Rrëzimi i Qeverisë Kurti - arsyet që nuk ishin - Bota Sot
Rrëzimi i Qeverisë Kurti - arsyet që nuk ishin

Opinione

Rrëzimi i Qeverisë Kurti - arsyet që nuk ishin

Nga: Flamur Radoniqi, Kanada Më: 25 maj 2020 Në ora: 10:52
Qeveria Kurti

Në kohën kur popullata e gjërë filloi të dëgjojë përshpërimat se Qeveria Kurti ishte në telashe, në çarqe të caktuara ato telashe ishin strategji e planifikuar dhe veç ishin në lëvizje.

Inçizimi i Agim Veliut me 4 Shkurt 2020, një ditë pasi u votua qeveria e re tregon shumë. Të sqarohemi, nuk po flasim për një kryetar nëndege por për nënkryetarin e tërë LDK-së, duke folur para elektoratit të LDK-së, partnerit të dytë në koalicionin qeveritar.

Po në të njëjtën kohë, poashtu për popullatën e gjërë, filluan të bëhen publik zërat për “anti-amerikanizmin” e Albin Kurtit që gjoja kishte sjellë raportet me SHBA-të “në pikën më të ulët” në historinë e Kosovës. 

Që plani i parapërgatitur ishte në lëvizje, tregon dërgimi i Skender Hysenit në SHBA në kapacitetin e një “zyrtari të lartë” të LDK-së. Pse e dërgoi LDK-ja Skender Hysenin në SHBA dhe sa domëthënëse ishte deklarata e Kujtim Shalës në lidhje me preferencat e SHBA-ve se pikërisht Albin Kurti, Kryeministri i Kosovës, nuk mund të udhëheqë me dialogun? 

Dhe më e rëndësishmja këtu, duke e ditur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që i jep Kryeministrit autoritetin Udhëheqës me dialogun, çka bëri LDK që ta mbrojë Kushtetutën në atë rast? 

A e shkeli LDK Kushtetutën e Kosovës duke ju “bindur preferencave të Grenellit”, sepse me kthimin e Skender Hysenit nga SHBA-të filloi edhe rrëzimi i qeverisë.

Të kuptohemi, deri më sot nuk ka deklaratë zyrtare nga Departamenti i Shtetit në lidhje me rrezikun nga çasja e Albin Kurtit; por deri në këtë pikë, e tërë kjo mjegull u plasua nga LDK dhe “u fry” nga PAN-i për të shpërnda një rrezik që nuk ekzistonte.

Në retrospekt, tani po kuptojmë që Isa Mustafa e paska njoftuar Kryeministrin Kurti se LDK do të dalë nga qeveria pas përfundimit tē pandemisë. Fjala kyçe - pas përfundimit të pandemisë. Në këtë kohë në ekuacionin politik hyn Thaçi, kërkesa e tij për gjendje të jashtëzakonshme, animi i Agim Veliut ndaj kësaj kërkese dhe shkarkimi i tij të cilën LDK e morri si shkas për të përshpejtuar atë që ashtu kështu do të ndodhte.

Në kohë pandemie, u rrëzua qeveria e shtetit për arsye paranoike që ekzistonin vetëm në çarqe të interesave të ngushta.

E këto inteese u konvenuan vetëm atyre që kurrë nuk ditën të kthjellen qysh nga 6 Tetori kur ata, një nga një, e kuptuan se LVV ishte realiteti i ri, dhe se platforma për luftimin e korrupsionit dhe çkapjen e shtetit nuk ishte vetëm premtim elektoral, ashtu siç kishin bërë tjerët për 20 vite.

Ata u frikësuan andaj u bënë bashkë për një kauzë që nuk ishte as “ruajtja e raporteve të mira me SHBA-të”, as “luftimi i anti-amerikanizmit të Kurtit” e bile as “mbrojtja e Kosovës nga keqmenaxhimi i pandemisë”. 

Asnjëra nga këto nuk qëndron.

Kauza e vetme ishte ruajtja e interesave klanore të atyre që e sollën shtetin në kollaps arsimor, shëndetësor dhe ekonomik.

Kjo shpjegon edhe aktivizimin e çdo sateliti që e kishin instaluar dhe fuqizuar gjatë këtyre 20 viteve. Media, analistë dhe “këshilltarë” nga të gjitha anët filluan që njëzëri të trumpetojnë rrezikun që i kanosej Kosovës nga “avanturat e Kurtit kundrejt Amerikës”.

Kjo solli deri te dekretimi i Avdullah Hotit si “Kryeministri i ardhshëm”, që në vete është shkelje e Kushtetutës.

Duke mos dashur të aludoj se jam jurist, unë vetëm di që Kushtetuta jonë nuk cakton afat për partinë fituese të emëroj mandatarin. Në këto rrethana “vlerësimi” i Thaçit se LVV e kishte konsumuar “afatin e arsyeshëm” është shkelje e Kushtetutës dhe çdo vendim që rrjedh nga veprimet e Thaçit janë rrjedhojë e shkeljes kushtetuese. 

Si përfundim, përderisa PLAN-i në krye me Thaçin çjerren duke thënë se Qeveria Kurti bëri “shkelje flagrante” të Kushtetutës, mos të harrojmë se ato u bënë për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të Kosovës pa asnjë prapavijë politike. Këtyre “shkeljeve”, Gjykata Kushtetuese u japi 2 javë që të tërhiqen vetëm sepse nuk ekzistonte ligj i nevojshëm. Dmth jo sepse e cenomin integritetin e qytetarëve apo shtetit.

Këto “shkelje” sollën menaxhimin më të suksesshëm të pandemisë në rajon.

Të gjitha këto, deri sa shkeljet e Kushtetutës nga PLAN-i, të cekura më lartë, sollën krizë institucionale dhe politike në kohë të pandemisë për avancime të interesave të ngushta politike. 

Në fund, afër popullit të Kosovës u gjend vetëm qeveria dhe masat a saj, çfarëdo që ishin ato që sollën menaxhimin Më të mirë në rajon, përderisa opozita bëri vetëm kritika dhe zero kontribut në kohë pandemie.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat