe mentalitetit komunist, me letra të hapura.
 
Ditët e fundit, një i ashtuquajtur koalicion i 40 shoqatave dhe organizatave nën emrin “Koalicioni i Organizatave Shqiptaro-Amerikane”, iu drejtua me një letër të hapur Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Sekretarit të Shtetit Michael R. Pompeo, Zëvendës Presidentit Michael R. Pence si dhe një pjese tjetër të administratës amerikane.
 
Duket fare qartë se letra ishte me njëanëshmëri të theksuar partiake. Ajo ishte e qendisur mirë për të sulmuar administratën e tanishme të SHBA.
 
I ashtuquajturi koalicion, duke shprehur gjoja shqetësimin për qasjen e SHBA karshi dialogut Kosovë-Serbi, me të drejtë kundërshton idenë e korrigjimit të kufirit, por nuk bën aspak mirë kur shprehet indirekt se e dëshiron largimin e kësaj administrate dhe të këtij Presidenti.
 
Koalicioni, duke folur në emër të shqiptarëve të Amerikës, bën një farë propagande, ose para-fushatë për kandidatin demokrat Joseph Biden.
 
Shqiptarët e Amerikës, historikisht e dinë dhe kanë marrë pjesë gjithmonë në fushata për të dyja partitë e mëdha amerikane, duke e ditur mirë, se të dyja janë me shqiptarët.
 
Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2004, u bënë përpjekje për mbledhjen e fondeve për kandidatin John Kerry, në një kohë kur shumë shqiptaro-amerikanë, patriotë e atdhetarë, demokratë me bindje, ish të arratisur nga komunizmi, kishin vendosur të votonin për kandidatin George W Bush.
 
Edhe letra e të ashtuqujturit koalicion i 40 shoqatave dhe organizatave nuk ka si qëllim të vërtetë emisarin special amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, por godet nga larg Presidentin Trump dhe këtë administratë, që indirekt e quan si të “pa informuar për çështjen dhe si të shitur në Beograd”. Kësaj i themi “Bjeri dritares që të dëgjojë dera”.
 
Por çfarë ka thënë Emisari special i Presidenti Trump, Richard Grenell, për dialogun Kosovë-Serbi? “Kur flasim nëse është e drejtë apo jo, nuk më takon mua ta them. Mua më takon të sjell dy palët në tavolinë, dhe është në dorë të palëve për të vendosur. Unë po bëj përpjekje për një të ardhme më të mirë për njerëzit në Kosovë dhe në Serbi. Ne duhet të bëjmë gjithçka për të tejkaluar atë që të gjithë e shohin si një konflikt. Nëse dy palët nuk lëvizin dhe nuk arrijnë një marrëveshje, ne do të tërhiqemi”, tha Grenell në konferencën e përbashkët për shtyp me Vuçiç.
  
Grenell tha në atë kohë se "Presidenti Trump, është veçanërisht i përqendruar për zgjidhjen e këtij problemi, jo duke shikuar prapa dhe jo vetëm duke shikuar argumentet e vjetra. Ne duam të përparojmë në këtë rajon, në Kosovë, të kemi zhvillim ekonomik për njerëzit që e meritojnë. Qytetarët e Kosovës meritojnë të kenë punë dhe ardhmëri të ndritur. Ajo që po përpiqem të bëj është që të shoh tërë këto çështje që kanë ndikim ekonomik".
 
Grenell u tregua i prerë dhe transparent në deklaratat e tij. Ai nuk lë vend për keqkuptime. Por letra e koalicionit, ku duken qartë ndjenjat anti-Trump, i ngatërron qëllimisht gjërat duke ndjekur kahjen pro një kandidati të vetëm në zgjedhjet e ardhshme. Njëanshmëria e këtij të ashtuquajturi koalicion, i cili nuk kuptohet se kë përfaqëson realisht, i dëmton marrëdhëniet e shqiptarëve me Amerikën.
 
Por ka edhe shembuj të mirë kur shqiptaro-amerikanët kanë ditur të bëjnë diplomaci. Mjaft diplomatike dhe prestigjoze ishte letra e ish kongresistit republikan Joe DioGuardi, President i LQSHA, apo kolumnat e Agim Aliçkajt në shtypin shqiptar e rrjetet sociale, ku tregohet qartë pro amerikanizmi i shqiptarëve edhe në këtë çështje. Aty shprehen pakënaqës individuale , por jo të të gjithë shqiptarëve.
 
Nuk e dimë se si do të ndikojë largimi i ambasadorit Grenell nga Gjermania dhe nëse ai do të heqë dorë nga posti i emisarit për bisedimet Kosovë-Serbi. Por nëse Presidenti Trump rizgjidhet, Grenell mund ta shohë veten në një post edhe më të lartë diplomatik, për shembull si sekretar i shtetit. Ja përse ne duhet të mësojmë të bëjmë politikë me Amerikën dhe të mos harrojmë kurrë se Amerika nuk na braktis, prandaj edhe ne duhet të mos e braktisim!
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat