Nuk digjet shteti për pushtet!

Opinione

Nuk digjet shteti për pushtet!

Nga: Florim Zeqa   Më: 27 maj 2020 Në ora: 19:33
Florim Zeqa  

Shkrimin e sotëm do e filloj me një rrëfim interesant, se si dy fëmijë të moshës 3-4 vjeçare duke lozur në shtëpi, me të dëgjuar në radio këngën "Qysh e don shoqnija, flakë le të kallet shpija", për pak i kishin vënë flakën shtëpisë! Në momentin kur fëmijët grumbullit me letra filluan t'i vënë flakën, hyn brenda e zonja shtëpisë, çfarë ini duke bërë ashtu!? Të dytë njëzëri përgjigjen; "Po ai në radio na tha mi kallë shpinë"!

Fëmijët arsyetohen edhe në raste të tilla, por të rriturit dhe të moshuarit që dëgjojnë "këngë" të tilla nga politikanët e papërgjegjshëm nuk duhet t'i vënë flakën shtëpisë, por duhet ta mbrojnë shtëpinë nga flakëvënja.

Paralajmërimi i protestave nga Lëvizja Vetëvendosje për ditën e Enjtë 28 Maj 2020, është një ogurë i keq për Kosovën.

Sikurse vënja e masave të ndalimit të levizjes shkaku i pandemisë, ashtu edhe heqja e tyre në të gjitha vendet e rajonit dhe më gjërë, janë aplikuar në fillim të javës, ndërsa tek ne në mes të javës!

Ky është tregues i mjaftueshëm se diçka këtu nuk është në rregull! Ne, ose jemi me të mençurit ose më krisurit e rruzullit tokësorë.

Nga këtu shihet qartë se heqja e masave kufizuese për qytetarët e vendit tonë në mes të javës nuk ka të bëjë fare me virusin "Corona", por me virusin politik.

Edhe protestat duhet të kenë kuptimin e vet e jo të protestohet për gjithçka dhe për asgjë.

Protesta një ditë para vendimit të organit më të lartë gjyqësor të vendit, do të thotë presion i pastër politik para gjyqësorit, kurse protesta pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të thotë mosrespektim dhe mospërfillje e vendimit të organit të pavarur juridik dhe gardianit më besnik të kushtetutës së vendit.

Parashtruesi i kërkesës në kushtetuese, LVV duke ngulë këmbë në të drejtën e saj për ta çuar vendin në zgjedhje në kundërshtim me aktet juridike, me protestën e saj para verdiktit final të Gjykatës Kushtetuese, paraprakisht po e mohon kushtetuesen dhe ekzistencën e shtetit në përgjithësi.

Meqë e kemi një kushtetutë, duhet ta kemi vetëm një zgjidhje ligjore, e jo dy e tri zgjidhje si produkt i presioneve apo ndikimeve partiake.

Mosrespektimi i vendimeve të organeve shtetërore përveqse abuzim, paraqet mohim të shtetit në veten e parë. Veprimet e pamatura dhe anarkiste mund të çojnë në rrënim dhe flakëvënje të shtetit.

Shteti i Kosovës nuk është pronë e politikanëve dhe as e partive politike, por është pronë e të gjithë qytetarëve të vendit. Meqë është kështu, nuk duhet rrezikuar shtetin për egot e sëmura të liderëve partiak, por duhet mbrojtur me të gjitha mjetet demokratike dhe juridike.

Sikurse vendimin e Kuvendit të Kosovës së 25 Marsit 2020, si organ më i lartë ligjvënës në vend, ashtu edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese si organ më i lartë juridik dhe gardian i Kushtetutës duhet të respektohet nga të gjithë.

Përderisa e njëjta gjykatë, që ka rrëzuar dy president dhe është respektuar nga të njëjtit në mënyrë të civilizuar (Fatmir Sejdiu dhe Behxhet Pacolli), pse të mos respektohet vendimi i saj nga një kryeministër i shkarkuar ligjërisht dhe me shumicë të votave në parlament!?

Pse u dashka të mbrohet me aq ngulm vullneti i 26 % të votave të qytetarëve kundrejt vullnetit të 84 përfaqësuesve të popullit në Kuvend!?

Në momentin që i është drejtuar kushtetueses, LVV-ja dhe lideri i saj, Albin Kurti duhet të tregohen të përgjgjshëm në respektimin e vendimit të saj, ashtu siq i rekomandoj Komisioni i Venedikut, në të kundërtën mbajnë përgjegjësi historike për rrezikim të shtetit.

Kontestimi i Gjykatës Kushtetuese për jo profesionalizëm dhe anshmëri si dhe kërkesa drejtuar Komisionit të Venedikut (Commissione di Venezia) lidhur me kompetencat e Presidentit të Kosovës sa i përket mandatarit dhe shpërndarjes së Kuvendit pas mocionit të suksesshëm të mos-besimit, ishin shprehje e mosbesimit të Albin Kurtit ndaj Gjykatës Kushtetuese institucioneve të shtetit në përgjithësi!

Përderisa Komisioni i Venedikut e shprehu besimin dhe mbështetjen e plotë për Gjykatën Kushtetuese dhe profesionalizmin e saj, mos respektimi i vendimeve të kushtetueses nga cilido subjekt apo lider i yni partiak paraqet paradoks,  shqetësim dhe rrezik të madh për të ardhmen e shtetit.

Nuk duhet lejuar të digjet shtëpija për mosmarrëvshje mes anëtarëve të familjes dhe as të digjet shteti për inate personale dhe ego për pushtet të liderëve partiak.

Janë 1001 arsye për të protestuar në Kosovë, por jo për kauza pushteti të liderëve partiak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat