Kushtetuta e Kosovës është decidive; mandati i partisë fituese për ta qeverisur vendin nuk mund t’i dhurohet partisë së dytë!?

Opinione

Kushtetuta e Kosovës është decidive; mandati i partisë fituese për ta qeverisur vendin nuk mund t’i dhurohet partisë së dytë!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 25 maj 2020 Në ora: 21:59
Rexhep Elezaj

Nuk është kusht me qenë jurist me profesion për t’i kuptuar mirë dhe drejt aktet normative të cilat përbëjnë bazën e legjislacionit juridik-ligjor të një shteti, siç është Kushtetuta, si akti më i lartë juridik nga e cila nxirren të gjitha ligjet dhe aktet tjera normative, me të cilat më detajisht definohen, rregullohen si dhe precizohen sistemet juridike, ligjvënëse, politike dhe qeverisëse brenda një shteti dhe shoqërie të organizuar, duke përfshirë këtu vetë sistemin zgjedhor si shtyllë e lirive dhe të drejtave të njeriut-individit për të qenë i zgjedhur si dhe për t’i zgjedhur përfaqësuesit e vetë në Parlament përmes votës së lirë dhe demokratike.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, pa asnjë dyshim, radhitet ndër aktet juridike më të mira dhe më demokratike në mesin e shumë vendeve të Evropës, sidomos ndër vendet e rajonit të Ballkanit perëndimor, dhe atë për shumë vlera specifike që ka, por ndër më kryesorët e drejta shumë e madhe që iu është garantuar minoriteteve që jetojnë në Kosovë, në veçanti minoritetit serb, të cilat në disa çështje i tejkalojnë të drejtat e pakicave nacionale në shumë vende tjera të Evropës.

Por, le t’i kthehemi temës së kësaj analize e cila ka të bëjë me një çështje kruciale siç është; a ka, apo nuk ka të drejt partia e dytë ta formojë qeverinë, nëse partia e parë fituese e zgjedhjeve nuk ia del ta sigurojë numrin e nevojshëm të votave në parlament, qoftë menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve (rasti i VLAN-it), qoftë pas rrëzimit të saj në Kuvend për cilën do arsye, siç ishte rasti i fundit që ka ndodhur mes LVV-je dhe LDK-së (partneri i koalicionit e rrëzon partnerin tjetër), rast ky tanimë i përfolur deri në qarqet më të larta të vendeve të BE-së dhe më gjerë!

Mbajeni mend, se sipas normave në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, konkretisht me Nenin 82. pika 2 dhe Nenin 95. pika 5 e saj, pa asnjë lloj vakumi juridik dhe në mënyrë decidive e kanë përcaktuar partinë ose koalicionin parazgjedhor fitues të zgjedhjeve, qoftë edhe me një votë më shumë se partitë tjera, si bartës e të drejtës dhe mandatit kushtetues që ta formon qeverinë e re, qoftë e vetme nëse e ka numrin e nevojshëm të shumicës së thjeshtë, qoftë duke bërë koalicion me ndonjë parti tjetër garuese në të njëjtat zgjedhje.

Rasti më eklatant dhe sqarues i kësaj të drejte ekskluzive të partisë së parë fituese të zgjedhjeve për ta qeverisur vendin, është rasti i njohur i VLAN-it në vitin 2014, kur partitë jo fituese të zgjedhjeve, që ishin LDK, LVV, AAK, AKR, etj. të cilat tentuan që ta formojnë qeverinë e shumicës, meqenëse PDK-ja nuk gjente partner për të bërë koalicion qeverisës, e që dihet se këto parti madje e patën zgjedhur Isa Mustafën kryetar të Kuvendit, e i cili dy ditë e ushtroi këtë post në zyrën e tij të Kuvendit, por që të gjithë e dimë se këtë vendim të këtyre partive që asnjëra prej tyre nuk ishte fituese e zgjedhje, Gjykata kushtetuese duke i dhënë përgjigje në parashtresën e saj presidentes së atëhershme znj. Atifete Jahjga, gjithnjë në bazë të kushtetutës aktuale, me vendimin e saj Nr. K0103/14 e rrëzoi qeverinë e asaj shumice jo kushetuese, duke ia njohur të drejtën partisë së parë fituese të zgjedhjeve, PDK-së, e cila duke bërë koalicion me LDK-në pas 6 muajve nga mbajtje e zgjedhjeve, kohë e njohur si ngërç politik, e formuan qeverinë e re.

Pra, plotësisht sot e kemi një situatë të njëjtë në Kosovë pas rrëzimit me mocion votëbesimi të qeverisë “Kurti”, e udhëhequr nga partia e parë fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, mandantin e të cilës po duan t’ia marrin partitë jo fituese në krye me LDK-në, AAK-ja, NISMA dhe AKR-je, madje me dekret antikushtetues nga presidenti H. Thaçi, e që është akt puro antikushtetues, sepse pa partinë fituese në Kosovë nuk mund të formohet asnjë qeveri. Kjo është shumë e qartë me kushtetutë,  sikur edhe fakti se presidenti i Kosovës duhej ta priste, qoftë edhe 6 muaj, sikur në rastin e VLAN-it derisa ajo, pra partia fituese, t’ia dërgon emrin e mandatarit tjetër për formimin e qeverisë së dytë, sepse sikur Kushtetutës-bërësit t’ia kishin kufizuar kohën partisë fituese për ta dhënë emrin e mandatarit të ri, me automatizëm mandati i partisë parë, në rastin kur ajo nuk mund ta formon qeverinë, do i kalonte jo vetëm partisë së dytë fituese, por edhe partisë së tretë, të katërt etj., dhe ky do të ishte gabim fatal juridik, të cilin nuk e kanë bërë dot hartuesit dhe autorët e Kushtetutës së Kosovës. Kjo do të ishte shkelje e rënd e të drejtës së sovranit, i cili me votën e tij shumicë besimin për ta qeverisur vendin ia ka dhënë një partie, e jo dy partive në të njëjtën kohë.

Prandaj, e vetmja formë demokratike në raste të këtilla siç është ky tani me LVV-je, është që partitë t’i kthehen për verifikim sovranit dhe votuesve të tyre të cilët janë bartësit e vetëm të së drejtës së individit për t’u zgjedhur ose për t’i zgjedhur përfaqësuesit e vetë në organet qeverisëse dhe vendimmarrëse në emër të tij dhe vullnetit i cili buron nga bindjet e shumicës votuese, gjegjësisht nga shumica e popullit..!

Ky është verdikti më i drejt i popullit të cilin e ka përkufizuar dhe e ka caktuar qartë Kushtetuta aktuale e Kosovës, prandaj çdo rrugë, mënyrë dhe vendim tjetër i cili merret nga cilido organ i drejtësisë në Kosovë, do jetë shkelje e Kushtetutës si dhe e drejtave të sovranit për t’i zgjedhur përfaqësuesit e vetë më të besueshëm për ta qeverisur vendin, përkatësisht për realizimin e aspiratave të tij/tyre për një jetë më të mirë dhe ardhmëri më të sigurt..!   

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat